“Blindohet” gjykata për të “fortin” nga Shijaku, dosja “Kanun” i kyç gojën mikut të politikanëve

Oct 15, 2017 | 12:16
SHPËRNDAJE

Gjykata e Durrësit vendosi masën e sigurisë “arrest me burg” për qëllime ekstradimi ndaj Durim Keçit, i shpallur në kërkim nga autoritetet italiane për trafik droge, shfrytëzim prostitucioni dhe disa vepra të tjera penale.

durim-keci

Ai është transportuar dje në Gjykatën e Durrësit nën masa të forta sigurie. 42- vjeçari, emri i të cilit ishte në qendër të vëmendjes dhe debatit politik ditët e fundit, do të qëndrojë në burg deri në ekstradimin drejt Italisë, ku rezulton i dënuar për disa vepra penale. Para togave të zeza, 42- vjeçari konfirmoi vetëm të dhënat personale, ndërsa përmes avokatit Ilia Ilia kërkoi cilësimin të paligjshëm të arrestimit, me pretendimin se dosja ka mangësi në dokumentacion. Mbrojtja i cilësoi akuzuat në vazhdën e dosjes “Kanun”, një proces që tregon diskriminimin e drejtësisë italiane ndaj shqiptarëve.

“Është një proces me natyrë raciste për shkak të diskriminimit të të qenët shqiptar dhe të qenët shqiptar nga zona e Shijakut. Procesi ‘Kanun’ i emërtuar enkas si i tillë nga autoritetet italiane të Policisë dhe Drejtësisë ka pas për objekt procedimi 135 shtetas shqiptarë nga zona e Shijakut të ‘Katër Rrugëve’ në zonën e Bergamos. Gjithashtu, shkresa e Interpol ka mangësinë e vulave dhe firmave të autoriteteve italiane.

Pra ka mangësi në dokumentacion. Për këtë arsye kërkoj si masë shtrënguese për të mbrojturin prej meje atë të ‘detyrimit të paraqitjes’ ose ‘arrest shtëpie’”, deklaroi avokati i Durim Keçit, dje gjatë seancës për vlerësimin e masës së sigurisë. Ndërsa organi i akuzës i përfaqësuar nga prokurori Ilir Turja ka kërkuar të konsiderohej i ligjshëm arrestimi dhe si masë sigurie atë të arrestit në burg me motiv ekstradimin drejt Italisë.

Pasi ka dëgjuar palët, gjyqtarja Eda Kaja vendosi ta konsiderojë të ligjshëm arrestimin në flagrancë dhe dha masën “arrest me burg” të përkohshëm me qëllim ekstradimin drejt shtetit italian, ku Keçi është i dënuar me vendim të formës së prerë. Nën masa të larta sigurie, Keçi doli para gjykatës, e cila prej mëngjesit ishte blinduar nga civilët dhe policët me uniforma, të cilët nuk lanë të hynte asnjë familjar në sallën e gjyqit.

I konsideruar si “i forti” i Shijakut, ai ka mbajtur qëndrim të qetë në Gjykatë, ndryshe nga disa vite më parë kur kërcënonte prokurorët italianë në sallën e gjyqit. Asokohe, Keçi ka kërcënuar prokurorët Francesca Nanni dhe Silvio Franz. “Ata të dy do ta paguajnë shtrenjtë”, theksoi ai duke hedhur vështrimin mbi prokurorët Francesca Nanni dhe Silvio Franz”, shkruante në një artikull për Keçin gazeta “La Repubblica”.

Emri i Durim Keçit u bë objekt edhe i debateve politike në Parlament dy ditë më parë, ku u publikuan foto të 42-vjeçarit me përfaqësues të socialistëve, por edhe në çadrën e demokratëve. Kreu i PD-së, Lulzim Basha, publikoi fillimisht foton e Durim Keçit në shoqërinë e Blendi Klosit. Më pas u publikua një foto nga PS-ja e Durim keçit në çadrën e PD-së. I arrestuar të mërkurën e kaluar në darkë, në Durrës, Durim Keçi është cilësuar nga mediat italiane si bosi i mafies shqiptare.

DURRES/ LEONIDHA MUSAJ

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura