Blendi Fevziu: Pas sharjeve ndaj Blushit, Rama duhet të ishte larguar

Mar 6, 2016 | 22:06
SHPËRNDAJE

Gazetari Blendi Fevziu në një shkrim mbi atë që ndodhi në Elbasan gjatë një takimi të Partisë Socialiste, ku mbështetës të saj sulmuan deputetin Ben Blushi. Fevziu shkruan se, “ajo që më tmerroi ndërsa shihja pamjet e Blushit që përballej me një sallë vandalësh; me një kor injorantësh apo që shtyhej nga një bandë që zyrtarisht njihen si anëtarë të PS, ishte fakti se në Shqipëri po bjerret dhe parimi i fundit i paprekur, por edhe më kryesori: Liria e fjalës. Nevoja dhe detyrimi për të dëgjuar mendimin ndryshe, mendimin e kundërt.”

Blendi Fevziu
Blendi Fevziu

Fevziu më tej shkruan se, “Blushi mund të ketë të drejtë ose gabim. Mbase ai thotë gjëra që nuk qëndrojnë. Por e drejta e tij për të folur dhe detyrimi i anëtarëve të partisë për ta dëgjuar, është një e drejtë dhe një detyrim që lind nga fondamenti i një shoqërie të lirë. Pa të s’ka më liri!”

Sipas tij “Edi Rama ose duhej të ishte larguar nga ajo sallë, ose duhej të ngrihej dhe t’i bënte thirrje të dëgjonin deputetin e tij. Sepse nëse preket edhe fjala, kësaj demokracie e i mbetet fare pak gjë. Dhe fjalën s’e ka prekur askush.”

“Por ajo që ndodhi me Blushin, më bën të besoj se jemi ende aty ku kemi qenë. Ndaj duke ju referuar asaj që ndodhi atje, po ju jap përgjigjen time për shumë pikëpyetje në këtë vend:

Doni ta dini përse Shqipëria është vendi më i varfër i Europës? Shihni kronikën e takimit të PS në Elbasan. Përgjigjen e keni aty!

Doni ta dini përse Shqipëria është e fundit në rrugën integruese në Europë? Shihni kronikën e takimit të PS në Elbasan. Përgjigjen e keni aty!

Doni të dini përse jemi vendi i fundit për nivelin e shkollimit në Europë? Shihni kronikën e takimit të PS në Elbasan. Përgjigjen e keni aty!

Doni ta dini përse jemi të fundit për respektimin e Shtetit Ligjor dhe zbatimin e ligjit? Shihni kronikën e takimit të PS në Elbasan. Përgjigjen e keni aty!

Doni ta dini përse gjykatat nuk funksionojnë? Përse spitalet janë katastrofë? Përse trafiku është kaotik? Përse trojet publike e private zaptohen dhe problemi i pronës nuk respektohet? Shihni kronikën e takimit të PS në Elbasan. Përgjigjen e keni aty!

Doni ta shiheni se si e shkuara totalitare është e gjallë mes nesh? Se sa pak ka ndryshuar në mentalitetin tonë? Shihni kronikën e takimit të PS në Elbasan. Përgjigjen e keni aty”, përfundon Fevziu.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura