Biznesmeni Sulo Shehu: Bojaxhi, presion në Këshillin Bashkiak për “Petroliferën”

May 9, 2016 | 10:08
SHPËRNDAJE

Biznesmeni vlonjat, Sulo Shehu, deklaron se do t’i shkojë deri në fund çështjes ndaj Gjergj Bojaxhiut, i cili, në kohën kur ishte zv.ministër, i ka marrë dokumentet e pronësisë mbi tokën ku sot funksionon “Petrolifera”.

Bojaxhi dhe biznesmeni Sulo Shehu
Bojaxhi dhe biznesmeni Sulo Shehu

Deri në verën e vitit 2007, Shehu e ka shfrytëzuar pronën e blerë nga pronarët e tokës për të ndërtuar depozita të karburanteve, por papritur, siç tregon ai, për gjithë natën i shkatërruan investimin qindra milionësh. Për këtë pasojë mbi biznesin e tij Shehu akuzon Gjergj Bojaxhiun, për të cilin do të kërkojë sot hetim nga ana e Prokurorisë së Përgjithshme.

Me anë të një letre publike drejtuar Bojaxhiut, Shehu thotë se ka siguruar prova të tjera që Bojaxhiu ka lidhje me “Petroliferën”, të cilat do t’ia vërë organit të akuzës në dispozicion.

“Këshilltarë të Këshillit Bashkiak në vitin 2007 deklarojnë se Gjergj Bojaxhiu ka shkuar në mbledhjen e tyre, duke u kërkuar që të miratonin lejen për ndërtimin dhe funksionimin e ‘Petroliferës’. Edhe pse shumica ishte kundër, Bojaxhi, i shoqëruar nga dy politikanë të së djathtës, i ka ‘bindur’ të votonin, duke u shprehur se firma e huaj nuk do të krijonte ndotje etj. Çfarë donte zv.ministri i Ekonomisë në mbledhjen e Këshillit Bashkiak në Vlorë, pak kohë pasi më kishte marrë mua dokumentet e pronës.

letra-e-sulo-shehutSipas tij, siç më tha në takimin që zhvilluam në Tiranë, me kërkesë të vetë atij, dokumentet i kërkonte për t’u ballafaquar në Gjykatën e Arbitrazhit me kompaninë italiane për prishjen e kontratës. Si ka mundësi që ai deklaronte se do të kërkonte mbrojtje dhe do të më rikthehej prona, kur këshilltarëve bashkiakë u kërkonte miratimin me ngulm të ‘Petroliferës’? Çfarë lidhje ka ai me të?”, akuzon biznesmeni i njohur.

Sipas tij, të gjitha mbledhjet janë të protokolluara dhe mund të vërtetohet se çfarë ka ndodhur gjatë tyre. Ndërkohë, ai i bën edhe pyetje publike Bojaxhiut? “Pse nuk reagon për dokumentet që më mori mua? Për çfarë i duheshin? Pse nuk përgjigjet për këtë çështje? Unë i kam të ruajtura tabulatet telefonike, ku mund të konstatohen shumë qartë telefonatat që kam marrë prej Bojaxhiut, deri në takimin me të”.

Biznesmeni Sulo Shehu zbardh dhe detaje nga takimi që ka pasur në momentin kur iu kërkuan dokumentet.

“Në takimin tonë, në zyrën tuaj, i shoqëruar me kryetarin e Partisë Demokratike Vlorë, ju kam dorëzuar dokumentet e mëposhtme: leje ndërtimi, vendim të Komisionit të Kthimit të Pronave me emrat e pronarëve që e kishin përfituar, kontrata blerje, projekte, vërtetim pronësie të tokës dhe karburanteve dhe harta përkatëse. Ju u shprehet se këto dokumente do t’i paraqiteshin Gjykatës së Arbitrazhit, për të rrëzuar vendimin e KRRTSH-së të vitit 2002, (i cili i jepte kompanisë ‘Petrolifera’ tokën në koncesion). Ju më thatë se për prishjen e këtij vendimi të padrejtë, qeveria shqiptare do t’i paguante 15 milionë euro si penalitet kompanisë ‘La Petrolifera’, për të më kthyer mua të drejtën si pronar legjitim. Por fakti mbetet Z.Bojaxhi, që asnjë veprim nuk u ndërmor nga ju pas takimit tonë, përkundrazi heshtja juaj konfirmoi përvetësimin dhe zhdukjen e dokumenteve të pronësisë në fjalë”, akuzon Shehu.

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura