Biznesmenia që kallëzoi Shullazin, reagon avokati: Inskenim i sforcuar

May 4, 2016 | 19:45
SHPËRNDAJE

Pas lajmeve se një biznesmene ka denoncuar Shullazin dhe grupin e tij se i kanë marrë pronën përmes kanosjes, ka reaguar avokati i të arrestuarve.

shullazi arrestimAi e ka cilësuar si të pavërtetë lajmin dhe si një inskenim të organit të akuzës, i cili kërkon sipas tij të mbajë me çdo kusht prapa hekurave tre klientët e tij.

“Marrja e një kallëzimi nga një shtetase që kurrë s’ka pasur ndonjë marrëdhënie për ndonjë pronë te ish-kafe “Flora” me Gilmando Danin dhe Emiljano Shullazin, dhe në asnjë proces gjyqësor për ndonjë pronë të pretenduar nga ata është një artificë e sforcuar e organit të akuzës”, deklaron avokati Alban Qafa.

“Nuk ka asnjë pronë të blerë nga Gilando Dani te zona e ish-kafe “Florës” apo te “Zogu i Zi. Nuk ka asnjë shtetas që t’i ketë shitur Gilmando Danit ndonjë vilë për 1 milion euro te ish-kafe “Flora”.

Gjithçka bëhet për të justifikuar arrestimin e tyre pa prova duke i dhënë lajme të pavërteta opinionit publik për shkak se më datë 5 bëhet gjykimi i masës së arrestit në Apel”, vijon Qafa.

Ai thotë se në këtë mënyrë, Prokuroria kërkon që të ndikojë në vendimin e gjykatës me lajme hipotetike për prona që sipas tij, as Emiljano Shullazi dhe as Gilmando Dani nuk i kanë.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura