Bisedimet me Greqinë pa rezultat, çfarë vendosën Bushati-Kotzias

Nov 13, 2017 | 17:05
SHPËRNDAJE

Bisedimet treditore mes Shqipërisë dhe Greqisë nuk prodhuan një marrëveshje konkrete për çështjet e pazgjidhura, por fryma me të cilat ato u zhvilluan, rrisin gjasat që të ketë rezultat, shkruan “Panorama”.

Bushati - Kotzias krete

Ministrat e Punëve të Jashtme të Shqipërisë dhe Greqisë, Ditmir Bushati dhe Nikos Kotzias, në përmbyllje të bisedimeve mes tyre dhe stafeve shoqëruese në Kretë, dolën me një deklaratë të përbashkët ku u pranua se diskutimet u zhvilluan “në një atmosferë miqësore dhe konstruktive, duke u kryer një punë substanciale”.

“Të dyja palët pranuan rëndësinë e dialogut në zgjidhjen e çështjeve të pazgjidhura dhe ranë dakord për hapat e mëtejshëm që duhen ndërmarrë për të arritur rezultate pozitive, duke u mbështetur në vlerat dhe normat europiane, në të mirë të dy vendeve dhe popujve të tyre”, thuhet në deklaratën e përbashkët.

Për herë të parë pas shumë kohësh, shefat e diplomacisë së dy vendeve u ulën për të diskutuar të gjitha temat që shqetësojnë dhe vijojnë të mbajnë pezull marrëdhëniet mes Shqipërisë e Greqisë. Një nga çështjet më delikate është edhe marrëveshja e detit, e cila, pas miratimit të përbashkët të qeverisë shqiptare dhe asaj greke, u rrëzua nga Gjykata Kushtetuese.

TAKIMI

Gjatë diskutimeve treditore që u zhvilluan në ishullin e Kretës, palët iu rikthyen diskutimeve për marrëveshjen e detit të firmosur në vitin 2009. Burimet bëjnë me dije se kreu i diplomacisë greke ka shprehur angazhimin e qeverisë së tij për një formulim të ri të marrëveshjes së detit, pas vendimit të marrë nga Gjykata Kushtetuese në Shqipëri për rrëzimin e saj.

Referimi që duket se do të kënaqë të dyja palët në këtë rast, duket se do të jetë e drejta ndërkombëtare, mbi të cilën do të diskutohet së shpejti në Tiranë. Sa i takon çështjes çame, pala greke mësohet të ketë kërkuar që të ketë një diskutim të mëvonshëm, pasi dëshiron që palët të mos kenë ngarkesa negative në të dyja shtetet.

Sa u takon teksteve shkollore, pala greke ka kërkuar që të hiqen përkufizimet mbi Çamërinë, ndërsa pala shqiptare kërkon të hiqen referimet negative. Në këtë takim, ministri Bushati i ka kërkuar homologut grek heqjen e ligjit të luftës, ndërkohë që Kotzias ka kërkuar zgjidhjen e çështjes së varrezave të ushtarëve grekë.

DISKUTIMET

Sipas deklaratës zyrtare të dy ministrive, “bisedimet përbënë një hap i rëndësishëm përpara dhe përpjekjet për të gjetur zgjidhje të qëndrueshme për problemet ekzistuese dhe ato që vijojnë prej një kohe të gjatë”.

Për këtë arsye, dy shefat e diplomacisë kanë rënë dakord të takohen sërish në Shqipëri në vijim, në mënyrë që të vlerësojnë progresin e arritur dhe të vendosin për hapat e mëtejshëm konkretë përpara.

Për të treguar se takimi i zhvilluar në Kretë ishte tepër miqësor, ministri i Punëve të Jashtme në Greqi, Nikos Kotzias, ka shoqëruar me avionin e tij ministrin e Jashtëm, Ditmir Buashati, në Tiranë, ku edhe kanë drekuar në Aeroportin e Rinasit.

JUXHIN MUSTAFARAJ/PANORAMA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura