Bjellorusia shton në listën e terroristëve aktivistin e burgosur të opozitës dhe një gazetar

Jun 28, 2022 | 17:59
SHPËRNDAJE

Shërbimi i Sigurimit të Bjellorusisë (KGB) ka shtuar 23 persona në listën e saj të terroristëve, duke përfshirë bashkëshortin e burgosur të lideres së opozitës Svyatlana Tsikhanouskaya, Syarhey Tsikhanouski dhe konsulentin e Radios Evropa e Lirë, Ihar Losik.

bjellorusia

Vendimi i KGB-së më 28 qershor e çon numrin e përgjithshëm të personave në regjistrin e saj zyrtar të terroristëve në 870 persona.

Tsikhanouski dhe Losik u dënuan në dhjetor respektivisht me 18 dhe 15 vjet burg për akuzat e organizimit të trazirave masive, nxitjes së urrejtjes sociale, pengimit të aktiviteteve të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve dhe organizimit të aktiviteteve që prishnin rendin shoqëror.

Të dy i mohuan akuzat, duke i quajtur ato të motivuara politikisht.

Grupet e të drejtave të njeriut i konsiderojnë ata dhe katër persona të tjerë që u dënuan në gjyqe me dyer të mbyllura në qytetin juglindor të Homel, si të burgosur politikë.

“Ky përshkallëzim është një abuzim flagrant i autoritetit të shtetit dhe nënvizon paligjshmprinë e regjimit të Lukashenkas për gazetarët që ekspozojnë të vërtetën”, tha presidenti i Radios Evropa e Lirë Jamie Fly në një deklaratë, duke iu referuar liderit autoritar bjellorus, Alyaksandr Lukashenka.

“Ne vazhdojmë të kërkojmë lirimin e menjëhershëm të Iharit nga burgu në mënyrë që ai të mund të ribashkohet me gruan dhe vajzën e tij”, shtoi Fly.

Goditja ndaj lëvizjes pro-demokratike është intensifikuar që kur shpërthyen protestat masive pas rizgjedhjes së Lukashenkas në gusht 2020, zgjedhje të cilat nuk janë njohur nga opozita dhe Perëndimi.

Një video-bloger i njohur, Tsikhanouski synonte të kandidonte kundër Lukashenkas, por u s’kualifikua dhe u arrestua përpara votimit.

Tsikhanouskaya më pas mobilizoi votuesit dhe fitoi zgjedhjet, sipas opozitës dhe vendeve perëndimore që thonë se Lukashenka manipuloi rezultatet.

Tsikhanouskaya ka jetuar në Lituani që kur u largua nga Bjellorusia për shkak të shqetësimeve për sigurinë e saj dhe të dy fëmijëve të çiftit./ Marrë nga REL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura