Binjakëzimi me BE, Sejko: Në dobi të sistemit tonë! Ambasadorët vlerësuan punën e BSH

Jan 19, 2021 | 10:04
SHPËRNDAJE

Pas një viti jo pak të vështirë për shkak të pandemisë, projekti i binjakëzimit apo i përafrimit të legjislacionit me vendet e Bashkimit Europian, i zbatuar nga Banka e Shqipërisë, është përmbyllur me sukses.

sejko me ambasadoret

“Në pjesën e parë të vitit 2020, të gjithë ne u përballëm me shpërthimin dhe përhapjen e shpejtë globale të pandemisë COVID-19. Brenda një kohe të shkurtër, bota ndryshoi rrënjësisht shumë aspekte të normalitetit, të cilat kurrë më parë nuk ishin imagjinuar. Për shkak të situatës së jashtëzakonshme të krijuar, projekti u ndërpre përkohësisht. Megjithatë, duke parë se pandemia do të zgjaste, ashtu si e gjithë bota, ne u përshtatëm me mënyrën e re, atë të punuarit në distancë. Ky realitetet i ri shpejt rezultoi po aq efektiv sa mënyra ‘tradicionale e të punuarit’. Kështu, ia dolëm të përfundonim projektin me sukses dhe në kohë”, vuri në dukje Guvernatori Sejko gjatë fjalës së mbajtur në ceremoninë virtuale të zhvilluar dje.

PROJEKTI

Projekti u zbatua nga Banka e Shqipërisë, Banka e Italisë dhe Banka e Gjermanisë, si dhe disa komponentë të caktuar, që u zbatuan nga Banka e Francës dhe Banka Kombëtare e Rumanisë dhe kishte si qëllim parësor përmirësimin e praktikave të punës të Bankës së Shqipërisë dhe njëjësimin e tyre me praktikat e Sistemit Europian të Bankave Qendrore, duke synuar të sjellë ekspertizën e BE-së dhe përvojën e dy prej vendeve themeluese të BE-së në dobi të sistemit bankar shqiptar, për të ndihmuar kështu në integrimin ekonomik të vendit me BEnë. Në vijim, Guvernatori prezantoi një panoramë të Projektit të Binjakëzimit, ku theksoi se ai përfshiu 8 departamente të Bankës së Shqipërisë, duke adresuar çështje të rëndësishme të bankingut qendror, të përmbledhura në 5 komponentë si: mbikëqyrja bankare dhe stabiliteti financiar; politika monetare dhe statistika; kontrolli i brendshëm; sistemet e pagesave; si dhe funksione të tjera, si burimet njerëzore dhe integrimi europian. Guvernatori Sejko shtoi se ndërmarrja e projekteve të tilla nënvizon qartazi angazhimin reciprok të BEsë dhe të Shqipërisë në drejtim të thellimit të proceseve integruese me objektiv kryesor përafrimin e kuadrit ligjor, rregullator dhe operacional të Bankës së Shqipërisë, me atë të Sistemit Europian të Bankave Qendrore. “Jam i sigurt se bashkëpunimi ynë do të vazhdojë në të ardhmen dhe mbështetja e udhëheqja europiane do të na shoqërojë në çdo hap që hedhim drejt integrimit në familjen e përbashkët europiane”, shtoi më tej Guvernatori.

AMBASADORËT

Ambasadori i BEsë, Soreca, ambasadori i Italisë, Buçi, dhe ambasadori i Gjermanisë, Zingraf, vlerësuan punën e bërë nga Banka e Shqipërisë në drejtim të ruajtjes dhe garantimit të sistemit financiar në vend, sidomos në këto kohë të vështira të krijuara nga pandemia e Covid-19. Ata theksuan se nëpërmjet instrumenteve të politikës monetare, Banka e Shqipërisë ka luajtur një rol thelbësor duke ofruar në vazhdimësi stimujt e nevojshëm ekonomikë. Gjithashtu, falë masave të marra nga Banka e Shqipërisë janë krijuar premisat për një rimëkëmbje sa më të shpejtë të ekonomisë në periudhën vijuese. Ndër të tjera, ata shtuan se Banka e Shqipërisë është një institucion që ka luajtur një rol të spikatur nëpërmjet kontributit të vazhdueshëm të dhënë në rrugën e integrimit europian të vendit.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura