Blerja e re Samu Kastijeho, një driblues rroker për të ndryshuar Milanin

Aug 16, 2018 | 16:53
SHPËRNDAJE

Përveç Diego Laksalitit, në Milano për vizitat mjekësore do të jetë edhe Samu Kastijeho. Anësori ofensiv i Vijarealit bëhet kuqezi për 18 milionë euro, plus kartonin e Karlos Bakës, që bëhet përfundimisht një futbollist i Vijarealit. Formula është ajo e huazimit për 3 milionë euro dhe 15 milionë euro të tjera për blerjen e detyrueshme të kartonit.

Lojtari nuk u stërvit as ditën e djeshme, teksa gjatë një ceremonie në famullinë e qytezës, prifti ka zbuluar edhe të vërtetën mbi lojtarin. Duke e thirrur pranë altarit, prifti e ka pyetur nëse do të largohet. Përgjigjja e spanjollit ka qenë një miratim me kokë, ndërsa kleriku i ka uruar fat për vijimin e karrierës. Konfirmimet për suksesin e bisedimeve erdhën edhe nga anët e “Milanello”-s me Karlos Bakën, që ndërpreu stërvitjen dhe përgatiti rikthimin e tij në Spanjë.

samu kastijeho

PROFILI- I pyetur mbi karakteristikat dhe ngjashmëritë e tij, Kastijeho nuk gjen të ngjashëm, por nuk e fsheh admirimin për Iskon e Realit të Madridit. “Jam një personazh unik dhe nuk shoh askënd të cilit mund t’i ngjaj”, rrëfehej disa kohë më parë në një intervistë. Megjithëse 23 vjeç, blerja më e re e Milanit ka nën pronësi një akademi për futbollistët e vegjël dhe një website me muzikë rrok, ku ndër të tjera mund të blihen fotografi të personalizuara për celularë dhe kompjuterë. Jashtë fushës është një i ri si shumë të tjerë, madje edhe i ndjeshëm. Në 2015 teksa lexonte letrën e lamtumirës nga Malaga (klubi që e rriti), shpërtheu në lot përpara tifozërisë. Në rrjetet sociale është vazhdimisht prezent, ku publikimet më të shumta kanë lidhje me përditshmërinë.

XHONGLER- Në tapeti i blertë, pasioni i Kastijehos janë driblimet një kundër një. Gjashtë golave në 30 ndeshje në kampionatin e fundit, u shtohen edhe mbi 100 driblime të tentuar. Fiksimi i tij mbetet kombëtarja spanjolle, të cilën e cilëson: “Maksimumi nuk ka futbollist që nuk dëshiron të luajë për vendin e tij”. Dy vjet më parë Monakoja e Bakajokos i ndalonte kombëtaren, ndërsa tani, te Milani mund ta arrijnë të dy me fanellat përkatëse.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura