Bilanci i Marotës, “ujku i vjetër” që sposton… ekuilibrat

Dec 31, 2021 | 16:29
SHPËRNDAJE

Kur Bonuçi bëri transferimin e tij të bujshëm te Milani u shpreh se do spostonte ekuilibrat. Por, në fakt, në Serinë A është dikush tjetër që duket se ka spostuar ekuilibrat dhe nuk bëhet fjalë për dikë që zbret në fushën e lojës, por për dikë që bën zgjedhjet e duhura në zyra.

marota

Bepe Marota, aktualisht administratori i deleguar i Interit, e mban këtë post prej tri vitesh, kur atë dhjetor të 2018-ës, pas shtatë vitesh në të njëjtin rol te Juventusi, bëri edhe ai transferimin e tij të shumëpërfolur. Kur u largua, bardhezinjtë dominonin Italinë prej vitesh, ndërkohë që për tri vite peshorja anoi në anën zikaltër.

Një spostim ekuilibrash që normalisht nuk erdhi vetëm si pasojë e Marotës, por le të themi se drejtuesi ishte guri i parë i themelit dhe ndoshta faktori më i rëndësishëm i fortesave të ndërtuara nga klubet.

MERKATO – Merkatoja është një nga pikat e tij më të forta, një terren në të cilin ia del gjithmonë me sukses për të përforcuar klubet e tij duke ditur të shfrytëzojë edhe hapësirat më minimale. E bënte kur ishte te Juventusi, jo vetëm që forconte skuadrën e tij, por dobësonte direkt kundërshtarin duke u rrëmbyer shpesh xhevahirët e tyre.

Viktima kanë rënë Roma e Napoli, me Higuainin, Pjaniçin e Benatianë që u veshën bardhezi. Në një tjetër përballje me Interin, arriti të digjte konkurrencën e zikaltërve për Paulo Dibalën, atë që sot është lideri juventin dhe për të cilin Auzilio, drejtori sportiv i atëhershëm dhe i tanishëm zikaltër kishte bërë propozimin e vet.

Të njëjtën gjë bën edhe tani tek Interi, ku beteja e parë e fituar mbante emrin e Romelu Lukakut, vendimtar në dy sezonet e tij me zikaltrit. Tashmë ka një tjetër betejë për të fituar dhe këtë herë përballë ka “dashurinë e vjetër”, Juven, përsëri për një sulmues, Xhanluka Skamakën.

Duelet në merkato mes Interit dhe Juves nuk kanë lindur me Marotën, por ai është në qendër të tyre prej më shumë se 10 vitesh. Që kur Tohir, presidenti i kaluar i Interit, u tërhoq nga shkëmbimi Guarin-Vuçiniç që i kishte premtuar Marotës kur drejtonte Juven, italiani e ktheu në personale me zikaltrit deri në momentin kur telefonata e presidentit aktual Zhang shkriu akullin.

SOT – Pas largimit në tetor 2018 nga torinezët, mjaftuan vetëm dy muaj që ujku i vjetër t’i rikthehej gjuetisë, këtë herë duke udhëhequr zikaltrit, me qëllimin për të përmbysur ciklin e Juves që deri më atë kohë konsiderohej i tij.

Sot Marota mund të thotë me plot gojën se ia ka dalë. Me betejat në merkato, me zgjedhjet e duhura në stol dhe mbi të gjitha pa shpenzuar shumë, Bepe Marota në krye është garanci për çdo klub.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura