Intervista e plotë/ Biznesmeni Sulo Shehu: Si më mashtroi për pronën 30 mijë metra katrorë Gjergj Bojaxhi

May 4, 2016 | 16:40
SHPËRNDAJE

Sulo Shehu është një ndër biznesmenët e mëdhenj jo vetëm në Vlorë, por dhe në vend. Ai është ndër të parët që investoi në tregtinë e çimentos e më pas në atë të hidrokarbureve, menjëherë pas viteve ’90. Me gjithë peripecitë që i kanë ndodhur gjatë viteve si sipërmarrës i fuqishëm, dy ditë më parë ai është tronditur kur ka dëgjuar emrin e Gjergj Bojaxhiut, ish-zëvendësministri i Ekonomisë.

“Jam i shokuar. Ai ka gisht në tokën që më mori ‘Petrolifera’ në mënyrë të padrejtë. Edhe sot jam ende në gjyq me këtë firmë, ndonëse unë kam të gjitha dokumentet e vendimet që prona është e imja”, thotë në një intervistë për gazetën biznesmeni.

Sulo Shehu tregon lidhjen mes pronës së tij prej 30 mijë metra katrorë dhe Gjergj Bojaxhiut, të cilin e implikon në këtë çështje dhe dëmet që iu shkaktuan.

Bojaxhi dhe biznesmeni Sulo Shehu
Bojaxhi dhe biznesmeni Sulo Shehu

Zoti Shehu, pse e përmendni emrin e Gjergj Bojaxhiut në pronën që e zotëron tani “Petrolifera” në Vlorë?

Në të vërtetë, ashtu si dhe unë e kam me vendim gjykate, prona ku sot po funksionon “Petrolifera” është e imja. Janë mbi 30 mijë metra katrorë që ua kam blerë pronarëve që në vitin ’98, pasi ata e përfituan me vendim të Komisionit të Kthimit e Kompensimit të Pronave. E kam pastruar vetë gjithë atë sipërfaqe, me djersë e punë se ishte tërësisht e bllokuar me inerte e gëlqere, por sot, falë Gjergj Bojaxhiut, nuk e shfrytëzoj.

Çfarë ka ndodhur?

Siç e thashë, prona ka qenë e imja dhe investova shumë aty, duke ngritur depozitat e karburanteve dhe nisa biznesin tim në fushën e hidrokarbureve. Në vitin 2002, qeveria e asaj kohe ia ka dhënë sipërfaqen kompanisë së huaj, në kuadër të nismës “Shqipëria, 1 euro|, pa verifikuar nëse ishte e zënë ajo tokë. Në vitin 2007 nisën problemet, kur u hodh në gjyq vendimi i KKKP-së dhe pronarëve të mëparshëm që unë ua kisha blerë pronën, ua hoqën të drejtën e pronësisë. Atëherë më lajmëruan dhe mua, por e ankimova dhe e kam të fituar pronën sërish, pas një lufte prej disa vitesh. Sot, çështja është ende në gjyq me “Petroliferën”.

Konkretisht, cila është lidhja e këtij problemi me Bojaxhiun?

Në gusht të vitit 2007, kur ishte zëvendësministër i Ekonomisë, Gjergj Bojaxhi më ka thirrur dhe më kërkoi që të gjitha dokumentet që kisha për pronën te depozitat e karburanteve t’ia jepja atij. Më tha se këto dokumente i duheshin shtetit për t’i vënë përballë kompanisë së huaj, pasi çështja do të kalonte në Gjykatën e Arbitrazhit. Sipas fjalës së tij në atë kohë, shteti shqiptar do t’u paguante italianëve 15 milionë euro dëmshpërblim dhe më pas toka të më kthehej sërish mua.

Çfarë dokumentesh i dhatë?

Çdo dokument që zotëroja për pronën, të gjitha origjinale: Kontratë blerje, vërtetim pronësie, vendimin e Komisionit të Kthimit dhe Kompensimit të Pronave, vendimin për shesh ndërtimi etj.

Dhe çfarë ndodhi më tej?

Patët përgjigje apo një takim tjetër me Bojaxhiun? Jo, asnjëherë. Mendova se ai po punonte në krahun tim, për një gabim që vetë shteti kishte bërë kur ia fali tokën “Petroliferës”. Por, ndërsa prisja të zgjidhej çështja dhe të vazhdoja normalisht aktivitetin, disa ditë pas takimit me Gjergj Bojaxhiun ndodhi përplasja. Rreth orës 2 të natës më mori në telefon roja i depozitave dhe më tha se disa persona, me ekskavatorë po shkatërrojnë çdo gjë. Kam shkuar aty, ishin një grup banditësh të “Petroliferës”. Rrafshuan çdo gjë që kisha vënë me mund.

Si menduat, kush mund të ishte pas saj?

Në atë kohë e mendova se dikush po fshihej pas këtij veprimi se italianët, pa mbështetje dhe në 2 të natës, nuk do të sulmonin ashtu siç bënë. Por nuk e dija se kush. Sot po kuptoj se paskan pasur mbështetjen e Gjergj Bojaxhiut, i cili sot ka vënë kapitale dhe është bërë aksioner në kompani. Unë i denoncova për veprimet shkatërruese në atë kohë, por çështja u mbyll nga prokuroria. Pala tjetër vepronte me një leje që e kishte marrë nga KRRTRSH-ja, por nuk kishte asnjë leje nga Bashkia e Vlorës.

Keni pasur kontakte më tej me Bojaxhiun?

Nuk kam pasur se nuk e kam ditur se ai vetë mund të kishte gisht në këtë punë. Këto dy ditë që kam parë lajmet në televizor e kam kuptuar se ai ka qenë pas të gjithë problemeve të mia. Unë dje e mora vesh që ai ka qenë ortak e aksioner në kompani nafte. Bojaxhiu i mori dokumentet që i kërkonte dhe i zhduku. Këtë që donte e arriti.

Sipas jush, pse i duheshin dokumentet zëvendësministrit të asaj kohe?

Arsyet besoj se kanë dalë tani, me pasuritë që i kanë bërë publike. Ai mendoj se i ka përdorur dokumentet e mia për t’i treguar palës tjetër, për t’u treguar se ishte në krahun e tyre dhe për këtë e kanë shpërblyer. Lexoj që po i verifikohet pasuria. Ku i gjeti ai miliona dollarë? Unë kam 25 vite punë si biznesmen i madh dhe nuk i kam aq para. Prandaj duhet të hetohet deri në fund kjo çështje, si lëvizën aq shumë para nëpër banka etj.

Ju vetë si do të veproni më tej? Shumë shpejt unë do të konsultohem me avokatët e mi dhe do të kërkoj hetim për rastin tim. Gjergj Bojaxhiu mori dokumentet e mia në zotërim dhe jo vetëm që nuk m’i ktheu më, por u zhduk me to dhe sot tokën time, mundin për investimin tim, po e shfrytëzon kompania “Petrolifera”. Pas konsultimit me juristët do të kërkoj nga Prokuroria që të nisë hetimet dhe verifikimet për veprimet e kryera nga Bojaxhiu, në kurrizin tim dhe të investimit që unë kam bërë me djersë.

Po në lidhje me pronësinë mbi tokën?

Unë e kam fituar sërish pronën time me dokumente. E kam hedhur në gjyq “Petroliferën” disa muaj më parë. Por, duan të manovrojnë me mënyra të ndryshme, duke e çuar çështjen në Gjykatë Administrative në kundërshtim me ligjin, sepse bëhet fjalë për privatë dhe jo shteti. Kam bërë ankesë në Gjykatën e Lartë që çështja të shqyrtohet në Gjykatën e Shkallës së Parë të Vlorës. Po pres përgjigje dhe të marr pronën time dhe ta shfrytëzoj normalisht. Gjithashtu, për dëmin që më kanë shkaktuar kam kërkuar 15 milionë euro, por gjatë gjyqit do të kërkoj që të vijnë ekspertët që të përcaktojnë dëmin. Bashkë me investimin që më shkatërruan, mund të shkojë në 50 milionë euro.

e.d

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura