Biznesmeni Sulo Shehu: Gjergj Bojaxhiu ka pritur përqindje nga prona ime

May 5, 2016 | 12:10
SHPËRNDAJE

Biznesmeni Sulo Shehu tregon fakte të reja që, sipas tij, e lidhin Gjergj Bojaxhiun me kompaninë Petrolifera. Ish-zv.ministri i Ekonomisë është aksioner i deklaruar në kompaninë “Everest Oil”, por, sipas Shehut, të gjitha ngjarjet që pasuan marrjen e pronës së tij dhe prioritetet që iu dhanë firmës italiane tregojnë për mbështetjen e madhe të dikujt pas saj.

sulo-shehuNjë ditë më parë, biznesmeni nga Vlora denoncoi se si Bojaxhiu, në kohën kur ishte në ministri, i mori dokumentet origjinale që dispononte Sulo Shehu në lidhje me pronën në zonën e Pyllit të Sodës, ku sot vepron Petrolifera.

Sipas Shehut, Bojaxhiu i ka përdorur për qëllime të caktuara dhe kurrë nuk ia ktheu ato. Për të gjitha këto veprime, biznesmeni i madh i çimentos dhe në shumë sipërmarrje të tjera, ka kërkuar takim me Prokurorin e Përgjithshëm, Adriatik Llalla, për të hetuar Bojaxhiun për rastin e tij.

fax“Më grabiti dhe nuk më ktheu dokumentet e pronës prej 30 mijë metrash katrorë që e kam blerë dhe investova aty gati 800 milionë lekë. Më lindin dyshimet e mia, pse Gjergj Bojaxhiu më thirri në takim në Tiranë dhe më kërkoi të gjitha dokumentet që kisha në lidhje me këtë pronë. Më tha që i donte për në Gjykatën e Arbitrazhit, ku shteti shqiptar do t’i jepte 15 milionë euro kompanisë italiane për t’u larguar. Sot që e mendoj, ndoshta Bojaxhiu ma ka bërë të ditur këtë fakt, për të pritur ndonjë pazar nga unë. Të gjitha mendimet më çojnë te dyshimi se ai ka pritur ndonjë përqindje prej meje. Më tha se do të më ndihmonte, ishte në anën time, edhe pse unë e kam me dokumente pronën, në emrin tim”, shprehet biznesmeni.

I pyetur nga “Panorama” se pse dyshon që pas Petroliferës fshihet Bojaxhiu, biznesmeni vlonjat rendit disa arsye. “Të gjitha faktet aty të çojnë. Unë e thashë dhe dje. Nuk do të kishte guxim një shtetas italian që të vepronte ashtu siç veproi në pronën time, pa marrë garanci nga dikush. Firma e huaj prishi të gjitha depozitat e mia dhe nisi aktivitetin në një zonë që e gjetën gati. Vepruan pa asnjë leje prishjeje objekti, pa leje nga bashkia. Kompania italiane e nisi aktivitetin dhe vetëm pas 1 viti mori lejen nga KRRT-ja. Sot e kësaj dite, nuk e ka paguar ende shumën prej 4 për qind ndaj Bashkisë së Vlorës, detyrim që është me ligj. Tani të kthehem te Bojaxhiu. Mua më lindin pyetjet: Si u bë ortak e aksioner në kompani nafte që kanë lidhje mes tyre? Ai nuk e pranon që ka lidhje me Petroliferën, por dyshimet aty të çojnë. Si i bëri paratë në kaq pak kohë? Si erdhi nga SHBA dhe mori biznesin e naftës aq lehtë? Besoj se që kur ishte në detyrë si zv.ministër i rregulloi punët dhe sot është aty ku është”, shprehet Shehu për “Panoramën”.

Biznesmeni vazhdon më tej, kur tregon se, edhe gjatë hetimeve të Prokurorisë, u cilësua fajtore Petrolifera, ndërsa sot, në lidhje me gjyqin që vazhdon për pronësinë, nxjerrin shtetin si palë, duke e kaluar çështjen në Gjykatë Administrative.

“Unë gjyqin po e vazhdoj. Pronën e kam rifituar që në vitin 2012, duke e hedhur poshtë vendimin e 2007-s që e ktheu tokën shtetërore. Tani do të merrem me Gjergj Bojaxhiun. Për të do të kërkoj hetim në lidhje me veprimet karshi meje dhe pronës sime. Do të kërkoj me çdo kusht të zbardhet kërkesa e tij për të marrë dokumentet e mia të pronës. Interesi i tij ka qenë personal, sepse veproi i vetëm, duke shfrytëzuar pozicionin. Nëse interesi do të ishte i shtetit, do të ishte ministri i asaj kohe që do të merrte dokumentet, jo zv.ministri Bojaxhiu”. e.d

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura