Biblioteka Kombëtare zbulon të “fshehtat” e bektashizmit në arkiva

Jun 29, 2015 | 13:19
SHPËRNDAJE


Një filozofi që është shprehur në letërsi, në arkitekturë, në mënyrë jetese… Pas gjurmëve që katolicizmi ka lënë në kulturën shqiptare, evidentuar përmes një ekspozite, Biblioteka Kombëtare ndalet kësaj here te bektashizmi. Ka qëmtuar frymën e tij në letërsi, te vëllezërit Frashëri, te makete teqesh, pikturë etj., për ta sjellë këndshëm përmes një ekspozite, e cila u shoqërua pak ditë më parë edhe me një konferencë shkencore. “Përmes ekspozitës ‘Bektashizmi në kulturën shqiptare’, Biblioteka Kombëtare ndërmerr një rrugëtim hulumtues mbi gjurmën historike dhe kulturore të tarikatit bektashian në jetën shpirtërore, shoqërore e kombëtare shqiptare.

Ky rrugëtim shpalos, prej zanafillës së tij historike te pamja e sotme moderne, një gjendje specifike besimi e të besuari, në kërkim të pandërprerë të kuptimit të thelbit të Zotit dhe njeriut, në sprovë të përhershme të lartësimit shpirtëror e tolerancës dhe në një harmonizim të rrallë mes ndjeshmërisë atdhetare e universalitetit të qenies”, thotë drejtorja e BK-së, Persida Asllani, duke premtuar se në vijim do të hapen të tjera ekspozita mbi kontributin që besime të tjera fetare kanë në jetën kulturore dhe shpirtërore të vendit. Kjo dëshmon edhe një herë harmoninë fetare, me të cilën krenohen shqiptarët.

Dhe është pikërisht kjo harmoni që karakterizon edhe bektashizmin, që shoqëron “edhe ekspozimin e veprave, studimeve e ilustrimeve të përzgjedhura, që nga frymë- zimet mistike të shkrimtarëve më të njohur sufi botërorë, librat e dorëshkrimet e hijshme të të cilëve janë pjesë e fondit të BKSHsë, te “Lulet e verës” e “Qerbelaja” e Naimit, por edhe platforma ideologjike e Samiut, moderne e bashkëkohore në 165-vjetorin e tij të lindjes, nga misteret e kaligrafisë tek ornamentet dhe arkitektura e vendeve të kultit, nga recitativi ceremonial e muzika monodike te miti letraro-kulturor dhe spiritual i malit të Tomorrit, nga etërit shpirtërorë te mitingjet e shkronjave shqipe dhe lufta për pavarësi, nga sakrifica e persekutimi historik te mbijetesa dhe ringjallja.

Joshja dhe frymëzimi që bektashizma ka ushtruar ndër studiues ballkano-albanologë për ta njohur atë më nga pranë dhe kërshëria shkencore për ta kuptuar më mirë, sikundërse nxiti dikur Faik Konicën për “Shënimet (e tij) mbi metafizikën e bektashinjve”, na lejon sot të flasim për një korpus të mirë- filltë studimor, të cilit gjithnjë e më shumë i shtohen suksesshëm studiues të vjetër e të rinj shqiptarë”. Materialet fotografike, skicat, botimet, pikturat apo objekte të përditshmërisë së jetës së një besimtari bektashi janë nxjerrë nga fondi i Bibliotekës Kombëtare, Arkivit Qendror të Shtetit, por edhe nga muzeu që pritet të hapet pranë Kryegjyshatës në Shqipëri.

Konferenca “Bektashizmi në kulturën shqiptare” ishte një përpjekje për të hedhur dritë mbi kontributet kryesisht letrare, historike dhe dokumentare të trashëgimisë kulturore bektashiane. Referuesit u përqendruan në disa aspekte pak apo aspak të njohura të këtij kontributi, që për vite me radhë ka qëndruar i “harruar” nëpër arkiva. Kjo është edhe arsyeja pse dy nga ligjëruesit u ndalën pikërisht në gjurmët e kësaj kulture në arkivat shqiptarë. Kështu, prof. dr. Shaban Sinani solli kumtesën “Letërsia bektashiane në arkivat shqiptarë”, ndërsa Dr. Ermal Nurja, “Dokumente bektashiane në AQSH”. Prof. asoc. dr. Genciana Abazi u ndal në “Disa konsiderata mbi veprën ‘Hadikaja’ të Dalip Frashërit”. Një zë më vete në ekspozitë, por edhe në konferencë, ishte edhe homazhi ndaj studiuesit Zyber Bakiu, të cilin drejtorja e BK, Persida Asllani, do e quante një bashkëpunëtor të heshtur “por të çmuar në studimet shqiptare, Zyber Bakiu, kaligrafia e të cilit ende zbërthen në Fondet tona dorëshkrimet më të çmuara bektashiane e jo vetëm, në gjuhën perse, arabe dhe osmane”. Ishte prof. dr. Ferit Duka që mbajti kumtesën “Zyber Bakiu si hulumtues dhe përkthyes i veprës së Sami Frashërit”.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura