Bie miti për të cilin krenoheshim aq shumë, të fundit në Ballkan për…

Mar 20, 2018 | 8:49
SHPËRNDAJE

Bujaria, gatishmëria për të dhuruar, për të ndihmuar dhe për të mbështetur të tjerët kanë qenë karakteristikë e shqiptarëve në vite. “Bukë, kripë e zemër”, është një shprehje popullore që mishëronte pikërisht këtë sjellje.

bujaria

Por duket se ndryshimi i ritmit të jetesës pas viteve 90, emigracioni dhe migrimi i brendshëm, të kombinuara me vështirësitë ekonomike i kanë bërë shqiptarët më të largët dhe më të ftohtë ndaj njëri-tjetrit, më pak të prirur për të bërë bamirësi dhe për të mbështetur njëri-tjetrin në rast nevoje.

Një sondazh i zhvilluar nga Gallup, në kuadër të Indeksit të Lumturisë të publikuar nga OKB, që maste edhe treguesin e bujarisë, gjeti se Shqipëria renditet në vendin e 91 në botë, duke hyrë në listën e shteteve më pak bujare. Të anketuarve iu bë pyetja “A keni dhuruar para për bamirësi muajt e fundit?”. Për Shqipërinë, përgjigja e atyre që thonë jo, është më e lartë se e atyre që thonë po.

Shqipëria rezulton një nga vendet më pak bujare në Ballkan. Karakteristikën e bujarisë e ka ruajtur më së miri Kosova, e cila rezulton e para në rajon dhe e 26-a në botë. Më pas renditen Bosnjë dhe Hercegovina (49), Maqedonia (79). Më “cingunë” sesa ne janë serbët (104) dhe malazezët (116).

Shqipëria renditet keq edhe në treguesin e mbështetjes sociale, në vendin e 138 (e 19-a nga fundi), ku individëve u është bërë pyetja: “Nëse do të ishit në telashe, a keni të afërm apo miq se ku mund të mbështeteni që t’ju ndihmojnë kur keni nevojë?”. Në të njëjtin tregues, Kosova është në vendin e 88, ndërsa mbështetje më të madhe sociale e kanë serbët (59), malazezët (76), maqedonasit (85) dhe më pak boshnjakët (118). Edhe italianët, që renditen më keq se ne në indeksin e bamirësisë, kur vjen fjala për të ndihmuar njëri-tjetrin janë më të gatshëm (vendi i 27).

Shqipëria ishte e fundit në Europë në indeksin e lumturisë, në vendin e 112 në botë, nga 157 shtete. Krahas të ardhurave të ulëta për frymë dhe perceptimit të lartë për nivelin e korrupsionit në vend, faktorë të tjerë që i bënin shqiptarët të palumtur lidheshin me mungesën e mbështetjes tek njëri-tjetri.

Krejt ndryshe është Kosova, që ndonëse renditet më keq në të ardhurat për frymë sesa Shqipëria, solidariteti që ata kanë ndaj njëri-tjetrit dhe fakti që e dinë se në rast se kanë një hall kanë një krah ku të mbështeten, i bën ata të ndihen më të lumtur dhe më të kënaqur me jetën.

Në botë, shtetet, qytetarët e të cilëve janë më të gatshëm të bëjnë bamirësi, janë Myanmar, Indonezia, Haiti, Siria.

Në Europë kryesojnë Mbretëria e Bashkuar, Holanda, Norvegjia, Suedia, Danimarka. Të fundit në botë për bujarinë janë Kina, Maroku, Lituania.
Shtetet me mbështetjen më të madhe ndaj njëri-tjetrit në rast nevoje ne botë janë Islanda, Zelanda e Re, Finlanda, Danimarka.

 

Monitor

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura