Bilal Xhaferri, Enverit: Më lini të botoj, ose vras veten

Nov 30, 2015 | 13:12
SHPËRNDAJE

Ai kishte menduar se përplasja me një titan do të mund t’i shtonte ca “pikë” biografisë së tij me njollë, por Bilal Xhaferri nuk e çonte nëpër mend se kjo do ta dëmtonte edhe më. Në një mbledhje të Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve, në vitin 1968, ai do të kritikonte romanin e Ismail Kadaresë “Dasma”. Ai do ta akuzonte shkrimtarin për shfaqje dekadente. Kaq do të mjaftonte që Kadareja të vihej në shënjestër, por, në të vërtetë, ndodhi e kundërta.

Bilal Xhaferri
Bilal Xhaferri

Tashmë i përjashtuar nga botimet dhe i papunë, Bilal Xhaferri i çon një letër Enver Hoxhës ku i sqaron pozicionin e tij, i tregon biografinë, bindjen e tij karshi partisë, mendimin për veprën e Kadaresë, por edhe aktin ekstrem që mund të kryente nëse nuk do t’i lejohej të botonte. Letra është botuar në librin e Dashnor Kaloçit, “Kadare i denoncuar”, botimet “UET Press”.

LETRA

I dashur shoku Enver

Unë që po ju drejtohem me këtë letër jam një punëtor. Ju shkruaj për një çështje që është çështje jete për mua, bile akoma më shumë, se i kalon kufijtë e jetës sime personale dhe tani vetëm ju jeni njeriu që do ta zgjidhni përfundimisht e me drejtësi. T’ju tregoj me dy fjalë biografinë time.

Babai im ka qenë në radhët e Ballit dhe është pushkatuar në fillim të vitit 1945. Megjithatë, pavarësisht nga rasti i tim eti, familja jonë, duke filluar që nga Hoxha Tasimi, ka qenë një familje patriote. Unë jam rritur jetim. Kam hyrë në punë që kur isha fëmijë dhe sot kam 17 vjet që jetoj e punoj në gjirin e klasës punëtore, si punëtor i thjeshtë në prodhim. Nuk kam mundur që të marr arsim dhe të kryej studime, por duke punuar në mënyrë autodidakte, jam përpjekur të grumbulloj pak njohuri dhe të stërvit dorën në letërsi artistike.

Si rezultat i përpjekjeve të mia, vitin e kaluar u vu në qarkullim një vëllim i imi me tregime dhe u botua edhe një vëllim me poezi, gjithashtu Shtëpia Botonjëse “Naim Frashëri”, pregatiti për të futur në shtyp një roman, të cilin e shkrova me rastin e 500-vjetorit të Skënderbeut. Shkurtimisht kjo është biografia ime. Dhe tani që të mos ta zgjas dhe të mos ju shkurtoj minutat tuaja të shtrenjta, po vij te çështja për të cilën vendosa t’ju shkruaj.

Në pranverën që shkoi, u organizua në Tiranë një diskutim letrar rreth romanit “Dasma” të shkrimtarit Ismail Kadare. Atje u ngrita dhe unë të çfaq mendimet e mija. Fola kundër këtij romani. Si pasojë, ndodhi një skandal që mori më vonë përpjestime të bujshme. Shoku Fadil Paçrami që foli pas meje, njoftoi sallën që unë kisha babanë të pushkatuar dhe më deklaroi mua si armik, kurse romanin “Dasma” e vlerësoi lart. Me autoritetin e tij ai përcaktoi qëndrimin që do të mbahej më vonë kundrejt meje.

Më pushuan nga puna. U ndalua vënia në qarkullim e vëllimit tim me poezi dhe romani im u tërhoq nga shtypi. U morën edhe masa të tjera kundrejt meje. Kështu, ngjarjet ndoqën ngjarjet dhe tani unë ndodhem në një gjëndje ku shpresa e vetme jeni vetëm ju, është gjykimi juaj. Nuk dëshiroj të kundërvihem kundër një anëtari të Komitetit Qendror, siç është shoku Fadil Paçrami, as nuk dua ta paraqes veten si një viktimë e pafajëshme, por megjithatë në ndërgjegjen time unë nuk jam i bindur që ta quaj veten fajtor, dhe, gjithashtu, akoma nuk jam i bindur që të pranoj se kundrejt meje janë sjellë me drejtësi Partie, me drejtësi proletare.

I thonë një fjale: “Jepja pëllëmben tjetrit, sipas faqes”. U ngrita kundër romanit “Dasma”, se ai më dukej i gabuar fund e krye në brendinë e tij. Vlerat që i atribuoheshin, sipas meje, ishin vetëm vlera në dukje. Por që ta çmosh një vepër letrare vetëm nga dukja e saj e jashtëme, të verbohesh nga shkëlqimi i stilit plot ekstravagancë pa shikuar brendinë reale, pa zbuluar kuptimin e vërtetë të gabuar në esencë, kjo do të thotë që ta çmosh atë vepër vetëm për sytë e bukur.

Një shkrimtar i mirë revolucionar, nuk duhet të abuzojë me idetë e mëdha të partisë, duke i përdoruar si prestigjator tezat dhe parrullat e partisë, vetëm sa për të bërë efekt, vetëm sa për të krijuar iluzione te lexuesi. Lexuesi e ka ndjenjën e së vërtetës dhe të realitetit dhe kërkon një letërsi të vërtetë dhe realiste. Ai di ta dallojë atë që shkruhet nën flakën e fantazisë së një shkrimtari, prapa së cilës flakë zvarrisen hije mendimesh të shkapërdisura, zvarrisen kapituj të mbështetur në rërë simbolesh e konvencionesh të errta, të mbështetur në pajandime frazash me kuptime të paparcaktuara, të dyfishta.

Romanin “Dasma”, unë e denoncova si një vepër të shkruar shumë larg metodës së realizmit socialist dhe të rënë nën ndikimin e artit dekadent. Nuk ngul këmbë që vetëm si them unë duhet të jetë dhe që vetëm unë duhet të kem plotësisht të drejtë, po sidoqoftë mendimet që kam shfaqur, jam në gjendje t’i mbroj gjer te presja dhe te pika e fundit kundër interpretimeve të shtrembëra që u janë bërë.

Atje unë nuk bëj aluzione, por flas hapur, saktë dhe direkt, duke marrë në analizë të metat e romanit. Diskutimi im është bërë me shkrim dhe ekziston si dokument. Le të merret ai në shqyrtim dhe le të thirrem unë që të jap llogari për ato që kam thënë atje. Jam i bindur gjer në vdekje se e drejta është me mua për sa i përket thelbit dhe qëllimit të kritikës sime kundrejt romanit “Dasma”, dhe gjithashtu për sa u përket çështjeve të veçanta më të rëndësishme që trajtoj unë në atë kritikë. Unë jam punëtor dhe kam shtatëmbëdhjetë vjet që punoj me djersën e ballit.

Kam punuar si minator, hekurkthyes, hidraulik, punëtor krahu në bujqësi, në ekspedita gjeologjike dhe në fabrika si teknik ndërtimi, në punime rruga–ura dhe vullnetar që në aksionet e para. Kështu në gjirin e klasës punëtore po kaloj gjithë rininë time. Ndokush mund të përmendë babanë tim të pushkatuar. Megjithatë, prapë se prapë, unë jam punëtor. Mua nuk më ka rritur dhe nuk më ka edukuar babai im, të cilin nuk e mbaj mënd dhe nuk e njoh, por më ka rritur dhe më ka edukuar klasa punëtore.

Dhe në qoftë se duhet të flitet për atësinë time, unë jam bir i klasës punëtore i brumosur me idealet e saj. Unë vij drejt për së drejti nga zemra e kësaj klase. Këtu jam rritur që kur isha fëmijë i njomë, këtu njoha gëzimet dhe hidhërimet e jetës, këtu mësova të shkruaj, të dashuroj dhe të urrej, këtu gjeta frymëzimin, heronjtë, gjuhën, subjektet dhe motivet. Pavarësisht nga gabimet e mia të mundëshme, pavarësisht pastaj nga antipatia dhe opinioni i keq që mund të kenë persona të veçantë kundrejt meje, unë mbetem gjer në fund bir i klasës punëtore dhe i Partisë së saj të Punës.

Në qoftë se ka njerëz që e kanë ndërgjegjen flori kundrejt klasës punëtore dhe kundrejt partisë, unë jam nga ata që e kanë margaritar. Unë kam dhënë prova për këtë, në çfardo kushtesh që jam vënë, kam dhënë prova në punën dhe qëndrimin tim si njeri, si qytetar dhe si punëtor, kam dhënë prova me veprën time modeste letrare, ku pasqyrohet shpirti im, mendimi im, qëndrimi im ndaj çështjeve të popullit dhe të socializmit.

I dashur shoku Enver. Unë e kuptoj mirë domosdoshmërinë për të zhvilluar luftë ndaj armikut të klasës, si dhe mprehjen e vigjëlencës në kushtet aktuale të thellimit të revolucionit tonë, por njëkohësisht e di se Partia nuk gjykon thjesht në bazë të konceptit patriarkal të gjakut dhe nuk mund të më dënojë mua për babanë tim. Unë dua të gjykohet për jetën time. Le të më bjerë mbi kokë dënimi më i rreptë i Partisë dhe i popullit, në qoftë se kam devijuar nga çështja e Partisë dhe popullit, dhe në qoftë se këtë e kam bërë me ndërgjegje dhe me qëllim, po kot së koti, pa faj, jam i bindur se nuk do të dënohem, nuk do flakem tutje.

Me këtë ndjenjë të palëkundur bindjeje dhe besimi, ju drejtohem juve që jeni njeriu më i dashur dhe më i drejtë për të gjithë ne. Pse t’jua fsheh, shoku Enver? Jam në një gjendje të rëndë, plot ankth dhe dëshpërim dhe më duket sikur më kanë mbetur vetëm dy rrugë në jetë: ose të më jepet përsëri e drejta e botimit, e drejta që t’i shërbej çështjes së Partisë dhe popullit, ose të hidhem nën rrotat e trenit, se nuk duroj dot që të vegjetoj kot, në një jetë pa kuptim, larg problemeve të mëdha të kohës, larg artit tim.

Mbetem në pritje me shpresën tek ju. Këtë mbrëmje të vitit të ri, ju uroj jetë të gjatë dhe forca të reja, ju uroj të jetoni edhe më shumë se 60 vjet të tjera.

Me respekt të thellë

Bilal Xhaferr Hoxha

Kullë 31.12.1969

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura