Biznesi duhet lehtësuar, jo penalizuar

Jun 18, 2021 | 9:45
SHPËRNDAJE

arben-malaj-1

PROF. DR. ARBEN MALAJ

(Kostot e krizave janë akoma të rënda)

“Të taksosh komunitetin për t’i krijuar avantazhe një klase të caktuar, nuk është mbrojtje, por grabitje”

Benjamin Disraeli

Vetëm reformat që kanë në themele të tyre lehtësimin e kalimit nga ekonomi informale në atë formale prodhojnë rezultate pozitive dhe të qëndrueshme. Nuk luftohet informaliteti me penalitete – edhe sepse është një rrugë e dështuar disa herë.

Në kulmin e vizitave tatimore në bizneset gjatë sezonit turistik të një viti pandemie, siç ishte ai i vitit 2020, më duhet të reagoja në rrjetet sociale se në kohët moderne nuk luftohet informaliteti dhe evazioni fiskal me belçik të luftës së 20, që ruhen si relikte lufte dhe provë krenarie patriotike jo vetëm në fshatrat e Lumit të Vlorës.

Kontrollet fizike kanë eficencë të ulët dhe risqe korrupsioni të lartë, prandaj administrimi modern, i cili bazohet në analizën e riskut, i eliminon kontrollet arrogante e abuzive.

Duket se ka një optimizëm të tepruar dhe jo realist nga qeveria dhe agjencitë e saj taksambledhëse, i cili rrezikon të dëmtoi bizneset akoma të pa rimëkëmbu ra nga goditjet e viteve 2019-2020 kjo sepse: kostot posttrauma që pësuan biznesi dhe konsumatorët nuk zhduken me akt normativ të asnjë qeverie; kostot e paqartësive dhe pasigurive për pandemi dhe fatkeqësi natyrore është një risk shtesë që godet konsumin dhe investimin duke dëmtuar e penguar rritjen e të ardhurave dhe fitimeve të bizneseve; ka risqe reale për burimet e financimit të ekonomive të vendeve në zhvillim për shkak të riskut të konstatuar të zhvendosjes së kapitaleve drejt vendeve me rritje të konsoliduara apo aty ku obligacionet e borxheve publike iu sjellin më shumë fitime të qëndrueshme, risku i paralajmëruar i rritjes së kostos së borxhit të jashtëm, i cili ka trende rritëse përkeqësuese në strukturën e financimit të borxhit publik është një kërcënim serioz që nuk duhet anashkaluar apo spostuar në kohë; po paralajmërohet trendi i reduktimin dhe tërheqjen graduale së qeverive dhe bankave qendrore nga politikat lehtësuese dhe subvencionuese, kjo redukton burimet e rritjes. Po paralajmërohet edhe rritja e “mirëkuptuar” e nivelit të inflacionit në një nivel më të lartë çka mund të imponoi rritjen e kostos së parasë dhe kostove të kreditdhënies, e cila aktualisht konsiderohet pjesa e rëndësishme kontribuuese në daljen nga kriza.

Këto risqe janë paralajmërime profesionale që në ekonominë dhe financat shqiptare mund të vijnë më ngadalë, por askush nuk mund të pretendoj se asnjë valë e efekteve jopozitive të reduktimit të politikave lehtësuese monetare dhe politikave lehtësuese dhe mbështetëse financiare nuk do ta prekë vendin tonë.

Ja përse gjobat dhe penalizimet janë një mentalitet dhe sjellje arrogante që e dëmtojnë akoma më shumë dhe më gjatë ringritjen e individëve, bizneseve, ekonomisë dhe financave respektive.

Biznesi duhet t’i paguajë detyrimet, por sipas disa parimeve të mirënjohura si: (a) jo pagesa proporcionale, por kur “cash flow” e lehtëson pagimin e detyrimeve tatimore; (b) taksat të paguhen me koston më të lehtë për taksapaguesit dhe (c) tatimet të mblidhen nga taksambledhësit me kosto sa më të vogla për taksapaguesit.

Këto janë parime të arta të taksimit të qartësuara nga Adam Smith që në shekullin e 17-të, të plotësuara nga Adolf Vagener dhe Joseph Stiglitz.

Prandaj, qeveria nuk duhet të shpikë për interesa jo të sinqerta parime të tjera siç është absolutizimi i efekteve të gjobave sa më të rënda për taksapaguesit.

Mbështes çdo reformë në çdo aspekt të qeverisjes online që garanton tri parakushte jetike:

(1) nuk rrit asnjë kosto direkte dhe indirekte për përdoruesit e këtyre shërbimeve online, sidomos për tatimpaguesit, bizneset dhe individët;

(2) që rrit shpejtësinë dhe cilësinë e ndër dhe bashkëveprimit midis përfituesve fundorë – dhe agjencive publike e taksambledhëse;

(3) që nuk dëmton sadopak moralitetin e taksave – pra, që qëllimi i vërtetë është përfitimi i përdoruesve nga efektet pozitive të reformave dhe jo kompanitë e favorizuara vendase apo të huaja për fitime të garantuara dhe të larta.

Ky projekt që është shtyrë disa herë vërteton shqetësimin e taksapaguesve dhe të shoqatave të biznesit për:

(1) kostot jo të lehta direkte dhe indirekte:

(2) qeveria ka shkelur një nga detyrimet ligjore që për çdo ligj duhet të masë dhe qartësojë publikisht efektet përfituese ne buxhet dhe jo me paragrafë “copy-paste” pa asnjë shifër të monitorueshme;

(3) qeveria fshehu në Parlament se sa do të ishte në miliarda lekë përfitimi nga efektet direkte dhe indirekte të fiskalizimit;

(4) qeveria me vetëdije fsheh transparencën e këtyre shifrave që të pengojë monitorimin e “sukseseve” të reformave nga ekspertë dhe OJQ jashtë favorizimit apo nënshtrimit qeveritar;

(5) nëse të ardhurat nga fiskalizimi do të ishin aq të mëdha sa qeveria deklaron me fjalë – individët, bizneset e vogla dhe të mesme, vitet e para nuk duhet të paguajnë asnjë qindarkë dhe kur të binden se fiskalizimi ndihmon edhe menaxhimin më mirë të bizneseve të tyre, do të rritet vullnetshmëria e përdorimit të sistemeve “moderne” fiskalizuese në një treg konkurues të ofrimit të tyre me cilësi të mirë dhe kosto të ulët të pajisjeve dhe mirëmbajtjes;

(6) qeveria ka dështuar disa herë me absolutizimin e dhunës se gjobave e dënimeve për ta luftuar informalitetin dhe evazionin;

(7) dështimi vjen kryesisht nga moraliteti i ulët i pagimit të taksave. Kjo ndodh kudo kur qeveritë akuzohen nga taksapaguesit, nga raportet, indekset dhe institucionet ndërkombëtare për korrupsion dhe kapje të shtetit;

(8) qeveria ka treguar se për përfitime politike/vota dhe për përfitime abuzive dhe të nxitura nga arroganca, babëzia dhe kapja e shtetit ka bërë herë pas here falje të gjobave. Pra, ajo e keqpërdor penalizimin jo për të luftuar informalitetin, por për të rritur pushtetin e saj abuzues.

Kjo analizë mund të thellohet dhe plotësohet si me argumente dhe me rastet e dështimeve të përsëritura në administratën publike dhe fiskale.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura