Blinken mbërrin në Ukrainë/ Paralajmëron Sekretari amerikan i Shtetit: Rusia mund të sulmojë në një afat shumë të shkurtër

Jan 19, 2022 | 12:18
SHPËRNDAJE

Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, mbërriti në Kiev të mërkurën në një përpjekje diplomatike për të zbutur tensionet me Moskën rreth Ukrainës, duke paralajmëruar se Rusia mund të nisë një sulm të ri në “një afat shumë të shkurtër”.

blinken

Sekretari Blinken do të takohet me presidentin ukrainas, Volodymyr Zelenskiy, dhe më pas do të udhëtojë në Berlin për bisedime me aleatët, përpara se të shkojë në Gjenevë për të takuar ministrin e Jashtëm rus, Sergei Lavrov, pasi negociatat e javës së kaluar nuk shënuan ndonjë përparim.

Rusia ka grumbulluar dhjetëra mijëra trupa pranë kufirit të Ukrainës në atë që Kievi dhe aleatët e tij, kanë frikë se mund të jetë përgatitje për një sulm ushtarak kundër Ukrainës.

Duke shtuar shqetësimet, Rusia zhvendosi trupa shtesë në Bjellorusi këtë javë, përpara atyre që Minsku tha se ishin stërvitje të planifikuara të përbashkëta muajin e ardhshëm. Moska mohon planet për të nisur një sulm, por i ka bërë trysni Uashingtonit për garanci sigurie, përfshirë bllokimin e anëtarësimit të Ukrainës në aleancën e NATO-s.

Duke folur me diplomatët në ambasadën amerikane në Kiev, sekretari Blinken tha se shpreson fuqishëm se Rusia mund t’i përmbahet një rruge diplomatike dhe paqësore, ndërsa paralajmëroi se presidenti rus, Vladimir Putin, mund të urdhërojë sulmin në një afat të shkurtër.

“Siç e dini shumë mirë të gjithë, ne kemi qenë të angazhuar në dy muajt e fundit me një përqendrim të ngjeshur në Ukrainë për shkak të rritjes së konsiderueshme të forcave ruse që kemi parë pranë kufirit ukrainas”, tha sekretari Blinken.

Shtimi i pranisë ruse, tha ai, po ndodhte pa “pa provokim, pa arsye”.

“Ne e dimë se ka plane për të shtuar ato forca edhe më shumë në një afat shumë të shkurtër dhe kjo i jep presidentit Putin mundësinë që, gjithashtu në një afat shumë të shkurtër, të ndërmarr veprime të mëtejshme agresive kundër Ukrainës”, tha sekretari Blinken, duke theksuar se veprimet e Rusisë kanë tërhequr vëmendjen e Uashingtonit, si dhe të aleatëve të tij në Evropë dhe më gjerë.

Administrata e presidentit amerikan, Joe Biden, miratoi muajin e kaluar një ndihmë shtesë prej 200 milionë dollarësh në fushën e mbrojtjes për Ukrainën dhe dha më shumë ndihmë të tillë vitin e kaluar se në çdo moment, që nga aneksimi i Krimesë nga Rusia në vitin 2014.

Sekretari Blinken takon në Kiev presidentin Zelenskiy dhe ministrin e Jashtëm Dmytro Kuleba.

Më pas në Berlin ai do të takohet me ministren e Jashtme gjermane Annalena Baerbock dhe më vonë do të ketë një takim të Katërshes Transatlantike, një format që përfshin Shtetet e Bashkuara, Britaninë, Francën dhe Gjermaninë.

Gjermania sinjalizoi mundësinë e ndalimit të gazsjellësin Nord Stream 2.

Sekretari Blinken foli ne telefon me ministrin rus, të martën dhe të dy vendosën se do të ishte e dobishme të takoheshin personalisht.

Ministri Lavrov tha në një paraqitje në Moskë se Rusia do të mirëpresë përpjekjet diplomatike të SHBA-së dhe përsëriti akuzat ruse se Ukraina po “sabotonte” marrëveshjet që synonin t’i jepnin fund konfliktit midis trupave ukrainase dhe forcave të mbështetura nga Rusia në Ukrainën lindore.

Pavarësisht angazhimeve diplomatike këtë muaj, Uashingtoni ende nuk e ka parë Rusinë të ulë tensionet dhe Moska mund të nisë një sulm ndaj Ukrainës në çdo kohë në janar ose në shkurt, tha më herët një zyrtar i lartë amerikan.

Kievi ka kërkuar armë nga vendet perëndimore. Të hënën, Britania tha se kishte filluar të furnizonte Ukrainën me armë kundërtank për ta ndihmuar mbrojtjen e saj. /VOA/

© Panorama.al

Te lidhura