“Biznesi falet deri më 31 dhjetor, më pas kallëzim”

Sep 27, 2015 | 13:07
SHPËRNDAJE

Ministri i Financave, Shkëlqim Cani, i ka bërë edhe njëherë thirrje biznesit që për rastet kur duhet të korrigjojë deklaratat tatimore ta bëjë këtë brenda 31 dhjetorit, duke paguar detyrimet.

Pas kësaj date nuk do të ketë falje sa u përket gjobave dhe kallëzimit penal. Në një konferencë për shtyp të mbajtur dje ku u prekën disa nga çështjet më të rëndësishme të financave, theksi u vu tek operacioni kundër informalitetit, Eurobondi dhe koncesioni i skanimit.

foto ilustruese
foto ilustruese

OPERACIONI

“Të gjithë tatimpaguesit që kanë gjendje mallrash pa faturë, të cilët e ribëjnë deklaratën deri më 31 dhjetor 2015, u hiqet penaliteti dhe u hiqet ndjekja penale. Kuptohet që nga 1 janari kjo është tjetër histori, por kjo është për t’u ardhur në ndihmë bizneseve për të shfryrë pak atë reagim që kjo fushata i kapi pa përgatitur” tha Cani.

Sipas tij, ky operacion i lajmëruar muaj më parë nuk është për të falimentuar apo tkurrur biznesin, por për ta kthyer atë në shinat e formalizmit.

“Ne e bëjmë këtë lëshim, sepse duam t’i vijmë në ndihmë biznesit të vogël, s’duam ta godasim, as ta tkurrim, as ta falimentojmë. Ia japim këtë mundësi, por kuptohet, kundrejt pagesës së detyrimeve normale. Ndaj, mund të bëjnë deklaratën tatimore të re, duke paguar detyrimet tatimore normale”, tha ai. Ministri do të kujtonte se ndryshimet në ligjin “Për procedurat tatimore” kanë rritur ndëshkimet administrative ku, përveç të tjerave, është edhe çështja e mosdeklarimit të saktë të numrit të punonjësve apo pagës reale. Kjo shkelje dënohet me 500 mijë lekë.

SHIFRAT

Një ditë pas daljes së drejtoreshës së Tatimeve edhe ministri Cani do të jepte një panoramë të efekteve që ka pasur operacioni kundër informalitetit. Të dhënat e para, sipas tij, janë inkurajuese. “Nuk është arritur akoma të kontrollohet gjysma e bizneseve aktive të regjistruar, gjetjet me shkelje deri tani janë diku më pak se 10 për qind”, tha ai.

Sakaq, janë shtuar mbi 60 mijë punonjës në skemën e kontributeve të sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore nga vetëdeklarimi. Referuar të dhënave nga 1 gushti deri në 24 shtator janë 19 000 biznese, kurse xhiro ditore e deklaruar gjatë muajit shtator krahasuar me shtatorin e vitit 2014, është afër 14 miliardë lekë më shumë. Po kështu janë rreth 16.000 pajisje të reja fiskale që raportojnë në sistem.

SKANIMI

Koncesioni i skanimit të automjeteve dhe kontejnerëve, i cili ka filluar të zbatohet prej pak javësh, është kthyer në pikë ankesash nga biznesi. Bizneseve iu duhet të paguajnë 22 euro edhe për deklaratë që nuk skanohen. Lidhur me këtë, ministri i Financave, Shkëlqim Cani, tha se është e vërtetë që bizneset duhet të paguajnë edhe kur nuk skanohet deklarata, por kjo është një pikë që ka qenë edhe në kontratën e parë me koncesionarin.

“Ka një problem të madh, për çdo deklaratë doganore që nënkuptonte edhe në kontratën e vjetër, kështu ishte nuk e ndërruam që, pavarësisht se skanohet apo jo malli, do të paguhet 22 euro. Kështu ishte, kështu mbeti. Se janë bërë llogaritjet dhe për këtë dhe do t’i binte që të paguanin ata 120 euro aty ku skanohej dhe do të kishte devijime, kështu që nga dy skanerët që janë lëvizës do të gjykojmë që ku do ta na interesojë t’i zhvendosim tre të tjerët janë fiksë. Ka filluar Durrësi dhe më pas vijohet me Kakavijën e të tjerat. Ne do të zbatojmë ligjin”, tha Cani.

NERTILA MAHO

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura