Biseda pa media e De Biazit me kuqezinjtë: Mos u merrni me Serbinë

Oct 6, 2015 | 15:19
SHPËRNDAJE

Kombëtarja shqiptare e futbollit ka nisur përgatitjet për dy sfidat e mbetura të Grupit I, të vlefshme për eliminatoret e kampionatit europian “Francë 2016”. Tekniku De Biazi kishte të gatshëm në seancën e parë stërvitore, e cila u zhvillua pasditen e djeshme, thuajse të gjithë grupin, përjashto dy lojtarët e Skënderbeut që ishin në aktivitet e sipër dhe mbrojtësin Mërgim Mavraj.

de biazi

Ky i fundit pritet t’i bashkohet skuadrës vetëm një ditë përpara përballjes kryesore të këtyre eliminatoreve, atë me Serbinë, e cila do të zhvillohet ditën e enjte, në stadiumin “Elbasan Arena”. Shehi dhe Salihi, të cilët e mbyllën javën e gjashtë të kampionatit me një fitore bindëse ndaj Laçit, do të dalin me skuadrën për t’u ushtruar vetëm në dy seancat stërvitore të ditës së sotme.

Atmosfera Përtej rëndësisë së madhe të dy përballjeve të radhës, në kampin kuqezi mbizotëron një atmosferë optimiste dhe të gjithë janë të përkushtuar maksimalisht te detyrat e tyre, që nga stafi teknik, deri te lojtarët e grumbulluar për këto dy ndeshje të fundit eliminatore të Grupit I.

Trajneri Xhani De Biazi i druhet faktit se ndeshja do të marrë ngjyra nacionaliste dhe gjatë seancës stërvitore theksonte me qëllim fjalën “kundërshtar” dhe jo “Serbi”. Këta ua kërkoi edhe lojtarëve. Tekniku italian, përpara se skuadra të niste nga përgatitjet, ka folur thuajse me pjesën dërrmuese të lojtarëve.

Italiani u ka kërkuar lojtarëve të jenë të freskët e vigjilentë në të gjitha drejtimet dhe pa dyshim të përmbajtur, pasi i trembet euforisë së tepruar.

“Duhet të jemi të qetë, të freskët, vigjilentë dhe shumë të matur në veprimet tona. Nuk kemi pse të merremi me KUNDËRSHTARIN, duhet të bëjmë detyrën tonë mirë në fushë. KUNDËRSHTARIN duhet ta befasojmë në të gjitha drejtimet. I kemi të gjitha mundësitë për të mos iu trembur KUNDËRSHTARIT. Vazhdojmë punën për sot. Jam i qartë? Dua ta cilësoni vetëm KUNDËRSHTAR tani e tutje”, kanë qenë disa nga fjalët e teknikut De Biazi përgjatë seancës së parë stërvitore drejtuar ekipit. Grupi i kuqezinjve, me në krye kapitenin Lorik Cana, nisi punën me intensitet të lartë dhe besim në vete. Atmosfera në kampin kuqezi duket shumë optimiste dhe përtej “pompimit” nga faktorë të ndryshëm të kësaj përballjeje me Serbinë, skuadra shqiptare dukej mjaft e përmbajtur, duke bërë të dukej si sfida e radhës ajo me serbët.

Stafi
Stafi teknik dhe lojtarët janë koshientë se nuk i çon kurrkund e kaluara historike, por edhe sportive e dy shteteve (referuar ndeshjes së vajtjes në Beograd). Përgjatë seancës së parë stërvitore, tekniku De Biazi kërkoi saktësi në të gjitha veprimet e lojtarëve. Përveç skemave që kishte përgatitur për seancën e parë stërvitore, italiani zhvilloi edhe një minindeshje kontrolli, për të konstatuar nga afër formën e kuqezinjve që ka thirrur për këto dy përballje të fundit të këtyre eliminatoreve.
LEONIDHA MUSAJ

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura