Bilanci i vetingut, KPK përmbys raportet për pasurinë dhe figurën e magjistratëve

Jan 11, 2020 | 10:48
SHPËRNDAJE

BLEONA METUSHI/ Komisioni i Pavarur i Kualifikimit ka bërë bilancin e 2 viteve proces rivlerësimi, gjatë të cilave ka dhënë 221 vendime për prokurorë dhe gjyqtarë.

veting

Teksa konfirmimet janë vendimet më të shumta në numër, largimet nga sistemi janë më të shumta për shkak të dorëheqjeve. KPK bëri të ditur se ka konfirmuar 94 prokurorë, gjyqtarë dhe ndihmës ligjorë, ndërsa janë shkarkuar 83. Është ndërprerë hetimi administrativ për 19 magjistratë, të cilat kanë dhënë dorëheqjen nga detyra, duke u përjashtuar kështu edhe 15 vite nga sistemi.

Në proces hetimi, Komisioni i Pavarur i Kualifikimit ka një sërë magjistratësh, ndërsa nga parashikimet dhe mandati i KPK ecuria është vlerësuar nga organet monitoruese si e ngadaltë.

“Nga muaji shkurt i vitit 2018 deri në muajin dhjetor të vitit 2019, Komisioni ka marrë 221 vendime: 94 vendime për konfirmim në detyrë për subjektet e rivlerësimit; 83 vendime për shkarkim nga detyra për subjektet e rivlerësimit dhe 19 vendime për ndërprerje të procesit sipas nenit G, të Aneksit të Kushtetutës, pas dorëheqjes së subjektit të rivlerësimit. Është pushuar procesi i rivlerësimit për 8 subjekte, në bazë të nenit 56, të ligjit nr. 84/ 2016 (dorëheqje nga detyra brenda 3 muajve nga hyrja në fuqi e ligjit nr. 84/2016). Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, bazuar në nenin 95 të Kodit të Procedurave Administrative, në ligjin nr. 96/2016 dhe në ligjin nr. 84/2016, ka përfunduar procesin e rivlerësimit pa një vendim përfundimtar për 16 subjekte rivlerësimi (15 prej të cilëve iu kishte mbaruar statusi i magjistratit për shkak të mbushjes së moshës për pension). Komisioni ka marrë vendim për pezullimin nga detyra për një periudhë 1-vjeçare për 1 subjekt rivlerësimi”, njofton zyrtarisht KPK.1

Kriteret dhe unanimiteti Në bilancin e bërë nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit rezultonte se janë dhënë 207 vendim unanime dhe 14 të tjerë më shumicë vote. Ndërkohë që pjesa më e madhe e vendimeve janë marrë në bazë të të tria kritereve të rivlerësimit. “Komisioni i Pavarur i Kualifikimit ka dhënë 207 vendime me unanimitet, ku të gjithë anëtarët e trupit gjykues kanë votuar në mënyrë të njëjtë dhe 14 vendime me shumicë votash. Komisioni i Pavarur i Kualifikimit ka dhënë 25 vendime bazuar në një kriter, 13 vendime bazuar në dy kritere dhe 141 bazuar në të tre kriteret e rivlerësimit”, shkruhet në bilancin e KPK-së.

Organet ndihmëse

Në raportin e KPK thuhet se organet ndihmëse të Komisionit në këtë proces janë Inspektorati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive dhe Konfliktit të Interesave (ILDKPKI) për vlerësimin e pasurisë dhe Drejtoria e Sigurimit të Informacionit të Klasifikuar (DSIK) për vlerësimin e figurës. Por, vendimmarrja e Komisionit nuk është e kushtëzuar nga përfundimet e rezultateve të këtyre raporteve, thuhet në raport. “Kushtetuta i njeh KPK-së të drejtën e një hetimi të pavarur”, shkruhet në raport.

Kështu, sipas raporteve të ILDKPKI-së për 178 subjekte rivlerësimi, pra, prokurorë, gjyqtarë e ndihmës ligjorë, kanë rezultuar pa probleme me pasurinë 119 dhe me probleme 59 prej tyre. Ndërkohë që hetimi i kryer nga Komisioni ka dhënë rezultate të tjera: kanë rezultuar 80 subjekte pa probleme me pasurinë dhe 98 subjekte me probleme. Nga raportet e DSIK-së për 152 subjekte rivlerësimi, kanë rezultuar të papërshtatshëm për vijimin e detyrës 32 subjekte rivlerësimi, ndërkohë që nga hetimi i Komisionit rezultuan me probleme 21 prej tyre.

VENDIMET

94 vendime për konfirmimin në detyrë të 39 gjyqtarëve, 46 prokurorëve dhe 9 ndihmësve ligjorë/kandidatë për magjistratë;

83 vendime për shkarkimin nga detyra të 50 gjyqtarëve, 31 prokurorëve dhe 2 ndihmësve ligjorë/kandidatë për magjistratë;

19 vendime për ndërprerjen e procesit të 13 gjyqtarëve, 5 prokurorëve dhe 1 ish-ndihmës ligjor;

8 vendime për pushimin e procesit të 3 gjyqtarëve, 1 prokurori dhe 4 ndihmësve ligjorë;

16 vendime për përfundimin e procesit pa një vendim përfundimtar, për kryeinspektorin e Këshillit të Lartë të Drejtësisë, 10 gjyqtarëve dhe 5 prokurorëve;

1 vendim për pezullim nga detyra për një periudhë 1-vjeçare.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura