Biblioteka e humbur e Faik Konicës, disa tituj vijnë në Tiranë

Jan 13, 2016 | 11:51
SHPËRNDAJE

E konsideruar e humbur, qysh prej vdekjes së tij, po del në dritë Biblioteka personale e një prej njerëzve më të shtuar të letrave dhe diplomacisë shqiptare, Faik Konicës.

Janë ende pak tituj, por gjithsesi një dritë shprese se kjo pasuri me vlera të mëdha do t’i kthehet publikut, siç ishte edhe amaneti i fundit i Konicës. Sipas një njoftimi të Bibliotekës Kombëtare, sot, këta tituj të gjetur do t’i dhurohen këtij institucioni, nga “gjurmuesi” i tyre.

faik

Ata janë gjetur në Shtetet e Bashkuara të Amerikës nga studiuesi Agron Alibali. “Librat e gjetur prej bibliotekës së Konicës bartin etiketën e famshme “Ex Libris” së tij dhe autografe dedikuese të autorëve për vetë Konicën.

“Psallme murgu” të Asdrenit, “Popolo, lingua e letteratura albanese” e Gaetano Petrotës, edicioni luksoz i “Lahutës së Malcis” dhuruar po me dedikim latinisht nga vetë Gjergj Fishta etj., i shndërrojnë këto libra në bartës afektesh të shumëfishta, të cilave u shtohen edhe ato të bashkëkohësisë sonë. Këtë dorëzim të parë në BKSH, e shohim gjithsesi si një akt themelues për të vijuar më tej me plotësimin e amanetit të Konicës, biblioteka ende e humbur e të cilit numëronte rreth 2000 tituj”, shprehet drejtorja e Bibliotekës Kombëtare, Persida Asllani, e cila shfrytëzon rastin për t’u bërë thirrje të gjithë të pasionuarve të kontribuojnë në plotësimin e saj.

PËRBËRJA E BIBLIOTEKËS E konsideruar e humbur prej shumë vitesh, sot nuk ekziston një listë e librave të Faik Konicës. Mbi përbërjen e kësaj biblioteke vijnë informacione prej vetë shënimeve të Konicës, apo prej miqve të tij. Sipas Agron Alibalit, përshkrimin e parë të bibliotekës së tij Konica na e jep te një Memo e vitit 1899. Ai tregon se kishte filluar të blinte e koleksiononte libra qysh në vitin 1890, duke ngritur kësisoj “një bibliotekë të vogël me të gjithë librat e botuar nga ekspertë të huaj të Shqipërisë”.

Apollinaire na jep një tjetër përshkrim të bibliotekës së Faikut kur u takuan në Londër 4 vjet më vonë, më 1903, sipas të cilit ai “sapo e kishte riorganizuar bibliotekën e vet”, se “kishte shitur gati tërë librat e vet për t’i zëvendësuar me botime të posaçme angleze me germa të vogla që mund të lexoheshin me lentë zmadhuese dhe kishte ngritur një bibliotekë të konsiderueshme, e cila mund të vendosej në një dollap të vogël”.

Me sa duket, Konica ka pasur probleme hapësirash për të vendosur numrin e madh të librave. Sipas të dhënave të ardhura deri më sot, mendohet që në bibliotekën e tij Konica të ketë pasur kryesisht libra me karakter albanologjik, fjalorë, libra historikë, gjeografikë. Letërsinë, zakonet dhe traditat shqiptare. Por nuk duhet të kenë munguar edhe kryevepra të letërsisë botërore, nga antikiteti grek e romak, por edhe të shkrimtarëve francezë. Sipas mikut të Henry Doyle, ai kishte libra me karakter filologjik, por edhe nga kulinaria, që me sa duket Konica e njihte mirë. Sipas shënimeve të tij, më 19 korrik 1916, kur jetonte në Baden të Zvicrës, policia kishte kontrolluar banesën dhe kishte sekuestruar përkohë- sisht bibliotekën e tij.

“Të gjitha librat m’u kthyen pas disa ditëve”, thotë ai. Sipas Alibalit, një tjetër e dhënë vjen prej një biografeje amerikane në 1934, sipas së cilës në apartamentin e tij në Uashington biblioteka “përmbante më shumë se 1200 blenj dhe dukesh si ndër më të pasurat biblioteka…”. Njoftimi i fundit në të gjallë të Konicës për bibliotekën na vjen nga sekretarja e tij. Sipas saj, në kohën e vdekjes së Faikut, më 15 dhjetor 1942, biblioteka private e tij përmbante të paktën 2,500 libra, ndër të cilët kishte edhe shumë ekzemplarë të rrallë. Amanetin e Konicës për bibliotekën e konfirmoi edhe Peshkop Noli në ceremoninë përkujtimore për Konicën në Nju Jork, më 7 mars 1943.

Pasi hodhi poshtë pëshpëritjet se VATRA nuk ishte kujdesur për bibliotekën e Konicës, Peshkop Noli deklaroi se “biblioteka do të ruhet në magazinat e Fidelity Storage në Uashington deri në fund të Luftës, kur pastaj do të dërgohet në Shqipëri, sipas dëshirës së qartë të Faik Konicës”.

 

ALMA MILE

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura