Bilanc lufte në Lezhë, në një javë 9 aksidente/ Shënohen 8 viktima brenda pak ditësh, policia “lumë” gjobash

May 20, 2022 | 13:52
SHPËRNDAJE

Dy persona u plagosen rëndë, pasi automjeti me të cilin udhëtonin doli nga rruga dhe u përmbys në një kanal në rrugën e vjetër Laç-Mamurras. Aksidenti ndodhi rreth orës 16:00 të së mërkurës, pranë fshatit Gjorm të Kurbinit.

-800-0-627fbff3206a3

Të plagosurit, shoferi dhe pasagjeri u dërguan me urgjence drejt Spitalit të Traumës në Tiranë dhe sipas të dhënave, ndodhen në gjendje të rëndë për jetën. Policia, e cila mbërriti menjëherë në vendin e ngjarjes, nisi hetimet për zbardhjen e shkaqeve të këtij aksidenti, i cili është i nënti që ndodh në harkun kohor të 1 jave në rrugët e Qarkut të Lezhës.

Bilanci i këtyre aksidenteve gjatë kësaj periudhe është 2 viktima dhe 18 të plagosur. Midis viktimave ishte një efektiv i Burgut të Shënkollit, i cili u përplas me një shtyllë teksa udhëtonte me motor, ndërsa një 65-vjeçar humbi jetën në Rrugën e Kombit pasi mjeti që udhëtonte doli nga rruga. Brenda dy ditësh, tetë viktima u regjistruan nga aksidentet në vendin tonë, ndërsa shumica e viktimave janë në moshë të re.

MASAT E POLICISË RRUGORE

Sipas të dhënave zyrtare të Policisë, gjatë këtyre ditëve janë ushtruar kontrolle në drejtim të evidentimit të shkeljeve të rregullave të qarkullimit rrugor që janë burim aksidenti, me qëllim disiplinimin e përdoruesve të rrugës, për të bërë të mundur parandalimin e ngjarjeve rrugore, janë proceduar administrativisht 1163 drejtues mjetesh, për shkelje të ndryshme të Kodit Rrugor.

Kontrollet janë dedikuar kryesisht në shkeljet e Kodit Rrugor që janë evidentuar si shkaqet më të shpeshta të aksidenteve. Numri më i lartë i shoferëve të gjobitur ka të bëjë me parakalimet e gabuara. Për këtë shkelje janë ndëshkuar me masa administrative 275 drejtues mjetesh; shpejtësia tej normave të lejuara – për këtë shkelje janë ndëshkuar 25 drejtues mjetesh; drejtim i mjeteve nën efektin e alkoolit – për këtë shkelje janë ndëshkuar 23 drejtues mjetesh; mosdhënie përparësie këmbësorëve në vijat e bardha – për këtë shkelje janë ndëshkuar 26 drejtues mjetesh.

Janë arrestuar në flagrancë 6 drejtues mjetesh dhe janë proceduar në gjendje të lirë 7 drejtues të tjerë, për veprat penale “Shkelja e rregullave të qarkullimit rrugor” dhe “Drejtimi i automjeteve në mënyrë të parregullt”.

Janë vendosur 776 masa të tjera administrative, për shkelje të tjera të rregullave të qarkullimit rrugor, si përdorimi i telefonit gjatë drejtimit të mjeteve, mosvendosja e rripit të sigurisë, drejtimi i motomjeteve pa kaskë mbrojtëse etj. Gjithashtu, janë ushtruar kontrolle edhe për mjetet me xhama të zinj, të cilët janë të errësuar më shumë se norma e lejuar për depërtimin e dritës, e përcaktuar në kushtet e certifikatës së errësimit të xhamave. Për këtë shkelje janë ndëshkuar me masë administrative 38 drejtues mjetesh. Po në vijim të kontrolleve, janë shoqëruar në ambientet e Policisë 2 mjete të blinduara, për verifikimin e të dhënave të tyre.

Ndërkohë, gjatë 16 orëve të fundit, janë zhvilluar kontrolle dhe monitorime intensive të qarkullimit rrugor në akset rrugore Lezhë-Shëngjin, Lezhë-Shkodër dhe Lezhë – FushëKrujë, duke përdorur makinën inteligjente, radarët automatikë, kamerat, dronët dhe aparatet fotografike, si dhe patrulla të Policisë Rrugore në lëvizje me mjete të pauniformuara.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura