Blerjet online/ Kalvari që do të kaloni për zhdoganimin e mallrave

Jul 28, 2016 | 12:26
SHPËRNDAJE

Ka shkaktuar një zemërim të madh te konsumatorët një vendim i fundit i qeverisë që të ulë kufirin e blerjeve online në 22 euro, kur blen direkt nga Shqipëria dhe në 45 euro kur ta dërgojnë (pa pagesë) nga jashtë, nga 20 mijë lekë apo rreth 145 euro, që ishte më parë, shkruan “Monitor”.

LE CENTRE DE TRI DE LA POSTE A VAL DE REUIL (EURE) LA POSTE LA POSTE

Kufiri 22 euro, sipas konsumatorëve është shumë i ulët, ndërsa ata shtojnë se te blerjet online kishin gjetur raportin më të mirë mes cilësisë dhe çmimit.

“Në Shqipëri vijnë produkte kineze apo turke të një cilësie të ulët, që shiten me çmim shumë të lartë për cilësinë që kanë, ndërsa në internet mund të gjesh mallra me çmime të pranueshme për markën dhe standardet që ofrojnë”, thotë Elona, një blerëse e rregullt online, që gjurmon shpesh në internet se cilat janë ofertat më të mira.

Punonjës të postave që veprojnë në Shqipëri tregojnë se blerjet online ishin bërë mjaft të preferuara nga individët, kryesisht  të rinjtë e të rejat, sidomos pasi kufiri i pataksueshëm i blerjeve ishte rritur në 20 mijë lekë në vitin 2014.

Shtetet kryesore nga vijnë pakot janë Italia dhe SHBA-të.

Punonjësit e postave pohojnë se shuma e blerjeve luhatet nga 100 në 900 euro, por pjesa më e madhe e pakove, mbi 75% të tyre kanë një vlerë rreth 100 euro. Këto pako, me hyrjen në fuqi të vendimit të ri do të paguajnë edhe 22.4 euro më shumë.

“Kalvari” i doganës

Deri tani, dërgesat online deri në 145 euro nuk kishin nevojë për zhdoganim dhe posta ta sillte mallin direkt e në shtëpi. Tashmë, nëse malli i kalon 22 euro, për pritësin do të fillojë një “sorrollatje” e vërtetë, që shpesh nuk ia vlen mundimi për vlerën.

Në pakon e dërguar, dërguesi vë gjithnjë faturën e vlerës së mallit. Me hyrjen në fuqi të vendimit të ri të qeverisë, në momentin që vlera e faturës do i kalojë 22 euro ose rreth 25 dollarë do të fillojë procesi i zhdoganimit. Blerësi duhet të paraqitet në Postë ose në Rinas, varet ku i ka ardhur malli, të plotësojë deklaratën doganore dhe më pas të bëjë pagesën e doganës në bankë. Vetëm pasi të ketë marrë pagesën mund të bëjë tërheqjen e mallit.

Taksat shtesë përfshijnë TVSH-në 20% dhe taksën doganore 2.4%, në total 22.4%.

Në mbledhjen e fundit qeveria vendosi ë blerjet online mbi 22 euro të paguajnë TVSH dhe taksë doganore, ndërsa për dhuratat apo dërgesat që qytetarët marrin nga jashtë taksimi fillon nga kufiri 45 euro.

Sipas vendimit, përjashtohen nga detyrimet e importit:

 a)  mallrat e blera nëpërmjet porosisë nga interneti, që importohen nëpërmjet dërgesave postare, vlera e të cilave nuk kalon vlerën ekuivalente në lekë të shumës 22 euro;
b) dërgesat e mallrave nga një individ jashtë Republikës së Shqipërisë për një individ në Republikën e Shqipërisë, të një natyre rastësore, pa pagesë dhe që përmbajnë vetëm mallrat e destinuara për përdorim personal ose familjar prej marrësit, vlera e të cilave nuk e kalon vlerën ekuivalente në lekë të shumës 45 euro.”.
Kriza ekonomike, lulëzon biznesi i “gabit”

 

Vera, që prej vitesh merret me tregtinë e rrobave të përdorura dhe ka një dyqan te Blloku, e ka krijuar tashmë klientelën e saj besnike. Sa herë që i vjen furnizimi i ri ajo njofton me sms dhjetëra vajza e gra, që edhe pse tingëllon e habitshme, thotë se janë edhe punonjëse bankash apo institucionesh të tjera. Vitet e fundit, thotë ajo, shitjet janë shtuar, teksa me krizën, klientët tentojnë të kursejnë sa më shumë.

Trrgu GabiTë dhënat e INSTAT e konfirmojnë këtë tendencë. Importet e veshjeve të përdorura kanë shënuar një rritje të ndjeshme dhe të pandalshme gjatë katër viteve të fundit. Për pesë mujorin 2016 ato arritën në 1 miliardë lekë (rreth 8 milionë euro), me një rritje prej 17% në raport me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Italia është shteti kryesor nga importohen veshjet e përdorura me 46% të totalit në 5 muajt e parë të vitit. E dyta është Kina me 13% dhe e treta Turqia me rreth 9% të totalit, sipas të dhënave nga INSTAT.

Një tjetër biznes që po shënon rritje është dhe ai i këpucëve dhe sidomos atleteve të përdorura, për të cilat gjithsesi nuk ka të dhëna për importet nga INSTAT, por është e dukshme që numri i tyre, jo vetëm në Tiranë, por edhe në qytetet e tjera sa vjen e shtohet. Shumë dyqane po ndryshojnë destinacion, duke u kthyer në tregtues të mallrave të përdorur.

Biznesi i mallrave të përdorura (kryesisht veshje, këpucë, çanta) u zhvillua menjëherë pas viteve ’90 kur vërshuan ndihmat dhe që mori emrin popullor “gabi”. Më pas, ritmi ra, teksa të ardhurat e konsumatorëve u rritën dhe preferencat u zhvendosën drejt veshjeve të reja.

Por vitet e fundit, tregtia e veshjeve dhe këpucëve të përdorura është “sofistikuar”, duke u zhvendosur nga rruga e fushat në dyqane të mirëfillta (që paguajnë taksa) dhe duke u bërë një prej bizneseve që po përfiton nga kriza.

Të dhënat afatgjata të INSTAT tregojnë se rritja e ndjeshme ka filluar në vitin 2013, pikërisht kur kriza e pas 2009-s filloi të jepte efektet në konsum.

Në vit importohen rreth 13 milionë kg veshje të përdorura, me një vlerë importi prej rreth 18 milionë euro në 2015-n, sipas INSTAT.

/MONITOR/

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura