Bizneset që pësuan humbje prej pandemisë do përfitojnë ndihmë nga Qeveria. Ja si do ndahen 60 milionë euro në Kosovë

Sep 30, 2020 | 13:33
SHPËRNDAJE

Protesta ne KosoveBizneset të cilat kanë pasur humbje si pasojë e pandemisë me COVID-19 do të ndihmohen nga Fondi për Rimëkëmbje Ekonomike i Qeverisë së Kosovës në bazë të listës së numrit të punëtorëve të regjistruar që kanë kompanitë.

Për këto biznese, nga ky Fond i cili kap vlerën e mbi 350 milionë euro, do të ndahen 60 milionë euro.

Në listën e përfituesve të kësaj shume prej 60 milionë eurove janë mbi 90 mijë biznese me mbi 200 mijë punëtorë.

Nga kjo listë e bizneseve, në bazë të vendimit të Qeverisë së Kosovës, nga një komision ndërministror, siç tregon zëvendësministri i Financave, Agim Krasniqi, do të largohen ndërmarrjet publike dhe bizneset të cilat e kanë të rregulluar tregun nga rregullatorët.

Nga shuma prej 60 milionë euro do të përfitojnë të gjitha kompanitë tjera private.

Pasi që të pastrohet kjo listë e kompanive dhe dihet saktë numri i bizneseve dhe punëtorëve të punësuar në ato kompani, atëherë bëhet një përllogaritje sa janë përfitimet në shumën e ndarë prej 60 milionë euro.

Vlera prej 60 milionë euro, siç tregon Krasniqi, pjesëtohet me numrin total të të punësuarve të regjistruar për çdo kompani.

Nëse një kompani i ka të punësuar 100 punëtorë, atëherë nëse shuma për punëtorë do të jetë 300 euro, ajo kompani do të marrë 30 mijë euro.

Ndihma nga qeveria, pa nevojë për aplikim

Bizneset pretendente për të përfituar këtë ndihmë nga Qeveria e Kosovës nuk do të kenë nevojë të aplikojnë tek institucionet përkatëse, pasi që ndarja e mjeteve do të bëhet në bazë të listës së numrit të punëtorëve që kanë pasur të regjistruar në muajin dhjetor të vitit 2019, ndërkaq për bizneset e reja merren të dhënat e muajit korrik të vitit 2020.

Mbi këtë kriter do të ndahen këto mjete si subvencion për subvencionimin e linjës së pagave për bizneset aktive.

Kriteret për të ndihmuar këto biznese janë përcaktuar pas diskutimeve që Qeveria e Kosovës i ka zhvilluar me odat ekonomike në Kosovë, të cilat përfaqësojnë bizneset në vend.

Këto mjete, më 28 shtator është thënë nga autoritetet e Kosovës, se janë në dispozicion dhe pas kësaj date për disa ditë Ministria e Financave do të procedojë me pagesa nëpër llogaritë e bizneseve./ REL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura