Biznesmeni me 863 mijë euro dhe patentat e Tahirit, Qato 1 orë në prokurori. Roli i tij në hetim

Nov 10, 2017 | 22:50
SHPËRNDAJE

Prokuroria e Krimeve të Rënda ka sekuestruar ditën e djeshme të gjitha bilancet financiare të firmës private që drejtohet nga biznesmeni Orest Sota dhe i ati i tij.

Nderkohe po dje Drejtori i Policisë së Elbasanit, Altin Qato, ka qenë ditën e djeshme te Prokuroria e Krimeve të Rënda në një takim me prokurorët e çështjes “Sota”, shkruan “Panorama”. 

qato-696x392

 

Burimet thonë se Qato, në takimin 1-orësh ka diskutuar me prokurorët në lidhje me hetimet e çështjes.

Lëvizja vjen rreth tri ditë pasi Prokuroria e Elbasanit shpalli moskompetencë për rastin dhe në një kohë kur ndaj Policisë së atjeshme u hodhën akuza nga opozita për fshehje të ngjarjes.

Duke qenë se hetimi shtrihet edhe në Elbasan, Qato do të ketë një rol kyç në hetimet e atjeshme. Burimet thonë se ai do të bashkëpunojë me prokurorët për hetimet e mëtejshme. Deri më tani nuk dihet as burimi i saktë i parave, por as destinacioni i tyre.

HETIM PASUROR FAMILJES SË TAHIRIT

Prokuroria e Krimeve të Rënda ka regjistruar hetimin pasuror ndaj ish-ministrit të Brendshëm Saimir Tahiri, si edhe ndaj të afërmve të tij, pas akuzave për korrupsion dhe trafik droge.

Burimet thonë për “Panoramën” se një grup tjetër prokurorësh, i ndryshëm nga ai që heton Habilajt, do të merren me hetimin pasuror të Tahirit dhe familjes së tij. Ata kanë nisur tashmë të dërgojnë shkresa për verifikim llogarish bankare dhe të pasurive të paluajtshme. Burimet konfirmojnë se në sitë të verifikimeve pasurore do të jenë edhe të afërm të ish-ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri.

Grupi i punës po bashkëpunon edhe me institucione si ILDKP-ja për pasuritë e deputetit të PS-së. Gjithashtu, do të verifikohen edhe pasuritë e bashkëshortes, familjes së saj, si edhe të personave të tjerë që kanë lidhje krushqie me Tahirin.

Prokurorët po verifikojnë edhe me autoritetet portuale në vend, nëse ka ndonjë mjet lundrues në pronësi të ish-ministrit Tahiri, apo familjarëve të tij. Kjo lëvizje është bërë pas zbulimit të patentës për mjet lundrues të Tahirit, në mjetin që drejtohej nga Orest Sota.

ERALD DELIU/PANORAMA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura