Betejë e fituar apo e inkurajuar

Feb 23, 2015 | 12:01
SHPËRNDAJE

LEONIDHA MËRTIRI

   Pas rënies dakord për marrëveshjen me Eurogrupin për më shumë kohë për programimin e reformave, Aleksis Tsipras, Kryeministër i Greqisë, ka pohuar faktin që Greqia do të vazhdojë të jetë në një rrugë të gjatë dhe me jo pak vështirësi.
Marrëveshja e mësipërme kushtëzon qeverinë greke për realizimin e një sërë reformash, vulën e të cilave do ta vënë ndërkombëtarët. Greqia nuk mund ta ndajë veten nga vendet e Eurogrupit. Në këtë mënyrë, katër muajt e ardhshëm dhe jo gjashtë muaj, që ishte kërkesa e grekëve, do të jenë në dispozicion të zgjatjes së borxhit, një lehtësim për përballimin e presionit të tij.
Mediat greke dhe ato ndërkombëtare, duke iu referuar premtimeve të Tsipras para zgjedhjeve të fundit, e shohin heqjen e masave shtrënguese tepër të vështirë, një utopi për kushtet aktuale të Greqisë. Ministri grek i Financave, Varufakis, në sinkron të natyrshëm me Kryeministrin e tij, edhe pse bën optimistin, e konsideron këtë arritje një betejë të fituar, një hap të vogël në udhëtimin e gjatë të vendit. Pra, votuesit e kësaj qeverie, me sa duket, kërkohet ta presin këtë si një arritje, ashtu sikundër edhe po paraqitet këto ditë- një prezantim suksesi i Aleksis Tsipras. Duke iu kthyer programit të kësaj qeverie, rinegocimi i kushteve të borxhit, zgjatja e kohës së shlyerjes, është një nga kërkesat e tij. Megjithatë, përballja me elektoratin nuk do të jetë e lehtë, në një kohë që atij i është premtuar lehtësim dhe heqje e masave shtrënguese e të tjera si këto.
Çështja është se sa dhe si do të rimëkëmbet buxheti vendës, sa do të fillojë të fuqizohet ekonomia greke, e cila, sikurse është e njohur, është gati e paralizuar dhe si do të shkojë ndërkohë “cash-flow”, rrjedhja e kapitalit.
Kreditorët, nga ana e tyre, duken të vendosur në këtë situatë për të mos bërë lëshime të mëtejshme, se grekët nuk do të kenë asnjë pagesë shtesë deri në realizimin e plotë të programit të shpëtimit. Nga ana tjetër, pas rënieve së borive për daljen e Greqisë nga Eurozona, vendet e  Eurogrupit i bashkuan  më tepër përpjekjet për një kohezion më të fortë në zonën euro dhe që Greqia të vazhdonte me vendosmëri në këtë rrugë, duke mos i dhënë asnjë shans të ashtuquajturit Grexit, pra, daljes nga Eurozona. Ndërkohë, për vetë vendet e tjera të Eurozonës, dalja nga zona euro do të ishte për to një kosto reale, qoftë kjo ekonomike, por edhe politike. Në fund të fundit: një Greqi e stabilizuar dhe jo unitet i cenuar në eurozonë.
Sot pritet që në Bruksel kreditorët të njihen për sa më lart me propozimet e palës greke për vazhdimësinë e reformave.
Siç duket, të gjithë këta u bënë faktorë të rëndësishëm për gjetjen e një ekuilibri, e një vendimi më fleksibël, me natyrë më shumë politike, një inkurajim për Greqinë dhe qeverinë e porsaardhur të Tsipras në rrugën e saj të reformave.
Në këtë mënyrë, Greqia fiton më tepër kohë. Por katër muaj ikin shpejt. Puna është se sa produktive do të jenë marrëdhëniet e bashkëpunimit të Greqisë me europianët, por edhe më tej, për kryerjen e obligimeve të saj në këtë udhë tepër të vështirë. Një tablo pozitive në këtë drejtim do ta ndihmonte qeverinë e Tsipras, por edhe vetë vendet e Eurogrupit, të cilat e kanë inkurajuar atë, duke u dhënë përparësi, me vendet si Greqia, sikurse nënvizon Barak Obama, politikave zhvillimore dhe jo atyre shtrënguese.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura