Bizneset: Të ulet taksa e rentës minerale

Jan 19, 2016 | 12:42
SHPËRNDAJE

Taksat e larta dhe garancitë bankare në përqindje të lartë për investime kanë sjellë që shumë miniera në vend të mbyllen dhe eksporti i mineraleve të frenojë. Shqetësimi është ngritur nga përfaqësues të biznesit mineral, në takimin e djeshëm me ministrin e Energjisë Damian Gjiknuri.

damian-gjiknuriAta kërkuan që qeveria të ulë rentën minerale dhe të shohë mënyrën e llogaritjes së saj. Përfaqësuesi i Shoqatës së Investitorëve të Huaj, Përparim Aliaj, tha se renta është problem kryesor që ka ndikuar negativisht në çmimin e shitjes.

Sipërmarrësit pretendojnë se në ligjin minerar, deri në vitin 2007 niveli i rentës ishte 2% dhe pas kësaj periudhe ajo është ndryshuar, sipas mineraleve të ndryshme, nga 4% deri në 10%. “Problemi ka ardhur deri aty sa në Shqipëri mungojnë shpimet, nuk bëhet asnjë kërkimzbulim.

Miniera të rëndësishme po mbyllen, si në bakër, edhe në krom. Ka ardhur puna të mendojmë se çfarë duhet të bëjmë. Për një vit u mbyll ‘Beralbi’, miniera më e madhe e bakrit, janë mbyllur edhe miniera të vogla të kromit, të hekur-nikelit, kjo ka sjellë që mineralet të mos eksportohen.

Renta minerare duhet të ulet dhe mënyra e llogaritjes së saj duhet të rishikohet. Duke e llogaritur në këto mënyra, nga 4 për qind që është aktualisht, mund të arrijë në 8 dhe 10 për qind. Duhet të ketë një llogaritje jo thjesht me çmime reference, por duhet të bëhen mbi bazën e çmimeve konkrete dhe shpenzimeve”.

Në paketën fiskale 2016, taksa e rentës së mineraleve jometalike u vendos të jetë fikse për njësi e jo e lidhur me çmimin e shitjes. Më parë, taksa e rentës llogaritej si përqindje ndaj çmimit të shitjes me shumicë.

Shkak i ndryshimit të saj, sipas draftit që qeveria paraqiti në komisione, ishte se janë konstatuar raste që çmimet e shitjes nëndeklaroheshin. Ndër çështje të tjera që sipërmarrësit ngritën ishte edhe ndryshimi i referencave doganore për mineralin e kromit, lagështira e mineralit, vlera e transportit dhe problemet e llogaritjes së rentës.

Përfaqësuesit e kompanive kërkuan ndërhyrje edhe për çështjen e servitutit, duke pretenduar se zbatimi i të drejtës së shfrytëzimit, bashkë me nevojën për leje territori nga pushteti vendor, janë ende larg zbatimit në kohë.

Sipërmarrësit u ndalën edhe te çështja e garancive të investimit dhe të mjedisit. Nga ana e tij, ministri Gjiknuri garantoi sipërmarrësit e minierave se në fund të muajit shkurt do të kenë gati rekomandimet për përmirësimin e situatës në tregun minerar.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura