Biseda e ekonomistit president i UET, Civici me ministrin Ahmetaj: Sistemi i taksave ka rritur ekonominë dhe ka ulur varfërinë

Jun 23, 2018 | 15:05
SHPËRNDAJE

Cila është gjendja e ekonomisë shqiptare? Kjo mbetet një pyetje e gjerë dhe e shumëdiskutuar në media. Megjithatë, profesor Ardian Civici, një nga ekonomistët më të mirë në vend dhe president i Universitetit Europian të Tiranës ka zhvilluar një bisedë të gjatë dhe të dhe thellë me ministrin e Financave dhe të Ekonomisë, Arben Ahmetaj. Ky bashkëbisedim prek temat më të rëndësishme në vend, që nga rritja ekonomike e deri te paketa e te fiskale. Ndiqni më poshtë bisedën mes tyre.

15068919_1499821656701332_6087162254796284103_o

Si do ta vlerësonit treguesin dhe ecurinë e rritjes ekonomike në Shqipëri në 5 vitet e fundit nga këndvështrimi i qëndrueshmërisë dhe objektivit Tuaj për një nivel mbi 5%?

Rritja e ekonomisë shqiptare po vazhdon për të katërtin vit radhazi, edhe për vitin 2017, me një rritje të Prodhimit të Brendshëm Bruto prej 3.84 %. Rritja vlerësohet të jetë në nivelin 4-4.2% në vitin 2018, ndërkohë që parashikohet të kalojë këtë vlerë në periudhën afatmesme 2019-2021, e përputhur dhe me objektivin e qeverisë.

Rritja ekonomike mbështetet nga rritja e konsumit, e bazuar në rritjen e besimit të konsumatorëve. Besoj që ju e ndiqni edhe Indeksin e besimit të biznesit dhe konsumatorëve, i cili është në nivelet më të larta në 10 vite. Rritja e investimeve dhe e eksporteve, në veçanti, eksportet e shërbimeve, ku përfshihet dhe turizmi, kanë një kontribut të rëndësishëm. Para disa ditësh, duke analizuar shifrat e Indekseve të turizmit, qoftë në volume, qoftë në paga, qoftë në numra vizitorësh, konstatohet se rritja e tyre është dyshifrore.

Koha kur kishte rritje ekonomike, por e pa shoqëruar me punësim ka mbaruar. Besoj që në referencë statistikore, përtej debatit politik që natyrshëm bën politika, diku me emocion, diku e bazuar te statistika, do të duhet t’i referohemi krijimit të vendeve të reja të punës në katër vitet e fundit. Besoj është shumë e thjeshtë t’i referohemi statistikës, që në 1 janar të 2013-ës kanë qenë 431 mijë vende pune, ndërsa në prill të vitit 2018 nga borderoja e Tatimeve janë gati 667 mijë, pra rreth 236 mijë vende të reja pune. Debati a janë vende të reja apo janë vende të reja dhe të formalizuara besoj që humbet vlerën kur shkojmë te qytetari. Për sistemin, ai është një vend i ri pune dhe janë gati 35% e vendeve të punës që janë krijuar në katër vitet e fundit.

A mund të thuhet në mënyrë bindëse larg sloganeve politike e elektorale se rritja ekonomike në Shqipëri është cilësore dhe e garantuar nga faktorë të qëndrueshëm?

Besoj ju e mbani mend kur ne prezantuam qasjen për një model të ri zhvillimi ekonomik në vend. Është bërë debat i fortë politik se çfarë është modeli i ri ekonomik dhe çfarë rezultatesh priten prej tij, përfshirë këtu dhe politikat që duhej të ndërmerrte qeveria në këtë kuadër. Sipas këndvështrimit tonë, modeli i ri ekonomik, është i fokusuar te rimodelimi i kontributit të sektorëve të ndryshëm të ekonomisë në PBB, te politikat dhe strategjitë që e sigurojnë këtë rimodelim. Ky model nuk bazohet thjesht te një ekonomi merkantiliste, por te rritja e vendeve të punës, nëpërmjet rritjes së prodhimit në degë e sektorë me vlerë të shtuar të ekonomisë.

Po ta shikoni, dhe gradualiteti ka rëndësinë e vet. Sot logjika është e fokusuar te prodhimi dhe tek eksporti. Besoj që shumëkush nga ju, natyrshëm i referohet statistikave. Eksportet e majit 2018 janë gati 24% më të larta se muaji maj i vitit të kaluar dhe për 5-mujorin, është dyshifrore rritja e eksporteve, është 12.4%.

Nga ana tjetër ne përgjatë pesë viteve në qeverisje kemi avancuar një sërë reformash të rëndësishme që garantuan fondamentet e ekonomisë. U bë ndërhyrja në sistemin financiar duke ndryshuar kuadrin legjislativ në funksion të përforcimit të sigurisë dhe qëndrueshmërisë së sektorit. Është ndryshuar rrënjësisht kuadri ligjor dhe operacional i menaxhimit të financave publike, duke filluar me ligjin e harmonizimit financiar dhe kontrollit, Ligjin Organik të Buxhetit brenda të cilit është vendosur Rregulli Fiskal si një instrument që garanton paprekshmërinë e financave publike nga çdo qeveri, ligji për financat vendore, po rishikojmë standardet e raportimit financiar etj. Dhe tashmë rezultatet janë të prekshme. Në vitin 2017 për herë të parë në një vit elektoral parlamentar, u shënua për të dytin vit radhazi, balancë primare pozitive.

Po kështu, ndërhyrja në dy nga faktorët më vulnerabël për një rritje të qëndrueshme, siç ishin skema e pensioneve dhe sektori energjetik, rivendosi ato që janë fondamentet e ekonomisë në trajektoren e rritjes ekonomike, që tashmë është e konsoliduar, e qëndrueshme dhe mbi të gjitha, ka filluar të prodhojë në mënyrë të qëndrueshme punësim.

IHD (Investimet e Huaja Direkte) janë jetike për stabilitetin ekonomik dhe qëndrueshmërinë financiare, ndërkohë që FMN dhe Banka Botërore kanë shprehur shqetësimin se për vitet në vazhdim Shqipëria ka nevojë urgjente për rritjen dhe diversifikimin e IHD në mënyrë që të mbajë ritmin e rritjes ekonomike. Si po i përgjigjet qeveria dhe MF kësaj kërkese?

Ecuria pozitive e investimeve të huaja direkte si dhe atyre vendase, reflekton trendin e ekonomisë shqiptare në 4-5 vitet e fundit. Statistikat e bilancit të pagesave tregojnë se në tremujorin e parë të vitit 2018, flukset hyrëse të investimeve të huaja direkte në Shqipëri, shënuan shifrën 284 milionë euro, një rritje e konsiderueshme vjetore prej 62 % ose në nivelin më të lartë të 8 viteve të fundit (referuar të njëjtës periudhë). Viti 2017 u mbyll me investime të huaja në nivelin 907 milionë euro. Nëse i referohemi ecurisë dhe krahasueshmërisë së tremujorit të parë të këtij viti me tremujorin e parë të vitit 2017, atëherë besojmë që ky vit do të jetë sërish një rekord, me gati 1 miliard dollarë investime të huaja.

Shumë shpesh kemi debate mes nesh, edhe kur u referohemi praktikave më të mira ndërkombëtare apo praktikave të vendeve fqinje, në rajon, për sa u përket investimeve. E mbani mend besoj, kur u krijua para disa vitesh një legjendë urbane, ku madje edhe shumë investitorë i referoheshin Maqedonisë si vendi që tërhiqte më shumë investime dhe kur filluam t’i krahasonim me shifra apo me sektorë, Shqipëria ishte 3 herë më shumë. Sigurisht që debati është në funksion të rritjes së investimeve, por është mirë të kuptojmë së fundi edhe vendin e Shqipërisë, interesin që kanë investitorët për Shqipërinë dhe pozicionin në tregun rajonal që ofron Shqipëria.

Shqipëria, ka avantazhe të lidhura me pozicionin gjeografike, daljen në det, pasuritë natyrore, minerare dhe hidrike, popullsinë në moshë të re, koston e ulët akoma të fuqisë punëtore. Kemi dhe një avantazh shumë të madh në aspektin e politikave. Ndryshe nga sa ndodh shpesh në vende që politikën e nxitjes së investimeve e bazojnë vetëm në aspektin fiskal, ne kemi zgjedhur një kombinim, në këndvështrimin tim shumë të duhur, midis incentivave fiskale, rritjes së produktivitetit të sektorëve dhe përmirësimit të shërbimeve publike. Kemi interes të shprehur drejtpërsëdrejti në një sërë sektorësh që për ne janë strategjikë: turizmi, ICT, energji, bujqësi, infrastrukturë, manifakturë, edhe falë incentivave që kemi avancuar në këta sektorë.

A mund të themi se paketën e duhur ligjore e institucionale që stimulon, favorizon apo garanton thithjen e IHD serioze dhe me impakt të gjerë në rritjen ekonomike dhe punësimin?

Shqipëria ka adaptuar prej kohësh një legjislacion liberal, veçanërisht sa u takon investimeve të huaja në vend, i mbështetur në parimin e mosdiskriminimit ndërmjet investitorëve vendas dhe të huaj. Ndryshe nga disa vende të rajonit, të cilat nuk e kanë një ligj të veçantë për investimet, siç është Kroacia dhe Maqedonia, Shqipëria ka institucionalizuar dhe një sërë mekanizmash mbrojtës për investitorët. Ligji për investimet strategjike parashikon statusin e veçantë, ku kontratat miratohen potencialisht në Parlament, në bazë të kërkesës së investitorëve. Arbitrazhi është sot një format kryesor i zgjidhjes së mosmarrëveshjeve. Koncepti i avokatit të biznesit në Shqipëri është rregulluar me Avokatin e Tatimpaguesve për çështjet e lidhura me Tatimet, ndërsa themelimi i Gjykatës Administrative i jep zgjidhje çështjeve të kësaj natyre. Së fundmi, me formatimin e ri të kabinetit qeveritar ka një Ministër Shteti për Sipërmarrjen që mbron interesat dhe nxit dialogun mes palëve. Këshilli i Investimeve në të njëjtën kohë, ka funksionuar si avokat i sipërmarrjes, i investitorëve duke kapur çështje themelore që shqetësojnë sipërmarrjen.

Kuadri ligjor për shoqëritë tregtare, si rregull, nuk parashikon barriera për themelimin e shoqërive tregtare me kapital 100 % të huaj. Ligjet më të rëndësishme që adresojnë çështje që lidhen me investimet janë ligji për investimet e huaja, për investimet strategjike, për zonat e lira. E rëndësishme për ne është që në çdo zhvillim të kornizës ligjore të garantojmë qartësi, transparencë dhe parashikueshmëri për çdo investitor që dëshiron të investojë në Shqipëri. Dhe në këtë fushë, parimi kryesor i zhvillimit të legjislacionit, është të identifikojmë së bashku të gjitha elementet e kornizës aktuale dhe të bëjmë ndryshimet përkatëse nëse duhet, për të përmirësuar funksionimin e tyre dhe jo vetëm, por edhe të vendosim për elemente të reja të kuadrit ligjor, që iu paraprijnë qëllimeve ambicioze të qeverisë sonë për rritjen ekonomike, diversifikimin, rritjen e konkurrueshmërisë së ekonomisë, dhe rrjedhimisht mundësive për investime të rëndësishme e punësim.

Treguesit e punësimit duket se po shkojnë drejt përmirësimit ndërkohë që papunësia vazhdon të ulet. Cilave politika dhe strategjie zhvillimi të ndërmarrë nga qeveria duhet t’ia dedikojmë këto shifra pozitive zvogëlimi të papunësisë?

Punësimi është një prioritet kryesor për ne dhe është pasqyra ku reflektohen në finale të gjithë politikat tona të zhvillimit ekonomik, konsolidimit fiskal, përmirësimit të klimës së biznesit apo afrimit të investimeve. Siç e theksova, në pesë vitet e fundit janë shtuar gati 35% e totalit të vendeve të punës që ka sot në ekonominë shqiptare, të reja dhe të formalizuara. Statistikat më të fundit vijojnë të jenë shumë inkurajuese për tregun e punës. Në tremujorin e parë 2018, punësimi pati një rritje serioze me 5% krahasuar me një vit më parë, ndërsa papunësia ka zbritur në nivelin më të ulët historik, në 12.5%. Sikurse e vlerëson edhe Banka Botërore, jemi ndër vendet e para në rajon ku punësimi i forcës së aftë për punë, është mbi 50%, jemi në nivelin 58.2%.

A mjafton? Sigurisht që nuk mjafton. Debati është i përditshëm, 12.5%, 13.5%, 11.5%, por duhet ta konceptojmë shumë qartë që përtej atij 12.5%, ka qytetarë që sot kanë një punë dhe në finale, përtej qëllimit të konsolidimit të shifrave, objektivi kryesor është rritja e mirëqenies nëpërmjet rritjes ekonomike, rritjes së punësimit.

Ulja e papunësisë te të rinjtë. Shumë është bërë dhe shumë kemi për të bërë, megjithëse praktikisht papunësia te të rinjtë në Shqipëri është më e ulëta në rajon. Asnjëri nga ne nuk mund të krenohet me këtë sepse vazhdon të jetë akoma shumë e lartë, është larg asaj që ne kemi pritshmëri brenda këtij mandati dhe dua të ndaj me ju objektivin e qeverisë për papunësinë, për ta zbritur në nivelin një shifror.

Tregu i punës në Shqipëri duket akoma i pastabilizuar dhe i pa institucionalizuar dhe kërkesë-oferta për punësim shfaq një seri problemesh. A ka masa specifika dhe politika konkrete për ta bërë sa më funksional tregun e punës në Shqipëri?

Sfidën te punësimi e kemi te rritja e produktivitetit të forcës së punës. Forca e punës në Shqipëri ka akoma produktivitet të ulët. Kjo na bën që ne të mburremi vetëm me koston e ulët të fuqisë punëtore. Nuk mund të jetë më normale. Do të duhet të kalojmë në nivel tjetër sepse kalimi në nivel tjetër shoqërohet pastaj me rritje ekonomike, me rritje pagash, me rritje fuqie blerëse, me rritje konsumi, me rritje dije, të kalojmë tek ekonomia e dijes që realisht akoma jemi shumë larg.

T’ju sjell një shembull interesant se çfarë po ndodh sot në terrenin ekonomik? Lëvizja e kursit të këmbimit, pra mbivlerësimi i lekut, ka bërë që marzhet e fitimit të disa kompanive që e kanë bazuar fitimin te kosto e lirë e punës, të ngushtohen. Pra do të thotë, që për herë të parë në shumë e shumë vite, kompanitë shqiptare po thirren të provojnë veten për të rritur produktivitetin, në mënyrë që të qëndrojnë konkurruese, që do të thotë duhet t’i kthejnë sytë nga kapitali human dhe standardet e shkollimit dhe kualifikimit të tij.

Në vazhdën e punës që bën Ministria e Financave dhe Ekonomisë jo thjesht në strategjinë që po bëjmë për rritjen e punësimit, por brenda kësaj, po bëjmë një përpjekje pak më specifike me Universitetin e Harvardit dhe jemi fokusuar te kapacitetet e sektorëve, pra ku mund sjellin punësim dhe çfarë do të duhet të bëjmë ne që ky punësim të materializohet. Dhe, më besoni që, nëse ne fokusohemi te potenciali që ka turizmi, pra sektori i shërbimeve, që ka dhe ICT, do të kemi shumë shpejt ato qendrat e vogla por të mirëfillta të ekselencës, që të funksionojnë për rritjen e produktivitetit në ekonomi, në mënyrë që kërkesa dhe oferta të fillojnë e të arrijnë pikën e “matching”.

Edukimi profesional përbën një sfidat më të mëdha të Ministrisë që ju drejtoni, ndërkohë që rezultatet konkrete duken akoma larg pritshmërive dhe objektivave qeverisëse. Çfarë nismash e politikash konkrete po ndërmerren në këtë drejtim?

Kjo është një çështje që po diskutohet shumë, qoftë brenda qeverisë, qoftë në rrethet akademike, qoftë në donatorë apo në terrenin ekonomik të ndërmarrjeve. Në lidhje me formimin profesional kemi një sfidë shumë të madhe sepse nuk ka kompani në Republikën e Shqipërisë që nuk thotë: “Po, unë kam vende të lira pune, por realisht e kam të vështirë të gjej punonjës të cilët përputhen me aftësitë e domosdoshme të atyre vende të punës që ne kemi nevojë për të plotësuar”.

Po fokusohem te tri elemente shumë të rëndësishme. E para dhe mbi të gjitha është ICT; e dyta është manifaktura, dhe e treta është ajo që ne tani kemi filluar t’i referohemi si shërbimet e biznesit apo shërbimet në tërësi, të fokusuara te turizmi, sepse kanë mundësinë që të sjellin një shumëngjyrshmëri me vlerë shumë më të lartë në ekonomi.

Ka shumë kompani që kanë kaluar në nivelin e lartë të zinxhirit të vlerës, që prodhojnë për eksport. Elementi i parë kritik ose elementi i parë që shumica e investitorëve ndajnë me ne, është se akoma nuk gjejnë në tregun e punës ato aftësi që përputhen me sfidën e tyre ekonomike dhe me konkurrueshmërinë që ato kompani do të duhet të gjejnë në tregun shqiptar për të prodhuar për eksport.

Dy shembuj të thjeshtë mund t’i sjell. Kompania gjermane Forchner, e cila ka vendosur të investojë potencialisht në Shqipëri me një fabrikë të prodhimit të pjesëve automotive, që nga telat e sofistikuar e deri te pajisje të tjera. Sfida është gjetja e fuqisë punëtore të kualifikuar dhe ka vendosur që potencialisht, nëse në finale do të investojë në Shqipëri, përtej fabrikës do të bëjë dhe një akademi teknike.

Shembulli tjetër është Lufthansa IT Solution. Mendoni pak që sot sistemi akademik shqiptar nxjerr 600-700 studentë që janë IT apo të lidhur me IT, inxhinierë telekomunikacioni apo inxhinierë që lidhen me këta sektorë. Lufthansa erdhi me një ekip për të bërë potencialisht një partnership për të prodhuar për kërkesën globale në industrinë e software-ve, duke punësuar inxhinierë dhe specialistë të kualifikuar.

Pra, kjo është sfida. Gara e Shqipërisë është të tërheqë këto kompani. Unë mendoj që ne akoma, megjithëse kemi bërë shumë, nuk e kemi fleksibël mënyrën se si e mbështesim arsimin profesional dhe formimin profesional. Do të duhet të jetë shumë më fleksibël. P.sh., çfarë mund të bëjë brenda kuadrit legal qeveria me kërkesat që ka Lufthansa, së bashku me kompaninë tjetër gjermane, për investim në kapitalin human në formimin profesional? Ne e kemi akoma qasjen pak të përgjithshme, nuk e kemi akoma sa duhet individuale. Do të duhet ta kemi shumë më individuale, sepse në këtë fazë zhvillimi jemi.

Sensibiliteti publik për rritje të vazhdueshme taksash e tatimesh është i lartë, sidomos për bizneset e vogla dhe të mesme. Politika e taksave që po zbatohet synon thjesht rritjen e të ardhurave buxhetore apo shihet dhe si instrument i politikave ekonomike për stimulimin e investimeve, rritjen e punësimit dhe të ardhurave të qytetarëve?

Në katër vitet e para të mandatit tonë të parë dhe në vijim, në mandatin e dytë, politika jonë fiskale ka qenë dukshëm e orientuar nga qytetari dhe sipërmarrja. Shkurtimisht dua t’ju risjell në vëmendje disa lëvizje të rëndësishme të bëra që në fillim të mandatit, siç ishte vendosja e taksës progresive; heqja e asaj që i referohemi “taksa e sëmundjes”, apo TVSH e ilaçeve; heqja e taksës së biznesit të vogël; përjashtimi nga TVSH e makinerive dhe pajisjeve; zgjerimi i listës së barnave të rimbursueshme; futja e mbi 600 mijë të pasiguruarve në skemën e rimbursimit të ilaçeve etj.

Taksa progresive çliroi punësimin. Mos harroni që nëpërmjet taksës progresive, me një lëvizje fiskale, u kthyen mbrapsht në xhepat e qytetarëve 100-120 milionë dollarë në vit. Pra, është gati paga e 13-të që i është kthyer mbrapsht një mësuesi, apo infermieri dhe të gjitha këto, kanë çliruar konsum dhe patjetër që në xhiron e punësimit, konsumi është një prerogativë shumë i rëndësishëm.

E njëjta gjë për sipërmarrjen. Ne sapo kaluam në Qeveri ndryshimet në paketën fiskale. Mundësuam rritjen e pragut nga 8 në 14 milionë për bizneset që tatim fitimin e kanë 5 %, pra duke e lehtësuar tre herë për një numër të madh sipërmarrjesh tatimin e fitimit. Sot 91% e sipërmarrjeve në Shqipëri e kanë tatim-fitimin e ulur, 0 ose 5%. Kaluam lehtësitë në sektorin e agroturizmit, me uljen e tatim fitimit nga 15% në 5%, TVSH 6% dhe përjashtim nga taksa e ndikimit në infrastrukturë për ndërtimet e reja me qëllim agroturizëm. Duam të tërheqim investime në fushën e turizmit. Duam ta fusim Shqipërinë në hartën e turizmit cilësor ku shpenzimet e atyre që vizitojnë Shqipërinë të jenë në nivele të larta, që vlera e shtuar që mbetet në Shqipëri të jetë gjithmonë dhe më e madhe. Dhe, në të njëjtën kohë, avancuam lehtësi fiskale për sa i përket Shoqërive të Bashkëpunimit Bujqësor, si ulja e tatim-fitimit nga 15% në 5% dhe rimbursim TVSH në masën 20%. Po kështu edhe sektori energjetik, me qëllim nxitjen dhe lehtësimin e investimeve në fushën e energjisë diellore, do të përfitojë përjashtim nga TVSH për një gamë të gjerë të linjave teknologjike, makineri dhe pajisje. Mbi të gjitha, e rëndësishme është që politikat tona fiskale kanë mbështetur rritjen ekonomike dhe uljen e varfërisë në vend.

Shqipëria renditet në vendet me rritjen më të vogël të pagave në rajon. E njëjta gjë mund të thuhet dhe për nivelin e pensioneve dhe ndihmën sociale. Keni një shpjegim për këtë situatë dhe politikave e masave që duhet të merren për ndryshimin e saj?

Besoj që, duke parë edhe zhvillimet e fundit ekonomike, Indekset në disa sektorë tregojnë rritje të fondit të pagave, të pagës mesatare, të volumeve dhe të numrit të punësimit.  Po duke iu referuar Vlerësimit të Bankës Botërore, pagat në Shqipëri janë rritur në 2017 në nivelin më të lartë në 10 vite, ndërsa politikat fiskale kanë ndihmuar në uljen e pabarazisë.

Para disa ditësh ne prezantuam projekt-buxhetin 2019-2021, ku patjetër paketa e solidaritetit e qeverisë gjen reflektim të rëndësishëm. Ndihma ekonomike mbetet në të njëjtat nivele si më parë, rreth 4.9 miliardë lekë në vit, por përmirësohet ndjeshëm targetimi i familjeve në nevojë falë skemës së pikëzimit të mbështetur nga Banka Botërore. Besoj e mbani mend debatin që kemi bërë për vendimin e qeverisë ku buxheti i shtetit do të financojë arsimin profesional, pra kurse profesionale, për ato familje që marrin ndihmë ekonomike ose që kanë dalë nga ndihma ekonomike. Për çdo anëtar të një familjeje që përfiton ndihmë ekonomike, që kërkon të futet në tregun e punës duke u rritur profesionalisht, buxheti do t’i paguajë për një muaj, dy muaj apo periudhën e kursit dhe formimit profesional 55 mijë lekë të vjetra.

Sa i takon pensioneve, ne sapo kemi kaluar në qeveri vendimin për indeksimin, me një fond 15 milionë dollarë. Ndërkohë që me paketën e solidaritetit, pensionistët në fundvit përfitojnë një bonus. Edhe për pagesat e Personave me Aftësi ndryshe, krijohet një sistem shërbimesh integruese, të cilat kombinojnë pagesat me shërbimet e përkujdesit social. Ajo që dua të theksoj, është se ne po ndërmarrim masa që në partneritet me biznesin, të mundësojmë më në fund, pas mbi 20 vjetësh, respektimin e kuotave të punësimit për personat me aftësi të veçanta.

Kohët e fundit ka një shtim të kontakteve dhe konsultimeve me biznesin dhe shoqërinë civile për paketën e re fiskale dhe projekt-buxhetin e vitit të ardhshëm. Sa të efektshme i gjykoni këto konsultime dhe deri në çfarë mase mendoni se kërkesat e biznesit do plotësohen?

Ne kemi një traditë të mirë dhe të konsoliduar të konsultimit publik me aktorët dhe faktorët për procese të ndryshëm dhe të rëndësishëm brenda Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë. Dua t’ju sjell shembullin e hartimit të paketës së thjeshtimit të procedurave doganore dhe tatimore në vitin 2016, eksperiencë e suksesshme që u materializua në një ligj të duhur në gjykimin tim. Konsultimet me pushtetin lokal, shoqërinë civile etj., për metodologjinë e re të llogaritjes së taksës së pronës. Para disa ditësh kishim konsultimin publik për Programin Buxhetor afatmesëm 2019-2021. Së fundmi kemi nisur konsultimet për ndryshimet që kaluam së fundmi në paketën fiskale, por edhe po mirëpresim propozimet për paketën fiskale që do të shoqërojë Projekt-Buxhetin 2019.

Përtej kësaj, ju e keni ndjekur, e gjithë qeveria është angazhuar në diskutimet publike me qytetarët, në kuadër të procesit të llogaridhënies, dhe më besoni, dialogu me qytetarët e ka ndihmuar qeverinë të reflektojë me shumë vëmendje e modesti për kërkesat, opinionet, ankesat e vërteta dhe legjitime të qytetarëve, në mënyrë që çdo ligj, vendim apo procedurë që hartohet në zyrat e shtetit, të ketë në thelb përgjegjshmërinë ndaj qytetarëve që preken prej tyre.

Mapo.al

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura