Blendi Fevziu në “borxh” me tri gra, prezanton ‘Tirana e nonës’

Nov 2, 2019 | 13:51
SHPËRNDAJE

Blendi Fevziu ka shkruar libra artistikë, historikë, ka shitur shumë syresh dhe ka dhënë shumë autografe, por asnjëri prej tyre nuk i ka dhënë kënaqësi sa ai që sapo ka përfunduar e së shpejti do të dalë në qarkullim. 

fevziu
Blendi Fevziu, përpara instalacionit të Fjalorit të Gjuhës Shqipe, vendosur në Sheshin Skënderbej nga Ministria e Kulturës

Është një roman gjysmëautobiografik, një ide që flinte tek ai që fëmijë, një borxh “i larë” karshi tri grave, që i dhanë mësimet e para për jetën dhe pasionin për udhëtimet. E ka quajtur “Tirana e nonës”, duke përmbledhur në këtë titull fëmijërinë dhe një qytet të tërë. Blendi Fevziu erdhi në një rrëfim të ndjerë përballë të rinjve në New Literature Festival, organizuar nga Ministria e Kulturës, që u zhvillua përgjatë dy ditëve në hapësirat e Muzeut Historik Kombëtar, në përmbyllje të Tetorit të Librit, muajit të leximit. Ai prezantoi librin e tij të ri, që do të dalë në Panairin e 22-të të Librit, që do të mbahet nga data 13-22 nëntor në Pallatin e Kongreseve.

blendi fevziu2

Alda Bardhyli, drejtoresha e UET PRESS, prezantoi dhe një kopje-maket të librit, apo “kopje pune”, kopertina e të cilit vijon të jetë në përpunim e sipër. Por vetë teksti ka përfunduar me kohë dhe Fevziu tregoi se ky libër është saga e familjes së tij, dhënë përmes historisë së tri grave që konfiguruan tek ai për herë të parë idenë për botën. Tri gra sojllesha, prej një dere të madhe, Toptanasve, të shkolluara jashtë, që dashuronin leximin dhe udhëtimet, që i treguan se bota është më e madhe se ajo ku shtrihej fëmijëria e tij, duke i ushqyer ëndrrat.

Ato kishin parë ngritjen dhe rënien e pushteteve. Kishin përjetuar periudhat e shkëlqimit të Toptanasve, pastaj rënien e tyre, përndjekjen, shpronësimin, pastaj harrimin… “Të gjithë kemi borxhe ndaj njerëzve, që kanë ndikuar në formimin e rritjen tonë, e ndjeja se duhet t’ua ktheja. Ishte një libër që u shkrua shpejt, ndoshta se ishte brenda meje. E kam menduar që kur isha fëmijë, ndoshta 40 vjet më parë”, tha Fevziu, ndërsa iu përgjigj interesit të nxënësve të gjimnazit “Ismail Qemali”. “Tri gratë ishin Nona, teta Meti dhe Bibia. ‘Ky libër është për to, për qytetin e tyre siç e njihnin ato, dhe si u bë ai pas vdekjes së tyre. Deri më sot… Stërgjyshja ime, Nigjari, ose Nona, siç e kam thirrur gjithnjë dhe siç e thërras në këtë libër; motra e saj, Ganimeti, ose teta Meti, siç e thërrisja unë, dhe kushërira e tyre e largët, Sybija, ose Bibia, siç do të dalë në këtë libër, që u bë një nënë më shumë për time më. Ishin tri gra që shënjuan jetën time. Tri gra, nga të cilat mësova aq shumë dhe tri gra, të cilat së bashku, ilustrojnë më mirë se kushdo historinë e trazuar të Shqipërisë dhe qytetit ku jetuan, Tiranës”, thotë ai. Por historia e tri grave nuk është thjesht historia e tyre, pasi ky libër është dhe historia e një Shqipërie në ndryshim, sidomos e Tiranës.

“Është një libër për fatet e tri personave, që unë i njoha në fillimet e mia, po aq sa një libër për transformimin e Tiranës. Madje më shumë sesa një libër, është një borxh. Një prej atyre borxheve, që njeriu duhet t’i kthejë në jetë. Edhe pse jo gjithnjë ia arrin. Ato ishin tri gra të moshuara që shënjuan nisjen time në jetë. Investuan gjithçka iu kishte mbetur nga dekada të trazuara të jetës së tyre te një fëmijë. Në radhë të parë, rrëfimet e mrekullueshme për qytetin, pushtetin, fuqinë, dështimin, modestinë dhe zvetënimin. Sot mendoj se ato kishin nevojë t’ia thoshin dikujt. Ishte një lloj borxhi që e mora pa dashje përsipër, pa e ditur. Por, pa dyshim, me besimin se një ditë do ua tregoja sa më shumë njerëzve. Dhe po e bëj sot. Me këtë libër”, u shpreh ai.

Libri është shkruar i gjithi në udhëtim, nisi gjatë një udhëtimi mbi Paqësor nga San në Honolulu për të përfunduar sërish në një vend shumë larg Tiranës. I pyetur nga të rinjtë për pasionet e tij, pa dyshim që për të janë udhëtimet dhe këtë e kanë vënë re edhe ndjekësit e tij në rrjetet sociale. Por ishin pikërisht ato, që përmes një “Larousse”-i të vjetër i mësuan gjeografinë.

“Ndërsa udhëtoj nëpër botë, gjej diçka nga mësimet e tyre. Sigurisht që shumë gjëra i kisha mësuar gabim, por bëhej fjalë për një libër me të dhëna të viteve ‘20″, tha Fevziu. “Ato janë tri gra të jashtëzakonshme, që Blendi i ka marrë nga zona e kujtesës për t’u dhënë jetën e përjetshme që ta japin vetëm librat. Jam e bindur se tashmë për to ka filluar një tjetër jetë, më e gjatë, ajo me lexuesit. Ju do t’i doni këto gra, jo vetëm për finesën dhe mençurinë që ato përcjellin, por dhe për faktin që na sjellin një histori krenare të gruas shqiptare. Ky është një rrëfim edhe për emancipimin e hershëm të grave shqiptare, formimin europian të tyre”, tha Bardhyli.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura