Bizneseve të mëdha u shkon njoftimi për kontroll fizik inventarësh

Jan 11, 2016 | 9:31
SHPËRNDAJE

Bizneset e mëdha njoftohen se do t’u bëhet verifikimi fizik. Nuk kanë fund shkresat që organet tatimore u nisin bizneseve në kuadër të aksionit të tyre për kontrollin e inventarëve të paralajmëruar për t’u zbatuar me fillimin e këtij viti.

Shkresa
Shkresa

Pasi janë identifikuar bizneset e mëdha që do u kryhet kontrolli fizik, atyre u është nisur një shkresë ku njoftohet se do të bëhet verifikimi në vend, i cil do të konsistojë në këto pika:

  • Të tërhiqet inventari kontabël i datës 31.12.2015.
  • Të kryhet inventari fizik për mallrat apo materialet e para gjendje në çdo adresë të tatimpaguesit.
  • Të kryhet lëvizja e mallrave apo materialeve të inventarizuar për periudhën nga 01.01.2016 deri në momentin e kontrollit.
  • Të kryhet inventari fizik i arkës në momentin e kontrollit si dhe të saktësohet gjendja fizike e arkës më 31.12.2015.
  • Të evidentohen adresat e ushtrimit të aktivitetit si dhe pajisjet fiskale të instaluara në ambientet e ushtrimit të aktivitetit.
  • Të kryhet verifikimi mbi numrin e punonjësve në momentin e kontrollit dhe krahasimi i tyre me lispagesën e shoqërisë si dhe të bëhet verifikimi i pagave të deklaruara me pagat reale që i paguan subjekti punonjësve të tij.
  • Të verifikohet lista e çmimeve si dhe të tërhiqet një kopje e saj.

Tatimet i njoftojnë bizneset se kontrolli do të fillojë me paraqitjen e grupit të kontrollit deri në përfundimin e të gjitha pikave të grupit të punës.

Tatimet i kishin njoftuar bizneset që në dhjetor të vitit të kaluar, që në janar do të nisnin kontrollet e inventarëve, duke filluar nga data 5, ndërsa nuk u ndikuan nga pezullimi i zbatimit të ligjit të ndryshuar të procedurave (i vetmi ndikim është që penalitetet do të zbatohen sipas ligjit të vjetër). Teksa bizneseve të mëdha iu la më shumë kohë, deri në datën 10, kur është dhe afati i dorëzimit të librave të shit-blerjes së dhjetorit, kjo javë do të shënojë dhe fillimin e kontrolleve për subjektet e mëdha me TVSH.

Përmes këtyre kontrolleve, tatimet do të synojnë që për herë të parë do të jenë të pranishëm në verifikimin e inventarëve çka do të mundësojë që bilancet e 2016-s të fillojnë me një situatë më reale, por edhe gjatë vitit do të jetë më reale situata e blerjeve dhe shitjeve.

Monitor

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura