Bie koncesioni, kolaudimi mbetet te DPSHTRR/ 13.8 miliardë lekë janë parashikuar të investohen me PPP

Nov 24, 2021 | 8:11
SHPËRNDAJE

Ministrja e Financave, Delina Ibrahimaj, sqaroi dje se është hequr planifikimi për dhënien me koncesion të kolaudimit duke i kaluar si shërbim DPSHTRR. Ibrahimaj u shpreh se ky shërbim do të ngelej aty ku ishte prej vitesh, duke u tërhequr nga dhënia me PPP.

teknik

Në buxhetin e vitit 2022 vlera e pagesave për koncesionet aktive do të jetë 13.8 miliardë lekë, nga 12.4 miliardë lekë që është vlera e parashikuar për këtë vit. Jo pak para, sipas të dhënave të bëra publike dhe që janë pjesë e buxhetit, pagesa më e madhe në vitin e ardhshëm do të shkojë për Rrugën e Arbrit me 3 miliardë lekë, ndjekur nga skanimi në doganë me 2 miliardë lekë, më pas janë 3 miliardë lekë për koncesionet në shëndetësi apo 1.5 miliardë lekë për inceneratorët. Ndërkohë, në listën e investimeve, sipas ministres, është saktësuar edhe vlera totale që do të ketë Rruga e Arbrit, për të cilën herë pas here janë dhënë shifra të ndryshme.

“Në listën totale shtesë të koncesioneve të cilat mund të zhvillohen kemi hequr koncesionin e kolaudimit, i cili është një shërbim që kryhet nga DPSHTRR dhe ishte i mbetur aty prej vitesh. Kemi saktësuar shifrën e Rrugës së Arbrit, e cila në tabelën e mëparshme kishte një vlerë deri në fund të projektit. Është saktësuar vlera e rrugës, që është 40.3 miliardë lekë me TVSH”, tha ministrja Ibrahimaj.

Për sa u takon dy koncesioneve të tjera që janë parashikuar edhe si prioritet i qeverisë, triporti i Vlorës me vlerë 5.612 miliardë lekë dhe segmenti rrugor Milot-Fier në vlerën e 178.2 miliardë lekëve janë rishikuar. “Kemi bërë disa rishikime në vlera për koncesionet për aeroportin e Sarandës, për triport Vlorë dhe për rrugën Milot-Fier, duke e zvogëluar vlerën e tyre”, u shpreh ministrja e Financave.

Kontratat koncesionare apo PPP janë kundërshtuar shumë nga opozita, e cila i ka konsideruar ato si një burim financimi për njerëzit e afërt me qeverinë, ose siç i konsideron ajo, oligarkët. Buxheti u miratua parimisht në Kuvend, ndërsa qeveria e cilëson atë si më të madhin në këto 30 vite demokraci, pasi sipas saj, ajo është e angazhuar të investojë në infrastrukturë, turizëm dhe shërbime.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura