BiznesAlbania bën me shtëpi të re familjen e përmbytur

Mar 4, 2015 | 15:42
SHPËRNDAJE

Për 20 ditë BiznesAlbania bën me shtëpi të re banoren e komunës Novoselë në Vlorë. Ditën e djeshme, presidenti i saj, Luan Bregasi me kryeministrin Edi Rama i dorëzuan çelësat e shtëpisë kryefamiljares Theodhora Gjoni.

Deri dje, e moshuara, bashkë me 5 anëtarët e tjerë të familjes së saj jetonin në një barake, e cila u rrënua plotë- sisht si pasojë e përmbytjeve të shkurtit. Gjatë një vizite që kryeministri Rama zhvilloi në një nga zonat më të dëmtuara nga vërshimi i lumenjve, ai ka parë gjendjen e vështirë të familjes me 6 anëtarë të Theodhora Gjonit.

Në atë kohë ai i premtoi të zonjës së shtëpisë se së shpejti do të kishte një banesë të re. Më pas, me ndihmën financiare të presidentit të “BiznesAlbania”, Luan Bregasit, nisën menjëherë punimet për ndërtimin e banesës së re të familjes Gjoni, anëtarët e së cilës flinin në mes të ujit dhe baltës. Për të ndërtuar banesën janë dashur vetëm 20 ditë dhe prej ditës së djeshme familja Gjoni jeton tashmë në shtëpinë e re. Banesa përbëhet nga dy dhoma, kuzhinë, korridor, aneks dhe banjë, ndërkohë që të gjithë dhomat janë të kompletuara me pajisjet e domosdoshme.

Kreu i qeverisë ishte dje prapë i pranishëm në Novoselë, ku ritakoi kryefamiljaren e moshuar, bashkë me njerëzit e saj. “Sot çelëm derën e shtëpisë së ndërtuar për familjen e varfër në Novoselë, që përmbytjet i shembën kasollen e vjetër”, theksoi kryeministri Edi Rama, duke i treguar ndërkohë të zonjës së shtëpisë se e mbajti premtimin e dhënë. E moshuara ka falënderuar e përlotur kryeministrin, duke i thënë se, “Isha në gërmadha dhe më solle në parajsë. Nuk e mendoja kurrë që kaq shpejt do të futesha në një banesë të re. Për mua dhe familjen tonë është një rilindje. Do ju jem mirënjohëse për të gjithë jetën”, tha e moshuara Theodhora Gjoni.

Kryeministri Rama shoqërohej nga deputetët Leskaj, Toci, ministri Veliaj, prefektja e Qarkut Etjona Hoxha dhe kryetari i komunës Novoselë, Kanan Shakaj. Komuna Novoselë është një ndër më të dëmtuarat si pasojë e përmbytjeve të fillimshkurtit. Nga vërshimi i lumenjve u mbuluan nga uji qindra shtëpi e mijëra hektarë tokë. Familje të tërë u evakuuan për të mos rrezikuar jetën.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura