Bilanci i merkatos / Tirana e Skënderbeu bënë ‘bingo’, rekord i ri për Superioren

Sep 1, 2017 | 20:34
SHPËRNDAJE

Superiorja ka ndryshuar shumë në pesë vitet e fundit. Jo vetëm që është rritur ndjeshëm interesi, por investimet tashmë kapin shifra të mëdha dhe të paimagjinueshme deri 10 vite më parë. Klubet po mundohen të ndërtojnë një sistem modern të funksionimit duke marrë si model ekipet europiane. Merkato e verës që u mbyll do të kujtohet gjatë pasi u thye rekordi i shumës që përfituan klubet shqiptare nga shitja e lojtarëve.

Latifi Pushkas

Latifi

Skënderbeu është tashmë klubi më efiçent në Shqipëri ku përveç arritjeve sportive ku ka siguruar sërish pjesëmarrjen për herë të dytë në grupet e Ligës së Europës, shitjet e bujshme të lojtarëve po bëhen të zakonshme. Pas Bernard Berishës dhe Peter Olainkës një vit e gjysëm më parë, korçarët regjistruan një tjetër rekord këtë verë duke shitur Liridon Latifin te Pushkash Akademi në Hungari për 1 milionë euro. Shitja më e madhe nga Superiorja për këtë verë.

Tirana

Bardheblutë morën një goditje të fortë sportive në majin e kaluar kur për herë të parë në historinë e klubit, do të duhet të luajnë në Kategorinë e Parë. Por, Tirana bëri “bingo” përsa i përket financave.

Merveill

Bardheblutë shitën fillimisht Merveil te Getafe për 400 mijë euro dhe më pas Akua te Lask Linz për 250 mijë euro. Në total, Tirana arkëtoi 650 mijë euro nga shitja e dy afrikanëve të talentuar që shkëlqyen në kampionatin e kaluar.

Partizani

Gjithashtu, edhe Partizani bëri një transferim të rëndësishëm gjatë merkatos që lamë pas. Të kuqtë shitën Ylber Ramadanin te Velje në Danimarkë, operacion nga i cili përfituan 200 mijë euro. Një transferim i rëndësishëm për Partizanin që ka bërë ndryshime rrënjësore për sezonin e ri.

Rekordi

Në janar të 2016-ës, Skënderbeu shiti Peter Olainkën te Gent për 1.1 milionë euro dhe më pas Bernard Berishën te Anzhi për 600 mijë euro. Ky ishte rekordi i përfitimit të klubeve shqiptare nga shitja e lojtarëve. Por, gjithçka u thye këtë verë ku në total u arkëtuan 1 milionë e 850 mijë euro nga shitja e futbollistëve jashtë Shqipërisë. Skënderbeu përfitoi 1 milionë euro nga Latifi, Tirana 650 mijë euro nga shitja e Merveil dhe Akua. Ndërsa, Partizani arkëtoi 200 mijë euro nga transferimi i Ylber Ramadanit te Velje në Danimarkë.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura