Bibika Kokalari, gruaja që u kujdes për Musine Kokalarin: Ditët e fundit në spital të Musine Kokalarit

Jan 7, 2013 | 14:05
SHPËRNDAJE
Bibika Kokalari, gruaja e kushëririt të Musine Kokalarit

Musine Kokalari kishte një karakter të mbyllur, lexonte shumë dhe nuk donte t’i bëhej barrë askujt. Në një kohë që njerëzit më të afërt e kishin braktisur, ata që u kujdesën për të ishin kushërinj apo gra të internuara. Bibika Kokalari, gruaja e kushëririt të Musinesë, vetë e internuar në Luz të Kavajës, tregon të jetë kujdesur për të gjatë kohës që ajo ishte në spital. Bashkëshortit të Bibikës, Platonit, Musineja i besoi dorëshkrimet e saj. Mes tyre veçojmë disa fletë ditari, shkruar gjatë ditëve në spital

Sa herë përmenden histori të shkuara, të vërtetat janë gjithnjë më shumë se tri. Të dhëna nga njerëz të ndryshëm natyrisht, pretendentë të gjithë se kanë qenë dëshmitarë okularë. Në fakt, disa kanë qenë, po secili prej tyre duhet besuar, këtë e lëmë në dorën tuaj. Për të na folur për kohët e fundit të disidentes së burgosur e internuar nga politika, kemi marrë njërën prej të afërmeve të saj, Bibika Kokalarin, bashkëshortit të së cilës Musineja i ka dhuruar dorëshkrimet e fundit, si dhe njeriut që e ka gjetur vetëm pak minuta pas vdekjes, kur infermierja që i bëri gjilpërën e fundit ishte larguar, Agim Sinovarfajt. Njëra tregon Musinenë e ditëve të fundit në Spitalin Onkologjik në Tiranë, ndërsa tjetri tregon për 20 vitet që jetoi me të në një ndërtesë.
E vërtetë është që njerëzit që i kanë qenë pranë Musine Kokalarit, kanë qenë shumë pak. Pjesa me e madhe e tyre, të internuar të tjerë në Rrëshen. Pikërisht prej njërit prej tyre njohim Musinenë e përditshme dhe atë të ditëve të fundit.
Çfarë e kishte bashkëshorti juaj Musine Kokalarin?
Platoni, ose Totoni si e thërriste ajo, i thërriste hallë, sepse i ati i tij me të ishin rritur në një shtëpi, por në fakt e kishte vajzë xhaxhai.

Musine Kokalari

Si ishin marrëdhëniet e tij me të? Flisnin, ishin në kontakt?
Ne jetonim në Luz të Kavajës, gjithashtu të internuar, ndërsa ajo në Rrëshen. Për shkak të punës që kish, tim shoqi i qëllonte ndonjëherë të udhëtonte dhe e ka takuar disa herë, ndërsa unë jo, derisa erdhi në Tiranë në kohën që u sëmur, por edhe atëherë fare rastësisht e mësova, sepse nuk thoshte njeri gjë.
Si e morët vesh?
Unë erdha për një vizitë për vete në Tiranë, probleme me shëndetin, dhe me këtë rast shkova të takoj edhe njerëzit e tim shoqi. Rastësisht takohem rrugës me një të afërme të tij, që më pyet nëse kisha ardhur për Musinenë. Unë s’dija gjë dhe i them “Jo, ç’ne për Musinenë!” Më thotë se ishte shtruar prej pak ditësh në spital. Mbërrij në shtëpinë e të afërmve dhe u them ç’më kishin thënë dhe nëse kishin shkuar. Nuk mora asnjë përgjigje dhe pas kësaj heshta, fundja për ata ishte e afërt më shumë sesa për mua.
Pra, e latë me kaq?
Jo, e lashë aty për aty, nuk fola më. Të nesërmen që në mëngjes, sapo u largova, shkova në spital, bashkë me vajzën që kisha me vete. Nuk e njihja dhe nuk lejonin njeri brenda, kështu që pyeta disa njerëz në mund ta lajmëronin. Pas pak kohe zbriti. Ishte e dallueshme që nga ecja. U prezantova kush isha, Platoni i kishte folur për mua. Më pyeti e pyeta, përgëzoi vajzën pak te koka nga meraku që ishte e sëmurë. Më tregoi për shëndetin dhe u largova, duke i thënë se do të vinim sërish. Sapo shkova në shtëpi, lajmëroj tim shoq dhe të motrën e tij, të cilët shkuan të nesërmen në spital e takuan. I përgatita dy zogj dhe një kek, të cilin e kishte kthyer ta hanin fëmijët, sepse ajo nuk hante të ëmbla.
Vazhduat të shkonit kur ishte në spital?
Po, shkonim, këtë ajo e shkruan edhe në dorëshkrimet e saj. Kur do operohej, na nisi telegram dhe fillimisht shkoi për 2 ditë kunata ime, më pas për dy ditët e tjera unë. Nuk e operuan në datën që i kishin caktuar, mbaj mend që kur shkova në spital, gjej vetëm kunatën që e priste te dera e sallës. Ishte 2 ditë me vonesë, megjithatë përfundoi e u transferua në dhomë, ku qëndrova për ta ndihmuar të pastrohet e të lëvizë për nevojat e saj, sado që ajo refuzonte. Nuk donte t’i bëhej barrë askujt.
Për çfarë flisnit? Çfarë ju thoshte?
Në përgjithësi ajo nuk fliste shumë. Përveç shqetësimeve të shëndetit dhe të afërmve nuk fliste të tjera gjëra. Ka qenë natyrë e mbyllur edhe për shkak të jetës që ka kaluar, këtë tregojnë të gjithë.
Pasi doli nga spitali, shkuat në Rrëshen?
Në dy vitet e fundit të jetës kemi qenë vazhdimisht në kontakt.
Shumë të afërm të saj, edhe më të afërt se ju, i kishin ndërprerë të gjitha marrëdhëniet me të. Frika ishte te të gjithë, nuk gjykohet askush. Po ju, nuk kishit frikë?
Më keq se ç’ishim, nuk mund të shkonim. Të internuar, punëtorë krahu? Ç’të na bënin më?! Ata që nuk shkonin, ishin në pozicione të mira shoqërore, e kishin frikë për punët e veta, për shkollimin e fëmijëve, nuk gjykoj dot askënd.
Dorëshkrime ende të pabotuara i keni ju…?
Po, ia dha tim shoqi. Siç i shihni, fletoret origjinale janë këtu. Im shoq punoi aq sa mundi për t’i daktilografuar, por fatkeqësisht nuk jetoi dot aq sa për t’i mbyllur të gjitha. Në momentin që të jenë gati patjetër që do t’i botojmë.
Çfarë ju la tjetër?
Gjëra të vogla, dy unaza, një spilë, një shami jeshile për tim bir të punuar te anët me grep, një shall, një kostum, një pelerinë që e mbante krahëve që kur kishte qenë në burg, një dyshek e një jorgan. Edhe disa gjëra të tjera të ngjashme.
I keni ruajtur?
Po, po, janë të gjitha.
Nga të pranishmit në vdekjen e saj, thuhet se ju nuk keni qenë aty kur ajo ka vdekur?
Jo, nuk arritëm të ishim. Unë isha te familjarët e mi në Vlorë bashkë me tim shoq kur na erdhi telegrami. U kthyem po atë ditë në Kavajë, e të nesërmen u nisëm për Rrëshen. Ishte varrosur natyrisht, shkuam te varri e bëmë ato zakonet e rastit.

I internuari në Rrëshen tregon jetën në një godinë me të dënuarën.
Agim Sinovarfaj: Si e gjeta të vdekur  Musinenë, pak minuta pasi iku infermierja
Ç’marrëdhënie kishit me Musinenë? Ku njiheshit?
Ishim të dy të internuar në Rrëshen, unë jetoja me familjen, ajo e vetme. Banonim në të njëjtën godinë.
Si jetonit, në ç’kushte?
Në një ndërtesë që sapo binte shi zhytej në ujë e në lagështirë, me kushte internimi.
Përtej vështirësive të banesës, e shihnit Musinenë përditë, cilat ishin ritualet e ditës së saj?
Patjetër që e shihja, e takoja përditë, ishim fare ngjitur. Ishte grua e qetë, pa fjalë, nuk përzihej me askënd, sado që shpesh i thoshin fjalë për ta acaruar, fëmijët sidomos, të vënë nga të rriturit. Ajo s’u përgjigjej kurrë. Punonte në ndërtim, kthehej në banesë, pastrohej, vishte rroba të tjera dhe dilte shëtitje nga vendi ku jetonim deri te Ura e Fanit. Rrugë kjo që ishte 2 km. E bënte përditë këtë gjë.
A vinte e vizitonte njeri?
Kurrë në 20 vite që kemi jetuar pranë, s’kam parë të vijë njeri përveç dy grave, Muzos sidomos, që ishin gjithashtu të internuara e që kujdeseshin për të. Njëherë, ka pas qenë mbrëmje, rreth orës 21:00 erdhi një burrë që më pyeti ku e kishte shtëpinë. Hyri brenda, por nuk morëm vesh as kush ishte as ç’i tha. Kohë më vonë, Musineja i pat thënë mamasë se i kishte kërkuar për martesë, duhet të ketë qenë viti ’62.
Tregonte për njerëz që mund t’i rrinin përreth për ta vëzhguar, apo kërcënime që mund të merrte?
Ajo fliste pak dhe nuk donte të përfshinte të tjerët në bisedat e saj, sepse i dukej sikur i vinte në rrezik. Madje kur na shihte në rrugë nuk na fliste, vetëm aty në banesë komunikonim, luanim domino, shkëmbenim gjëra me njëri-tjetrin, kur kishim nevojë. Një herë u kthye e nervozuar në shtëpi dhe na tha se ishte inatosur sepse kishte takuar rrugës atë që e kishte torturuar në hetuesi. Gjatë gjithë kohës së lirë lexonte, nënvizonte, shkruante.
Derisa u sëmur…
Po, mbaj mend që i tha menjëherë mamasë se i kishte dalë një gjëndër në gjoks që duhet ta shihte. Ajo i tha të kujdesej, e pas kësaj, shkoi ta shihte në Tiranë, ku u operua pak kohë më vonë.
Vinte ta shihte njeri kur u sëmur?
Jo, asnjëherë nuk kanë ardhur, përveç Muzit që është kujdesur për të sikur ta kishte nënë.
Ju e gjetët i pari pas vdekjes?
Po, kam hyrë në shtëpi pak minuta më vonë, sepse më tha ime më: shko shih njëherë, sepse sa iku infermierja. Demek duhet t’i kishte bërë gjilpërën qetësuese të radhës, por siç u duk, ishte e fundit.
Si e gjetët?
Të shtrirë, me një libër mbi gjoks, dhe me dy adresa të shkruara në një letër.
Adresat e kujt?
Të afërm të saj, të cilëve u nisa menjëherë telegram.
Erdhën?
Jo, atë ditë jo, të nesërmen po.
Çfarë ndodhi atë ditë? Pasi e patë, a lajmëruat njeri?
Po, patjetër, u mor vesh menjëherë, nuk ishte nevoja të lajmërohej njeri, Sigurimi ishte pas dere. Erdhën kontrolluan shtëpinë, morën gjithçka ç’gjetën, letra e dorëshkrime të mbetura dhe urdhëruan të mbyllej dera me çelës për t’u hapur të nesërmen.
Ishte mëngjes?
Po ishte ora 9:00 e mëngjesit, pas ikjes së tyre unë e mbylla derën siç më thanë dhe ka ndenjur trupi më shumë se 24 orë brenda, aq sa nisi të ndihej erë. Është varrosur të nesërmen në orën 17:00. Edhe atëherë komunalja nuk erdhi, gjeta një arkivol, të cilin e ngarkova mbi një makinë me zhavorr.
Kush e bëri gati trupin përpara varrimit?
Ime më me time shoqe dhe një grua tjetër, banore aty pranë.
Kush ishte i pranishëm në varrim?
Ishim 5 veta, unë, Muzi, Shabani, Disha dhe nipi i Beqir Ballukut që hapte gropën.
Ndonjë i afërm jo? Kishte vëllain në Tiranë, ç’marrëdhënie kishte pasur me të?
Jo, jo, ai nuk erdhi as të nesërmen. Vite më parë pat shkuar njëherë, sepse ai i jepte materiale dhe ajo i përkthente. Pas asaj vizite nuk shkoi e as erdhi më njeri.
Me ç’të ardhura jetonte? Të punës?
Po, madje i mbyllte paratë në bankë e me përqindjen e tyre blinte libra e shkonte në kinema. Ishte frekuentuese e rregullt e saj, shkonim edhe bashkë të gjithë. Madje, njëherë ishim duke parë një film që s’më kujtohet cili ishte, dhe për personazhin, Ermira Vela quhej, tha se ishte ajo. Kur vdiq, paratë e arkivolit që bleva m’i dha Muzi, i kishte lënë ajo vetë. Edhe ato pak para të mbetura ia pat lënë asaj.

Pjesë nga ditari i pabotuar i Musine Kokalarit në ditët e fundit të jetës.
16 mars:  Shkova te Dr. Me dha fletëdaljen. Me caktoi shtrimin e dyte me 14 Prill. Kur po dilja erdhi Totoni, u nisëm bashkë. Mashkë shkuam gjer në hotel. Ai arriti të më priste biletën dhe unë zura një odë këtu. U shtriva deh nuk u ngrita më.

17 mars. Në orën 10 pa çerek u nisa me tren. Arritëm në Milot shpejt dhe shpejt në Rrëshen. Më në fund në odën time. Takova udhës Farien, qajti kur më pa. Ajo gjithmonë e dashur. Erdhu Muzua menjëherë. U ç’mallmë. I thashë që më ka ardhur fundi. Trupi tim nuk mban më. Ja do përfundoj. Tuberkulozi ja është një çfaqje e sëmundjes. Në cdes nuk më vjen keq. Jam e lodhur. Dhe ska asnjë kuptim të jetoj më. Mos e thuaj atë fjalë u përgjegj e mallëngjyer. Pse të vdesësh?
-Po ç’kuptim ka që të jetoj?

18 Mars. Sot në mëngjes erdhi Dishua. Dhe ajo në hall për vajzën që i sëmuret në çerdhe. Ska ku ta shpjerë. Shpresa i ka thënë që nuk ta mbaj. Vetë e dobët, e sëmurë. Shabani gjithmonë nevrik. I ka ardhur kunata. Po infermiere. Pastaj lava ca rroba. Tani kam kollë më pak, si do më vejë halli? Se di. Në qoftë se më ka ardhur fundi, të më vijë i qetë.

14 Prill. U shtrova në spital. Tek stacioni më priti Bibika. Më shoqëroi deri në fund.

16 Prill. Bëra radioskopi. Më ka zënë prapë ujë.

18 Prill. Doktori më bëri punksjon, më hoqi 1 litër ujë. Më tha, po do që të shpëtosh përfunidimisht nga ujët, duhet të bësh 4-5 herë punksjon. –Dr-i thashë: sëmundjet janë të pa dëshirueshme por çdo moshë. Ama në moshën time gjithë këto telashe dhe përse kur je nga fundi i jetës.
-Pra ti je nga fundi i jetës?-më pyeti.
-Po doktor. Dhe pak shpresë kam. Unë nuk besoj se është ftohje po diçka më e rëndë. Sa kam menduar, kam lexuar dhe e kuptoj se që të mjekohesh me indoksan nuk është plevit e zakonshme.
-Jo nuk është ashtu më tha ai. Ç’far shkolle ke?
-Të lartën për letërsi.
Folëm pak frëngjisht dhe më tha që nesër do të dal. Se di do më vejë halli, nuk e di. Dje takova Tixhen. Më kallëzoi për vdekjen e Hejes. Më erdhi keq. Dhe asaj i kishte mbledhur mushkria ujë, d.m.th e njëjta gjë si me mua.
E gjora ishte e re, 46 vjeç. Vuajti 6 vjet dhe me të gjitha mundësitë nuk shpëtoi.

19 Maj. U shtrova për herën e tretë në pavionin e dytë. Tek stacioni më priti Platoni. Frymë marrjen e pak patur të rëndë. Leukocitet i pata 5000. radioskopia më nxorri me ujë.

22 Maj. E diel. Doktoresha më hoqi më tepër se 2 litra ujë. U dobësova shumë. Ajo e ndërpreu. Bëra radioskopi. Kam prap ujë. Do të shpohem për herë të dytë.

24 Maj. Doktori i vjeëtr më inkurajoi me fjalë të mira për sëmundjen time të rëndë e të pa shpresë. U inatosa me veten t’ime që shkova te përshëndetesah me Meseretin. Erdhi Platoni mbasdite.

25 Maj. Sot doktoreshë Liliana më hoqi prap ujë. Më tepër se 1 litër. Nesër dal.

Shënim në koopertinën e fundit: Proletariati revolucionar ecën po dhe forcat demokratike nuk mbeten prapa.

Nga: ANI JAUPAJ

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura