Biografia e plotë e Enverit. Ditari për Mehmet Shehun dhe Kadri Hazbiun

Oct 21, 2011 | 9:54
SHPËRNDAJE

Enver Hoxha gjatë pushimeve në rezidencën e tij në Pogradec në vitet ‘60. Majtas, kopertina e librit të Blendi Fevziut

Blendi Fevziu dhe “UET PRESS” sjellin botimin e ri me dokumente dhe foto te panjohura per liderin komunist

Ditarë, intervista, materiale arkivore… Një periudhë e gjatë kërkimesh, deri në formimin e pazëllit, i cili gjithmonë do të ketë pjesë të munguara. Megjithatë, gazetari Blendi Fevziu arrin të na japë ndoshta pamjen më të plotë të dhënë deri më sot për ish-diktatorin komunist. “Enver Hoxha”, kështu titullohet libri biografik që gazetari e sjell për lexuesin si një botim i “UET Press”, nën redaktimin e Aurel Plasarit. Biografia e Fevizut rrok 76 vitet e jetës së diktatorit. Ai nis me dimrin e jetës së tij, me ditët e fundit, kur komunikimi me botën përreth ishte bërë fare i zbehtë. Ai vetë i ngjante një kufome, ndërsa njerëzit përreth i ngjanin si hije. Ajo çka ndoshta pyesnin të gjithë ishte: Çfarë mendon? E vështirë të kuptoje se çfarë i shkonin nëpër mend njeriut që mbante në ndërgjegje mijëra viktima, që nga njerëzit e tij më të afërt, tek ata më të parrezikshmit e periferikët. Jeta e ish-diktatorit zë fill në vitin 1908. Siç na tregon Fevziu, ditën e saktë të lindjes, nuk e di askush. Ka shumë variante për të, por në histori mbeti dita, që vetë ai e festonte si ditëlindjen e tij. Të gjitha të dhënat e ardhura deri më sot, deri edhe kujtimet e lëna nga vetë diktatori, dëshmojnë për një fëmijëri normale në qytetin e Gjirokastrës, në një familje të thjeshtë, së cilës ai vetë donte t’i jepte një lloj rangu, që në të vërtetë nuk e kishte. Adhurim për Baba Çenin (xhaxhain), një lënie në hije e pakuptueshme e të atit, Halilit, asnjë dhunti apo talent i jashtëzakonshëm, asnjë prirje për lider, as në fillore dhe as në Liceun e Korçës, ku shokët e tij të klasës ishin shumë më të hedhur se ai… Kush më shumë apo kush më pak, të gjithë patën një fund tragjik, përfshi dhe të vetmen vajzë, Sabiha Kasimatin, e pushkatuar për vënien e bombës në Ambasadën Sovjetike dhe nga sa kujtojnë bashkëkohësit “tallej shumë me Enverin”. Dhe diktatori i ardhshëm do t’i mbante vëth në vesh të gjitha. Të njëjtin fat do të kishin edhe ata që do të dilnin rrugës gjatë studimit në Montpelie, apo jetës në Paris. Me ndihmën e Eqrem Libohovës, ministër i Jashtëm i Mbretërisë, të cilin më vonë Hoxha do ta dënonte me vdekje, në mungesë, arrin të fitojë një bursë studimi për botanikë, për të cilën siç e thotë edhe vetë, nuk kishte ndonjë interes. Madje, ai nuk kishte asnjë lloj interesi për shkollën, të cilën nuk e mbaroi kurrë. Por duket se brenda këtij njeriu që nuk shfaqte asnjë interes të dukshëm fshiheshin ambicie të mëdha, të cilat do të shfaqeshin hapur pas kthimit të tij nga Franca, ku jetoi 5 vjet. Vitet do të rridhnin shpejt dhe me ndihmën edhe të fatit, Enver Hoxha do të përvijonte figurën e liderit. Fevziu e ndjek jetën e diktatorit hap pas hapi, duke iu referuar gjithë materialit dhe dëshmive të mundshme. Hoxha do të bëhej themelues i Partisë Komuniste Shqiptare, do ta drejtonte atë, do të niste menjëherë luftën ndaj të gjithë atyre që e rrezikonin, një luftë brenda llojit, për eliminimin e rivalëve politikë, që do të vazhdonte gjatë gjithë jetës së tij. Pasi eliminoi të gjithë ata që i rrezikonin pushtetin, duke i quajtur “armiq të popullit”, “poliagjentë”, “antijugosllavë”, “antisovjetikë”, anti…, vdiq në moshën 76-vjeçare, duke ia lënë stafetën Ramiz Alisë, i cili jetoi edhe 25 vjet pas tij, duke përjetuar ndërrimin e sistemeve dhe rrëzimin e mitit të diktatorit. Nga libri prej gati 400 faqesh, i ndarë në 25 krerë, kemi përzgjedhur njërin, ku rrëfehen disa nga eliminimet më të bujshme mes radhëve të partisë, që janë ato të Mehmet Shehut, Kadri Hazbiut e Feçorr Shehut. Fevziu ofron edhe pjesë nga ditari i Enver Hoxhës, ku ai i bën një portret Kadri Hazbiut. E konsideron “shok të mirë” atë që shumë shpejt do ta quante armik.
Pjesë nga libri
Eliminimet e fundit
Enver Hoxha ishte duke ngrënë mëngjesin rreth orës 8.30, kur Ramiz Alia mbërriti në shtëpinë e tij. Ishte data 18 dhjetor
1981. Alia kishte marrë atë mëngjes një telefonatë nga Ali Cene, shefi i eskortës së Kryeministrit, i cili e njoftonte se Mehmet Shehu ishte gjetur i vdekur në dhomën e gjumit, me gjasë i vetëvrarë me një pistoletë “Makarov”. Shoqëruesi kishte shtuar se mbi komodinë ishte lënë një letër konfidenaciale që i drejtohej Enver Hoxhës. Mbi letër, me shkrimin e kryeministrit, qe shënuar porosia që ajo t’i jepet Shokut Enver në dorë. Ramiz Alia i kishte dhënë porosi që të njoftonte ministrin e Punëve të Brendshme dhe që askush të mos e prekte trupin. Në të gjitha intervistat e mëpasme njeriu që pasoi Hoxhën në krye të PPSh ka dhënë dhe jep po atë version. Sipas tij ishte vetë Hoxha që e nxiti të fliste duke i thënë:
-Do të mbarojmë shpejt mbledhjen e Byrosë. Do të dëgjojmë fjalën e Mehmetit dhe unë jam dakord me atë që propozuat edhe ju.
Ne kishim propozuar vërejtje, kaq.
-S’kemi ça mbarojmë. Ai vrau veten, i thashë.
Ai shtangu. Ishte shumë befasuese për të.
-Pse e vrau veten? Ça pati?, më tha.
Nuk e priste, sepse në mbledhje nuk pati ndonjë arsye. Të tërë shokët diskutuan. Natyrisht kritika kishte për të, por konkluzioni ishte t’i bënim një vërejtje”.
Njerëzit e shërbimit që e kanë shoqëruar atë ditë janë të gjithë të bindur se Enver Hoxha nuk u befasua, por ishte tej mase i nervozuar. Gjithë zhvillimet e mëpasshme të bëjnë të besosh që, në mos pastë qenë vrasësi i Shehut, Hoxha ishte i sigurt që Shehu do të zhdukej atë ditë. Pa shumë komente dhe mbledhje ai nisi hetimin e ngjarjes. Ministri i Mbrojtjes Kadri Hazbiu mbërriti në shtëpinë e Kryeministrit të vetëvrarë 30 minuta më vonë me porosi të drejtpërdrejtë të Enver Hoxhës. Kishte vetëm një mision: të merrte letrën që ish-Kryeministri kishte lënë për të. Kur askush nuk e dinte se ç’qëndrim do të mbahej ende, Hazbiu u tha  familjarëve:
“Gjesti i tij është i dënueshëm”.
Një vit më vonë kjo vajtje me porosi në shtëpinë e Shehut iu numërua Hazbiut, tashmë të arrestuar, si bashkërendim në grupin armiqësor për të zhdukur gjurmët. Mbledhja e Byrosë vijoi normalisht, sikur Mehmet Shehu të ishte gjallë, dhe në seancën e mbrëmjes. Pamjet e kësaj mbledhjeje u transmetuan për herë të parë në vitin 2010, ndërkohë që ato të mbledhjes së të mbrëmshmes nuk janë gjetur ende. Byroja ishte duke dëgjuar fjalën e Hoxhës, të regjistruar në magnetofon, kur ky i fundit hyri në sallë. Në të vërtetë ishte duke ngjitur shkallët kur dikush njoftoi për ardhjen e tij. Zëri u ndërpre, salla u ngrit në këmbë dhe të gjithë njëherazi nisën të brohorisnin: “Enver Hoxha! Enver Hoxha!”. E para u shfaq hija e tij, pastaj ai vetë: i zbehtë, më shumë një kufomë, me një kostum të çelur dhe një buzëqeshje të rëndë. Pyeti:
“Kush po fliste?”
Salla ishte e ngrirë. Askush nuk e dinte se cili e kish radhën pas Kryeministrit. Iu përgjigj Ramiz Alia: “Shoku Simon”.
Enver Hoxha bëri një shenjë të thjeshtë dhe filloi të flasë ngadalë. Nuk duket një fjalim i improvizuar, as një shpërthim oratorie nga ato që i ndodhnin shpesh. Ai filloi të elaboronte një tezë të tërë, sipas së cilës Mehmet Shehu kishte qenë “armik”, “agjent i rrezikshëm” dhe se vetëvrasja e tij lidhej me pamundësinë për të eliminuar atë vetë, Sekretarin e Parë të KQ të PPSh. Ku e mori vesh Hoxha në më pak se 6-7 orë që Shehu ishte armik dhe agjent? Si mund të arrihej në një përfundim të tillë pa bërë asnjë hetim? Përse Hoxha u kujtua ato momente për dokumentet që ruante prej vitit 1964 në kasafortë ku flitej për rekrutimin e Shehut nga Inteligjenc Servisi britanik gjatë Luftës? Asnjë nga këto pyetje nuk ka marrë përgjigje dhe askush nuk ka marrë mundimin madje as të merret me to. Arsyeja është krejt e thjeshtë: eliminimi i Shehut, qysh në mes të muajit shtator, kishte filluar të konsiderohej në Shqipëri si kronikë e një eliminimi të paralajmëruar. Mehmet Shehu u etiketua “tradhtar” qysh asaj mbrëmjeje, “agjent” i disa shteteve të huaja dhe historia filloi të pastrohej nga emri i tij.
Ai u cilësua “agjent” i Inteligjens Servisit britanik, i Gestapos gjermane, i ORVA-s italiane, i Shërbimeve Sekrete franceze, i UDB-së jugosllave, i KGB-së Sovjetike dhe, në fund, në pamundësi për t’ia përmendur të gjitha Hoxha e përmblodhi me një epitet: “poliagjent”.
Mesditën e datës 18 dhjetor 1981 dy oficerë të Sigurimit të Shtetit trokitën në derën e dhomës së Bexhet Pacollit, në hotel “Dajti”. Pacolli, që më vonë do të bëhej Presidenti i Kosovës, asokohe një biznesmen i ri përfaqësues i një kompanie zvicerane tekstili, ndodhej prej disa ditësh në Tiranë. Kishte një takim të rëndësishëm në “Tekno Import” atë ditë, por takimi nuk u bë kurrë. Oficerët i shpjeguan se ai duhej të linte Shqipërinë menjëherë dhe të largohej drejt Jugosllavisë. Me plaçkat e paketuara nxitimthi, ndërsa paguante dhomën, Pacolli vuri re se Hoteli i rezervuar vetëm për të huaj po zbrazej. Të gjithë të huajt që ndodheshin në territorin e Shqipërisë u dëbuan pa asnjë shpjegim deri në ora 20.00. Pacolli kishte mbërritur në Titograd, kur dëgjoi lajmin për vetëvrasjen e kryeministrit Mehmet Shehu: lajm që i referohej Televizionit Shtetëror Shqiptar. Ishte lajm i thjeshtë, me pak fjalë, ku thuhej se “si pasojë e një krize nervash” kryeministri Mehmet Shehu kishte vrarë veten. Vijonte një biografi e thatë e tij dhe vetëm kaq.
TVSh vijoi programet normalisht duke transmetuar atë që kishte parashikuar që në fillim të javës: kinokomedinë “Ushtari i mirë Shvejk” në rubrikën “Teatri në Ekran”.
Lajmi për eliminimin e Kryeministrit qe befasues, por trajtimi i tij i bindi shqiptarët që ky ishte vetëm fillimi. Në datën 19 dhjetor ministri i Mbrojtjes Kadri Hazbiu u dërgonte një urdhër gjithë strukturave ushtarake, me të cilin i instruktonte të hiqnin menjëherë gjithë fotot e Mehmet Shehut, të gjitha citatet e shkruara në libra ose në qendra stërvitjeje dhe të ndërronin literaturën që i referohej atij. Nëse Mehmet Shehu realisht vrau veten apo atë e vranë, askush nuk di ta thotë. Kjo hamendje, që interpretohet në mënyra të ndryshme dhe ka mbetur peng i shumë skemave, vështirë se do marrë një përgjigje të prerë. Thënia poetike e Jevtushenkos “Në botë s’ka vetëvrasje, ka vetëm vrasje” mbetet edhe shpjegimi më i mirë në këtë histori. Dy personat që mund të dëshmojnë se ç‘ndodhi realisht me Shehun, Nexhmije Hoxha dhe Ramiz Alia, nuk folën kurrë dhe as duket të kenë në mend të flasin ndonjëherë. I treti, Kadri Hazbiu, do të ndëshkohej vetëm një vit më pas duke e marrë të fshehtën me vete.
Ishte data 14 janar 1982 kur Enver Hoxha u ul për herë të parë në tavolinën e punës pas gati një muaji. Nuk thirri asnjë prej sekretarëve që regjistronin porositë, shënimet ose Ditarin dhe më pas ia çonin të zbardhur. Me gjasë, nuk donte që askush të  mësonte atë që ai po shkruante atë moment. Me dorën që i dridhej nisi të hedhë në një bllok me kuadrate disa shënime. Në faqen e parë shkroi:
“Disa shënime për Kadri Hazbiun (Për veten teme si kujtesë)”.
Punoi thuajse dy orë, një material prej 25 faqesh, njëfarë përsiatjeje për karrierën e Hazbiut, që mund të përmblidhet në këto paragrafë kyçe: “Kadri Hazbiu është shok i mirë, unë kam besim tek ai dhe është besnik i Partisë, këtë e ka treguar dhe e tregon në punë dhe në jetë. Është shok i dashur dhe i thjeshtë. Dëshiroj vetëm këtu për veten time të bëj këto shënime.
Mehmet Shehun ai nuk e donte, e dënon si të gjithë ne si armik që ishte. Kadriu dhe në qeveri mbante, kur e gjykonte të gabuar, qëndrim kritik kundër Mehmetit. Dhe mua shpeshherë më kish vënë në korrent se nuk i kuptonte disa gjëra si shtroheshin dhe si zgjidheshin nga Mehmeti […] Kadriu ka ardhur dhe më ka thënë se Mehmeti dhe Fiqiretja kishin hequr rojet e sigurimit në plazhin e Durrësit dhe Fiqiretja në mënyrë demonstrative i ftonte pushimtarët të kalonin në zonën e ndaluar. Kadriu e kish kundërshtuar këtë veprim dhe kish shkuar te Mehmeti. Vendimi i Byrosë nuk lejon të shkelet, i tha Kadriu. Mehmeti i qe përgjigjur “dakord, por mos e ekzagjeroni!” […] Fiqireten s’e honepste dot dhe shumë herë e shfaqte […] Kadriu me të gjithë shokët i çiltër, i dashur, kritika kur kishte i bënte hapët. Dhe është shok që i ka mendimet, i shtrin dhe i diskuton. Kur  vendosëm për arrestimin e Feçor Shehut, përpara Ramizit dhe Hekuranit ai sikur hezitoi në fillim duke thënë se mos na fut Fiqirete Shehu në qorrsokake […] Mua më tha “duhet me pa se mos Hekurani nxitohet dhe në këto situata punonjësit të sigurimit pas kësaj ngjarjeje mund t’i këtë rënë ndopak morali”. I thaçë Kadriut se Hekurani vepron drejt e me kujdes. Ai këshillohet vazhdimisht me mua dhe me ti e me Ramizë […] Dyshimet e Kadriut janë pa baza, pa prova, pa të dhëna. Pse i krijon?! […] Kadriu është e vërtetë që erdhi dhe më tha që e vriste ndërgjegjja që propozoi Feçorin si ministër të brendshëm dhe se kur ka qenë ai (Kadriu) në Ministrinë e Brendshme nuk ka qenë shumë vigjilent dhe të zbulonte armiqësinë e puçistëve dhe të tjerë […] Kurdoherë (3 herë) e kam qetësuar, e kam inkurajuar dhe i kam thënë se puna tënde në Ministrinë e Brendshme është e gjatë, e frytshme, me rezultate, por në punë dhe mund të gabojë njeriu […] I kam thënë me vendosmëri dhe bindje të plote që  ndërgjegjen ta ketë të qetë: “Partia dhe unë dhe shokët kemi besim tek ti. Vuri gjoksin punës se punët janë të mëdha dhe armiku është i tërbuar dhe na godet. Duhet të shtrëngojë radhët”. Një ditë pas këtyre Kadriu erdhi dhe donte të më jepte një autokritikë të tinë me shkrim. I thaçë: “Ti autokritike ke bërë dhe të gjithë po bëjmë çdo ditë, pra s’është nevoja”. Ai më tha: “Të lutem, të ta lexoj”. Insistoi, e dëgjova. “Mirë, – i thaçë. – Por unë nuk e gjej të domosdoshme ta mbajmë këtu në KQ”. Ndonjë gjë të veçantë autokritika nuk kish. E këshillova dhe e qetësova përsëri. Kadriu është shok i mirë dhe punon. Këto gjëra i shënova si kujtesë për veten teme”.
Nuk dihet nëse Enver Hoxha u rikujtua për shënimet e tij vetëm në vjeshtën e po atij viti, 1982, ose ai e kishte plotësuar me shënime të tjera dosjen personale për Kadri Hazbiun. Një gjë dihet: Kadri Hazbiu ishte piketuar të arrestohej që në fillim të vitit 1982 ose, me gjasë, vetëm pak kohë pas vetëvrasjes së Mehmet Shehut, në mes të muajit dhjetor të 1981-it. Kadri Hazbiu u akuzua si pjesëmarrës në grupin antiparti të Mehmet Shehut. U arrestua në shtator 1982, menjëherë pasi Xhevdet Mustafa, një emigrant shqiptar i SHBA depërtoi në territorin shqiptar nga deti. I rrethuar nga forcat e Sigurimit të Shtetit, ai qëndroi me armë për afro 8 orë në një shtëpi vetëm 80 km larg Tiranës. U deklarua se Mustafa kishte ardhur për të eliminuar Enver Hoxhën dhe Kadri Hazbiu e dinte këtë. Madje ishte ai porositësi. Por Kadri Hazbiu u akuzua edhe se natën e 17 dhjetorit 1981 kishte shkuar në shtëpinë e Mehmet Shehut përpara se ky të vriste veten. U akuzua se kishte shkuar në shtëpinë e Shehut përsëri më 18 dhjetor paradite për të fshehur gjurmët e organizatës së tyre. Hazbiu rrekej më kot të sqaronte se natën e 17 dhjetorit, që nga mbarimi i mbledhjes së Byrosë e deri në mëngjes, kishte qenë në një ditëlindje bashkë me afro 30 vetë të tjerë. Ai u orvat më kot të sqaronte se mëngjesin e 18 dhjetorit atij i kishte kërkuar personalisht Hoxha që të shkonte në shtëpinë e Shehut dhe të merrte letrën që kishte lënë ky i fundit për të. Ministri i Mbrojtjes sqaroi se ai ia kishte dorëzuar letrën në dorë vetë Enver Hoxhës. Hazbiu i hodhi poshtë edhe akuzat se ishte grup me Feçor Shehun, por u detyrua të përballet me Fiqirete Shehun, e cila e torturuar dhe e shantazhuar, siç u dëshmua më vonë, deklaroi se ajo, Mehmet Shehu, Feçor Shehu dhe Kadri Hazbiu qenë pjesë e së njëjtës organizatë antiparti. Ndër të tjera Hazbiu u akuzua deri edhe për probleme që kishin lidhje me kohën e Luftës, për raportet me jugosllavët, sovjetikët dhe deri te detaje të parëndësishme si vendosja e një mikrofoni në Ministrinë e Mbrojtjes për të regjistruar mbledhjet që bëheshin në zyrën e tij etj.
Në regjistrimet e Plenumit të KQ të PPSh, që analizoi punën dhe vendosi dënimin e tij, ka mbetur monumental një dialog me Hoxhën:
“- Kadri, mban mend kur ke ardhur për raport në vilën e Dajtit?
-Mbaj mend, shoku Enver?
-Mban mend ç’vit ishte?
-Nuk e mbaj mend mirë, ndoshta 67, ndoshta 68?
-Të thirra unë apo kërkove ti?
-Nuk mbaj mend shoku Enver!
-Mban, mban mend.
-Nuk e mbaj mend shoku Enver
-Epo ky është problemi. Se ky është thelbi yt armiqësor!”
Kadri Hazbiu u dënua me një gjyq publik. Përsëri shkaku real i dënimit të tij mbeti mister. Hamendësime të mëvonshme komentojnë faktin se, me vdekjen e Shehut, Kadri Hazbiu mbetej njeriu më autoritar në Byronë Politike dhe një pengesë e fortë për Ramiz Alinë. Ndër të tjera është përmend fakti që ai kishte kontrolluar për 30 vjet Ministrinë e Punëve të Brendshme, atë pjesë që quhej pushteti i errët. Sido që të ishte, Kadri Hazbiu do të rezultonte një pengesë për Ramiz Alinë që ky i fundit të kontrollonte krejt pushtetin në Shqipëri. Me gjasë, pikërisht për këtë arsye u eliminua ministri i Mbrojtjes Kadri Hazbiu, duke u pushkatuar më 1983 së bashku me ministrin e Punëve të Brendshme Feçor Shehu, me atë të Shëndetësisë Llambi Ziçishti dhe me funksionarin e lartë të Sigurimit të Shtetit Llambi Peçini.
As shkaku i pushkatimit të Ministrit të Shëndetësisë nuk dihet, për arsyen e thjeshtë se ky nuk kishte as ndonjë rol zotërues në politikën shqiptare, madje as që qe aktiv në të. Shpjegimet e mëpasshme sqarojnë se ai u pushkatua ngaqë kishte shprehur habi për moskryerjen e autopsisë së Shehut. Zëra të tjerë thonë që ai është shprehur se, nga këqyrja e kufomës së Kryeministrit, dukej një rast tipik vrasjeje dhe jo vetëvrasjeje. Por të dyja hamendjen këto i takojnë memuaristikës dhe një shpjegim të qartë nuk e ka dhënë askush, përfshi edhe Ramiz Alinë, pasardhësin e Hoxhës. I pyetur në një intervistë televizive për këtë ngjarje, ai është përgjigjur thjesht:
“Ashtu ishte ajo kohë, nuk u morr vesht mirë!”
Një episod dramatik i atyre dënimeve ishte paraqitja para trupit gjykues e ish-Ministrit të Punëve të Brendshme Feçor Shehu. Punonjës i policisë sekrete dhe i Ministrisë së Punëve të Brendshme prej 40 vitesh, Feçor Shehu deklaroi se ndaj tij qenë ushtruar dhunë dhe tortura të tmerrshme, se ishte shtyrë të pranonte akuzën me pahir dhe se këtë gjë e denonconte. Kryetari i Trupit Gjykues, Aranit Çela, duke ndjekur fjalët e tij lëshonte vetëm nga një pasthirrmë ironike:
“Ashtu, ë?! Ashtu, ë?! Ashtu, ë?!”
Por Feçor Shehu nuk diti të jepte përgjigje kur po ky kryetar i Trupit gjykues e pyeti: “Nuk e dije ti që ushtroheshin tortura në burg?!”
Feçor Shehu u akuzua si pjesëmarrës në të njëjtën organizatë me Kadri Hazbiun. Ai i pranoi akuzat në hetuesi, deklaroi atë që donin hetuesit, por i mohoi ato në gjyq. Akuza ndaj atij që kishte drejtuar Ministrinë e Punëve të Brendshme prej dy vitesh dhe kishte qenë njëri prej njerëzve kryesorë të saj prej 30 vitesh, përbëhej nga një gjysmë flete e daktilografuar dhe e përgatitur nga prokurori i përgjithshëm i Republikës Rapi Mino.

ALMA MILE

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura