Bien masivë gurësh në rrugën e Torovicës, banorët: Nëse nuk ndërhyhet, tragjedia do të përsëritet

Mar 13, 2018 | 18:58
SHPËRNDAJE

LEZHË/ ELVIS HILA/ Në rrugën BalldreTorovicë në Lezhë vazhdojnë të bien gurë nga mali. Pesë muaj pas tragjedisë, që u mori jetën 3 personave në këtë segment rrugor, situata nuk ka ndryshuar.

Rrëshqitja e gurëve në Torovicë mori përmasa të mëdha pikërisht në tetor të vitit të shkuar, pasi një gur i rënë në rrugë shoi një familje. Në atë kohë, zonën e inspektuan Emergjencat Civile dhe Shërbimi Gjeologjik. Në të dy rastet u tha se do të kërkonin ndërhyrje emergjente për të shmangur përsëritjen e të tilla aksidenteve. Por disa muaj më pas situata ka mbetur e njëjtë.

lezhe, Zaim Keqi

BANORËT

Banorët nuk kanë shpresë për ndërhyrje, ndërsa masivët e gurëve që bien janë kthyer në rrezik serioz për jetën e banorëve. “Ne këtë rrugë lëvizim me shumë frikë, pasi bien gurë çdo ditë nga mali. Jeta e çdo kalimtari këtu është e rrezikuar. Ngjarje si ajo e tetorit të vitit që lamë pas mund të përsëriten, pasi shkëmbinj të tjerë të mëdhenj janë shkëputur dhe mund të bien në çdo moment. Pas tragjedisë na u tha se do të ndërhyhet, por deri më tani asnjë veprim nuk është ndërmarrë dhe kjo është e pafalshme, pasi këtu rrezikohen jetë njerëzish”, thotë një banor i Torovicës. Në dhjetor, zonën e inspektuan edhe Forcat Xheniere të Ushtrisë. Në mungesë të kapaciteteve që realizojnë ndë- rhyrje të tilla, Bashkia e Lezhës kërkoi mbështetjen e tyre, ndërsa ka vënë në dispozicion mjete dhe fuqi punëtore, por janë në pritje të Ministrisë së Mbrojtjes për të kryer ndërhyrjen. Ky fakt bëhet i ditur nga përgjegjësi i Sektorit të Emergjencave Civile në Bashkinë Lezhë, Zaim Keçi. “Pas tragjedisë që ndodhi, ne kemi shkuar dhe verifikuar situatën në terren. Kemi krehur të gjithë zonën së bashku me forcat e ushtrisë ku dhe bëmë një plan ndërhyrje. Ne ofruam të gjithë kapacitet tona dhe tashmë jemi në pritje të forcave xheniere për të kryer ndërhyrjen. Kur kanë kaluar disa muaj, akoma nuk kemi marrë asnjë përgjigje dhe s’e kuptoj se pse neglizhohet, pasi atje rrezikohen jetë njerëzish. I bëj thirrje qeverisë shqiptare që ta marrë seriozisht këtë çështje dhe të na mbështesë për të kryer këtë ndërhyrje”, tha Keçi.

RREZIKU

Vendosja e një tabele ka qenë masa e vetme për të orientuar banorët, të cilët janë të bindur se askush nuk do të ndërhyjë. Përballë indiferentizmit të institucioneve përgjegjëse, lind pyetja edhe sa jetë njerëzish duhet të humbin që të merren masa për të garantuar jetën e qytetarëve në këtë zonë. “Kjo rrugë nuk është më e sigurt. Bien gurë të mëdhenj, që nëse rastis ndonjë mjet duke kaluar, tragjedia e tetorit do të përsëritet. Në kemi kërkuar disa herë ndë- rhyrje, pasi janë konstatuar disa gurë që janë gati në të rëndë. Por, deri më tani, nuk është marrë asnjë masë. U duk sikur pas tragjedisë do të bëhej diçka, pasi erdhën edhe grupe për inspektim. Por më pas gjithçka u harrua, ne qarkullojmë me frikë në këtë rrugë pasi nga momenti në moment mund të na zërë ndonjë masiv poshtë. Përmasat e asaj çfarë mund të ndodhë, mund të merret me mend. Shteti duhet të ndë- rhyjë shumë urgjent, nëse nuk do që të përsëriten ngjarje të tilla dramatike. Këtu humbën jetën tre të rinj. Shkëmbinjtë vijojnë të bien dhe askush nuk vjen për të parë situatën”, shprehet një banor i revoltuar për situatën e krijuar. Ai është i detyruar të qarkullojë çdo ditë në këtë aks me frikë. Edhe banorë të tjerë të Torovicës bëjnë apel për ndërhyrje. Ata kanë bërë thirrje nëpërmjet mediave edhe më parë për rrezikun që iu kanoset, por siç ata shprehen, askush nuk është dukur për të vlerësuar emergjencën e situatës. Veç rrugës që rrezikon drejtues e pasagjerë mjetesh, të frikësuar ndihen edhe banorët e disa shtëpive që janë poshtë masivëve të gurëve. Ata luten të mos ndodhë një rrëshqitje e mundshme, pasi pasojat do të ishin katastrofike

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura