Biznesi, letër qeverisë për çmimet e pullave fiskale, ish-zv.ministrja shpjegon afatet e kontratës

Feb 6, 2021 | 10:13
SHPËRNDAJE

Biznesi i kërkon qeverisë të rishikojë çmimet e pullave fiskale, për t’i ulur ato në nivelet e vendeve të BE-së. Duket paradoksale, por një vend si Shqipëria, që nuk ka asnjë segment financiar të krahasueshëm me BE-në, pullat fiskale, një koncesion privat, i ka më të shtrenjta se sa vendet e BE-së.

irena beqiraj

11 kompani prodhuese të mallrave që i nënshtrohen regjimit të akcizës, në një letër drejtuar Kryeministrit, Kreut të Kuvendit dhe tri institucioneve financiare, thonë se çmimi i pullave fiskale në Shqipëri arrin deri në 10 herë më shtrenjtë se në vendet e Bashkimit Europian.

Kontrata e koncesionit me kompaninë “Sicpa Security Solutions” (SA) është miratuar më 24 shkurt 2011 për vendosjen e pullave fiskale në mallrat e akcizës, si birra, vera, cigaret, pijet alkoolike dhe barnat, kontratë që pritet të përfundojë këtë vit. Kompanitë shqiptare kërkojnë që pas përfundimit të kontratës të koncesionit, qeveria të tregohet e kujdesshme me procesin për vendosjen e tarifave të reja të pullave fiskale, pasi siç shprehen, shpenzimet që iu ngarkohen atyre në disa raste shkojnë përtej logjikës financiare. Importuesit ngrenë si shqetësim se kompania “Sicpa Security Solutions” (SA) këtë shërbim e ofron edhe në Turqi dhe Gjeorgji me çmime gati 5 herë më të ulëta se në Shqipëri. Sipërmarrësit pohojnë se tarifat e larta në këto 10 vite vetëm kanë shtuar kostot dhe nuk i kanë mbrojtur nga konkurrenca e pandershme. Shtimi i kostove nga çmimet e larta të pullave fiskale është ngritur si shqetësim edhe më herët nga bizneset shqiptare. Në vitin 2014 këto shqetësime u mbështetën edhe nga Autoriteti i Konkurrencës.

LETRA E PLOTË

Ju drejtohemi në cilësinë e përfaqësuesve të disa kompanive prodhuese e importuese të mallrave që i nënshtrohen regjimit të akcizës dhe që në zbatim të legjislacionit në fuqi në Republikën e Shqipërisë duhet të aplikojnë pullë fiskale.

Tashmë u bënë rreth 10 vite që nga miratimi i ligjit nr. 10 381, datë 24.2.2011 “Për miratimin e kontratës së koncesionit ndërmjet Ministrisë së Financave, si autoritet kontraktues dhe shoqërisë ‘Sicpa Security Solutions’ (SA) e ‘Sicpa Security Solutions’ Albania sh.p.k., për projektimin, financimin, dizenjimin, prodhimin dhe ngritjen e një sistemi, për emetimin, shpërndarjen, gjetjen dhe monitorimin e pullave fiskale e të pullave të kontrollit të barnave” dhe akteve të tjera të dala në bazë dhe për zbatim të tij, që kompanitë që përfaqësojmë ndjekin një procedure tepër të komplikuar për blerjen dhe vendosjen e pullave fiskale në mallrat që i nënshtrohen regjimit të akcizës, si cigare, birrë, verëra dhe pije të tjera alkoolike. Ne kemi analizuar çmimet e pullave fiskale në rajon dhe në BE dhe konstatojmë që çmimi i pullës fiskale në Shqipëri arrin deri në 10 herë më shtrenjtë se në vendet e sipërpërmendura, duke përbërë kështu një barrë e madhe parafiskale për bizneset tona.

Meqenëse vitin e ardhshëm afati i koncesionit të sipërpërmendur përfundon, Ju drejtohemi me qëllim që në procesin e vendimmarrjes për mënyrën e trajtimit të mëtejshëm të procesit të dizenjimit, prodhimit dhe menaxhimit të sistemit, për emetimin, shpërndarjen, gjetjen dhe monitorimin e pullave fiskale, të mbahen parasysh edhe kërkesat e bizneseve që përfaqësojmë, e mbi të gjitha, argumentet që po Ju parashtrojmë më poshtë:

Çmimi i pullave fiskale në Shqipëri është më i shtrenjti në BE dhe në shtetet e Europës Juglindore

Bazuar në të dhënat dhe analizat e bëra nga ekspertët tanë, na rezulton që çmimi i pullave fiskale në Shqipëri është më i shtrenjti në BE dhe në shtetet e Europës Juglindore. Kjo është barra më e madhe parafiskale, e cila nuk sjell ndonjë të mirë shtesë në fushën e sigurisë dhe monitorimit të zinxhirit furnizues mbi ato të mira që shtetet e tjera janë në gjendje të marrin nga zgjidhje të ngjashme, por me një çmim shumë herë më të lirë të pullave dhe/ose zgjidhjeve totale nëpërmjet sistemeve të gjurmimit nëpërmjet kodeve. Aktualisht, në Shqipëri kompanitë që tregtojnë produkte që kanë detyrimin për pulla fiskale paguajnë çmimet e mëposhtme për 1000 copë pulla.

Bazuar në kërkimet tona dhe vlerësimit e ekspertëve tanë fiskalë (të huaj e shqiptarë), në rajon dhe më gjerë, konfirmohet që në fakt Shqipëria aktualisht ka pullën më të shtrenjtë nga të gjitha shtetet të cilat ne i morëm në analizë, shtete të cilat kanë një peshë të madhe në shkëmbimet tregtare me Shqipërinë. Ju lutem referojuni tabelës së mëposhtme:

cmii i pullave fiskale

Roli dhe funksioni i pullës fiskale është i njëjtë në të gjitha shtetet e sipërpërmendura dhe ne besojmë fort që çmimi deri në 10 herë më i lartë nuk i sjell asnjë përfitim shtesë buxhetit të shtetit, mbi ato përfitime që merr çdo shtet tjetër i listuar më sipër. Gjithashtu ne vumë re se i njëjti ofrues i shërbimit në Shqipëri ofron këtë shërbim në Turqi dhe në Gjeorgji me çmime shumë herë më të ulëta.

Çmimi shumë i lartë i pullave nuk ka asnjë impakt në buxhetin e shtetit

Çmimi shumë i lartë i pullave nuk ka asnjë impakt në buxhetin e shtetit dhe për më tepër nuk ka arritur të adresojë problemin e vërtetë të tregtisë së paligjshme me produkte të akcizës, e cila vazhdon të jetë problematike nga prodhues apo fermerë të paregjistruar vendorë. (Mjafton një vizitë në tregje të hapura për të parë për shembull produktet e duhanit të grirë që shiten hapur me çmim 2-3 herë më lirë se sa detyrimi i akcizës për kilogramë).

E pra, kjo pullë nuk mund të shitet si zgjidhje për tregtinë e paligjshme, pasi nuk e ka fuqinë e as nuk i mbron prodhuesit dhe importuesit e ndershëm nga konkurrenca e pandershme e tregtisë së paligjshme, por gjithashtu nuk ia mundëson qeverisë një mbledhje më efektive të taksës së akcizës.

Shpenzimet që u ngarkohen bizneseve prodhuese në ndonjë rast shkojnë përtej çdo logjike financiare

Shpenzimet që u ngarkohen bizneseve prodhuese të mallrave që i nënshtrohen regjimit të akcizës, për të garantuar pagesën e detyrimeve ndaj shtetit nëpërmjet pullës fiskale, në ndonjë rast shkojnë përtej çdo logjike financiare. Në rastin e birrave për shembull, shpenzimet që kanë bizneset prodhuese vendase vetëm për blerjen e pullave fiskale (pa marrë këtu parasysh vendosjen dhe problemet e tjera të lidhura me këtë proces) janë sa 50% e detyrimit të akcizës për njësi prodhimi!

Procedura e dërgimit të pullave fiskale te prodhuesit është shumë e shtrenjtë

Një tjetër moment ku do të donim të ndaleshim është edhe procedura e dërgimit të pullave fiskale te prodhuesit e mallrave që i nënshtrohen regjimit të akcizës. Kështu, pavarësisht faktit se për pullat fiskale shoqëritë tona janë të detyruara të depozitojnë garancitë bankare përkatëse, sërish dërgimi i tyre te prodhuesit duhet të bëhet nga kompani transporti ndërkombëtare. Kjo gjë rrit me tej kostot tona, duke pasur parasysh se në mjaft raste importuesit e birrave për shembull (por jo vetëm) dërgojnë te prodhuesit transportuesit e tyre pothuajse çdo javë.

Nisur nga sa parashtruam më sipër, ne kemi bindjen që çmimet e mësipërme mund të ulen në mënyrë të ndjeshme pa e rrezikuar cilësinë e pullës fiskale. Zhvillimet e reja teknologjike dhe një numër gjithnjë e në rritje i ofruesve të këtij shërbimi garantojnë që ulja e çmimit është plotësisht e mundur dhe për këtë arsye po Ju drejtohemi me qëllim rishikimin e listës së çmimeve të pullave fiskale. Një veprim i tillë do të sillte uljen e një barre të paarsyeshme për kompanitë tona dhe do të ndikonte në përmirësimin e klimës së biznesit në vend. Ne mbetemi besimplotë që shqetësimi ynë i kahershëm do të adresohet këtë radhë me prioritet të lartë, duke normalizuar një barrë absurde parafiskale për të gjitha bizneset tona.

Përfaqësuesit e industrisë së mallrave të akcizës: PHILIP MORRIS ALBANIA SHPK

AGNA SHA

ALFA SHA

TABAÇO HOLLDING GROUP

Eurolab Internacional Grup Shpk

Kantina e Pijeve Gj. K. Skënderbeu

MARKETING & DISTRIBUTION shpk

BIRRA KORÇA

BIRRA TIRANA

BRITISH AMERICAN TOBACO-ALBANIA PRIMALL

***

Ish-zv.Ministrja e Financave, Irena Beqiraj në një postim në rrjetet sociale, shpjegoi se pasi ministria e Financave në qeverisjen Rama në vitin 2016 përcaktoi që çmimi i pullës së medikamenteve të vendosej në bazë të vlerës së ilaçit, ose sa 2.4% e vlerës, kjo e çonte koston e pullës digjitale në 10 lekë, nga 2 lekë që ishte vendosur në kohën e Kryeministrit Berisha.

Sipas ish- zv.ministres, ky çmim do të rëndonte shumë ilaçet e lira.

Me rritjen e vlerës së ilaçeve, “do të rritej në mënyrë proporcionale përfitimi i koncesionarit, i cili me të njëjtën kosto për njësi prodhonte si pullën për paracetamolin që kushton 50 lekë, ashtu edhe për një ilaç të shtrenjtë që mund të kushtojë 50,000 lekë”, sqaron Beqiraj.

Më tej, Beqiraj thekson se “pema e këtij koncesioni u mboll në kohën e qeverisjes së PD-së, u ujit edhe lulëzoi në kohën e qeverisjes së PS-së”, teksa paralajmëron “as mos ta mendojmë” se do prishen koncesionet e vendosura deri tani për pullat fiskale.

REAGIMI I PLOTË I ISH-ZV.MINISTRES IRENA BEQIRAJ

Biznesi pret një përfundim të koncesionit të pullave fiskale. Por kjo nuk do të ndodhë.

Kontrata e nënshkruar në vitin 2011 kishte përcaktuar një klauzolë, që kontrata do të hynte në fuqi në momentin që koncesionarit do t’i jepej edhe prodhimi i pullës së ilaçeve.

Ministria e Shëndetësisë e qeverisë kërkonte që pulla e ilaçeve të ofronte edhe funksionin “track and trace”. Koncesionari për këtë ndryshim në kontratë pretendonte që investimi që do të kryente ishte 9.7 milionë euro.

Për këtë arsye çmimi i pullës do të rritej nga 2 lekë copa në 10 lekë copa. Ky çmim do të rëndonte shumë ilaçet e lira, kështu që ministri i Financave në vitin 2016 vendosi që çmimi i pullës të vendosej në bazë të vlerës së ilaçit, ose sa 2.4% e vlerës. Me kalimin e këtij miratimi, kontrata “Sicpa” hynte në fuqi.

Pra, kontrata përfundon në fund të vitit 2026.

2016-ta ishte viti kur kompania mëmë “Sicpa” bleu edhe koncesionarin e markimit të karburanteve “GFI”, një koncesion tjetër i dhënë në kohën e PD-së.

Ky ishte viti, bile kjo është çështja që futi rrugëtimin tim në qeveri në fazën finale të përfundimit.

Kundërshtimi im lidhej me një fakt të thjeshtë. Cilësia e ilaçeve, kryesisht atyre kuruese, është gjithmonë në rritje për shkak të shpenzimeve të kërkim-zhvillimit. Çdo ilaç i ri kushton më shumë.

Me rritjen e vlerës së ilaçeve, do të rritej në mënyrë proporcionale përfitimi i koncesionarit, i cili me të njëjtën kosto për njësi prodhonte si pullën për paracetamolin që kushton 50 lekë, ashtu edhe për një ilaç të shtrenjtë që mund të kushtojë 50,000 lekë.

Këto përfitime “të padrejta” që do të vinin jo për shkak të investimit apo kostove operative të koncesionarit, por thjesht nga zhvillimet në tregjet e barnave, në këndvështrimin tim ekonomik, do të binin mbi publikun apo buxhetin e shtetit për ilaçet me rimbursim.

Pema e këtij koncesioni u mboll në kohën e qeverisjes së PD-së, u ujit edhe lulëzoi në kohën e qeverisjes së PS-së.

A do prishen koncesionet? As mos e mendoni! ALBERT Einstein na mëson: “Nëse përsërisni të njëjtin eksperiment dhe prisni rezultate të ndryshme, jeni thjesht të marrë ose të dëshpëruar”.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura