Bllokohet kompania e Ismailit, kandidati i PD Vorë. AKU: Mielli me alfatoksinë. “Agro Blend”: Veprim politik

May 25, 2015 | 6:57
SHPËRNDAJE

Autoriteti Kombëtar i Ushqimit ka vendosur dje bllokimin e 100 tonëve miell dhe 6800 tonëve grurë të kompanisë “Agro Blend”, e cila është pronësi të kandidatit të opozitës në Vorë, Fiqiri Ismaili. Në një deklaratë për mediat, AKU shprehet “verifikimet në ambientet e kompanisë treguan mungesë të kushteve higjieno-sanitare dhe të dokumentacionit shoqërues”.

Fiqiri Ismaili, Kryetari i Bashkise Vore

Si pasojë, më datë 15 maj AKU ndërpreu aktivitetin dhe bllokoi 41.3 tonë miell deri në daljen e përgjigjes së analizave, si dhe u vendos një gjobë me vlerën 400.000 lekë. Sipas AKU, nga analizat e laboratorit të Sigurisë Ushqimore, mielli rezultoi pozitiv për aflatoksinë. Pas verifikimit, më datë 23 maj “u morën mostra për analizë duke u dërguan në ISUV dhe u bë bllokimi i produktit përfundimtar miell në sasinë 100 tonë dhe e produktit lëndë e parë grurë në sasinë 6800 tonë, deri në daljen e përgjigjes së analizave”, thuhet në deklaratën e AKU-së.

REAGIMI
Por, në një deklaratë për mediat, “Agro Blend” e ka konsideruar veprimin e AKUsë të motivuara politikisht. “I gjithë ky aksion dhe veprim i AKU kundrejt Kompanisë “AGRO BLEND” SHPK është i motivuar politikisht. As ata që e kanë nxituar dhe udhëhequr këtë aksion nuk mundet të fshehin qëllimin dhe motivet dhe as ne si kompani nuk mundet të mos e shohim dhe të mos e kuptojmë ato”, thuhet nw deklaratw. Madje, drejtuesit e kompanisë kanë akuzuar inspektorët për veprime në kundërshtim me ligjin. “

Mielli i bllokuar

Procedura e marrjes së mostrave është bërë në kundërshtim me çdo lloj rregulli dhe norme sigurie e higjienike”, thuhet në deklaratë, ndërsa bëhet e ditur se produktet “janë të certifikuara nga laboratorë gjerman dhe francez.

Gruri është i importuar dhe me këtë rast i janë bërë të gjitha analizat përkatëse nga autoritetet doganore”. Duke komentuar deklaratën e AKU, “Agro Blend” tërheq vëmendjen se bllokimi është bërë pa pasur më parë asnjë analizë të produkteve. “AKU thotë: Sasia e miellit dhe e grurit është bllokuar derisa të bëhen analizat! Ky argument është jo vetëm i kundërligjshëm, por edhe komik”, thuhet në deklaratë.

PATOZI
Deputeti i PD-së, Astrit Patozi, në një deklaratë për mediat u shpreh se “strukturat mafioze të LSI-së në qeveri shënuan sot një sulm të ri ndaj zgjedhjeve të lira në Bashkinë e Vorës, duke vënë në shënjestër direkt kandidatin e opozitës, Fiqiri Ismaili”. Madje, Patozi u shpreh se Ministria dhe AKU, “që drejtohen me telefon nga kryetari i Kuvendit, Ilir Meta, urdhëruan pezullimin e fabrikës së miellit të zotit Ismaili”.

FATION BINJAKU

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura