Bleu dyqan me paratë e basteve, ja gjyqtarët që kanë në dorë ankimin e prokurorit

Oct 4, 2018 | 12:49
SHPËRNDAJE

Kolegji i Posaçëm i Apelimit ka njoftuar ditën e djeshme se më 23 tetor, në orën 10:00, do të mbahet seanca dëgjimore për ankimimin e prokurorit Luan Kaloçi, i cili u shkarkua më 5 korrik të këtij viti nga KPK, pasi nuk justifikonte dot pasurinë.

Kështu, trupa gjykuese në Kolegj përbëhet nga Rezarta Schuetz, kryesuese, Natasha Mulaj, relatore, dhe Ardian Hajdari, Ina Rama e Luan Daci si anëtarë.

Luan Kaloçi
Luan Kaloçi

Pasuria që iu nënshtruar hetimit nga KPK për Kaloçin përfshinte një apartament me sipërfaqe 145 m2 në njësinë, një dyqan me sipërfaqe 132 m2 si dhe një apartament tjetër në Elbasan.

Sipas KPK-së, Kaloçi kishte mospërputhje mes deklaratave periodike të pasurive ndër vite dhe asaj bërë në kuadër të vetingut për të njëjtat pasuri. Prokurori ka deklaruar në vitin 2003, se apartamentin 145 metra katrorë e ka blerë pas shitjes së apartamentit në Elbasan për 4.8 milionë lekë.

Mirëpo, në vitin 2005, ai ka justifikuar si burim një kredi 55 mijë euro, ndërsa në deklaratën veting ka deklaruar se ka paguar vetëm 52 mijë dollarë. Nga ana tjetër, akti i shitblerjes së apartamentit mban shifrën 2.5 milionë lekë.

Mospërputhje ka edhe për blerjen e një dyqani 132 metra katrorë, ku në deklaratën veting deklarohet se është blerë me burime financiare nga shitja e apartamentit në Elbasan, ndërsa në vitin 2003, Kaloçi shkruante se burimi kanë qenë paratë e fituara nga bastet sportive, duke shtuar edhe një hua.

KPK vërejti mospërputhje edhe për sipërfaqen e dyqanit, ku në njërën deklaratë thuhet se është 86 metra katrorë, ndërsa në atë të vetingut është deklaruar 132 metra katrorë.

Gjithashtu, Kaloçi ka bërë edhe fshehje të disa depozitave bankare në vlerat 5 mijë dollarë dhe 20 mijë euro për vitin 2007, 15 mijë dollarë për vitin 2009 dhe fshehje e një mjeti të blerë nga vajza e gjyqtarit. Prokurori i Apelit e pranoi gjatë seancës dëgjimore se kontrata e shitblerjes së apartamentit kishte shifër tjetër për të shmangur tatimet.

PANORAMA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura