Arrestimi në rrugë i të korruptuarve!

Dec 22, 2015 | 11:23
SHPËRNDAJE

FevziuBLENDI FEVZIU

Korrupsioni nuk duhet vetëm të ndëshkohet nga ligji. Prej 1 janarit qytetarët shqiptarë do ta arrestojnë korrupsionin në rrugë, në sheshe e kudo.”

Kjo frazë e lëshuar nga Lulzim Basha gjatë protestës së të rinjve të PD duket se hedh dritë në një farë mënyrë mbi atë se si pritet të jetë aksioni i ardhshëm politik i opozitës dhe “mosbindja civile” që ajo ka shpallur disa herë këtë muaj. Nuk kuptohet mirë se çfarë Basha ka dashur të thotë me këtë, por një njeri që e njeh historinë politike dhe e shoqëron këtë frazë me shpjegimet që Basha ka dhënë vetë, e ka më të thjeshtë të kuptojë atë që po ndërtojnë ose e kanë ndërtuar tashmë demokratët. Përpara se të lëshonte këtë frazë Basha u shpreh:

“Se me ligj dhe me frymën e ligjit, brenda institucioneve dhe jashtë institucioneve, me duar, me këmbë, me thonj e me dhëmbë do t’i bëhemi barrierë korrupsionit dhe të korruptuarve, e do të vendosim së bashku standardin e transparencës. Betimin e transparencës para shqiptarëve si parathënia e një epoke të re, të një demokracie të re ku zotër të vendit të mos jenë më një grusht politikanësh por shqiptarët të bashkuar pa dallim.”

Fjala “arrest qytetar” është një term i hershëm politik. Në SHBA ka kuptim gjysmë juridik që i jep të drejtën qytetarit të ndërhyjë e madje të ndalojë, pra arrestojë një person që ka marrë pjesë në një krim. Në një krim që ai është dëshmitar dhe që kryhet në sytë e tij. Në momente të caktuara dhe në kërcënim të demokracisë ky është zbatuar edhe si drejtësi qytetare nisur nga një perceptim i përgjithshëm. Radikalët e kanë përdorur atë edhe në një kontekst tjetër. Pak a shumë slogani që mund të përdoret është: Nëse shihni një njeri të pasur respektojeni sepse ai ka qenë i zoti të arrijë diçka në jetë. Nëse shihni një politikan të pasur turruni mbi të, poshtërojeni sepse ai ka vjedhur paratë tuaja. Paratë që ai përdor me arrogancë nuk janë të tijat, janë të tuat, të fëmijëve të tu, të gjithë shoqërisë. Janë para korrupsioni!

Në momente të caktuara dhe e instrumentalizuar, kjo filozofi mund të bëhet vrastare siç ndodhi me Gardistët e Kuq gjatë Revolucionit Kinez në vitet ’60 – ’70. Në kushtet e një demokracie të pashpresë mund të përdoret për të ndalur hovin e një klase politike arrogante, të pacipë dhe të papërgjegjshme. Një klase që kamjen e saj e mbështet mbi korrupsionin dhe e afishon atë si status social pa menduar që në thelb është një veprim i paligjshëm. Rikthimi i ligjit i takon në këtë moment qytetarëve. A ka masë në momentin që një lëvizje e tillë fillon? Vështirë ta thuash këtë dhe vështirë të parashikosh se kush mund ta kontrollojë atë që mos kthehet në katrahurë. Mekanizmi më i mirë është që veta klasa politike të ndërgjegjësohet për zullumin e saj dhe të marrë masa vetëparandaluese. Kur kjo nuk ndodh, vendi mund të përfshihet në një protestë që mund të shkallëzohet edhe më shumë. Basha ka folur shumë hapur në fjalimin e tij:

“A jemi gati rini t’i bëhemi barrikadë e pakalueshme korrupsionit në zyrat e kryeministrit, ministrave, kudo ku gjendet?

A jemi gati ta kthejmë në një ferr të vërtetë çdo minutë, çdo orë, çdo ditë të çdo të korruptuari në Republikën e Shqipërisë?”

Deklarata është konkrete dhe Basha duket se ka parasysh arrestimin qytetar, që mund të kthehet në një lloj drejtësie popullore, duke sjelle pastrim, por edhe shumë probleme në vend. A ka Basha pikërisht këtë parasysh? Pra bllokimin e zyrave të shtetit, goditjet me sende simbolike ndaj personave të akuzuar për korrupsion dhe ofendimin e tyre publik? Nuk di ta them këtë, por nuk është çudi që pikërisht kjo, të jetë strategjia e re e PD.

Opinion.al

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura