Beteja që ia vlejti e Lulzim Bashës dhe opozitës së tij

Jul 21, 2016 | 13:00
SHPËRNDAJE

PREÇ ZOGAJ

prec zogaj

Kuvendi i Shqipërisë voton sot me konsensus reformën në drejtësi, më të rëndësishmen, por edhe më të debatuarën e disa legjislaturave; reformën e parë me bashkautorësi të drejtpërdrejtë amerikane dhe europiane.

Kjo është një ngjarje e madhe për Shqipërinë. Miratimi dhe zbatimi i kësaj reforme shënon, pas përpëlitjesh e zigzagesh disavjeçare, fillimin fitimtar të epokës së ligjit, të pavarësisë reale të sistemit të drejtësisë, të ndëshkueshmërisë ligjore në sferat e larta dhe kudo ku inkriminimi ka mbretëruar e mbretëron në kështjellat dhe xhunglat e veta të paprekshme. Nuk është e tepërt të themi se kjo reformë mbart në vete tharmin e qytetërimit europian që ëndërrojmë dhe meritojmë. Deputetëve që do ta miratojnë u ra shorti të shkruajnë emrin e tyre në historinë e ligjvënieve të mëdha që ndajnë kohët. Miratimi i reformës në drejtësi është një ngjarje e re e madhe për miqësinë dhe aleancën tonë strategjike me SHBA.

Amerikanët iu përgjigjën thirrjes së re shqiptare. Shqipëria ka bashkuar sot forcat me fuqinë më të madhe të demokracisë në planet për të goditur tej e tej kuçedrën e korrupsionit që po merr peng fatin e vendit dhe qytetarëve të saj. Nuk mund të ndodhte që SHBA të dështonin në Shqipëri, sikurse nuk mund të ndodhte që SHBA të komunikonin me ne jashtë frymës dhe kodeve të demokracisë. Kjo ishte dhe mbetet përtej çdo imagjinate. Reforma në drejtësi është një ngjarje po aq historike për ëndrrën tonë europiane. Nuk mund ta dimë a do të marrim mbrapsht që këtë vit hapjen e negociatave për anëtarësim në BE. Por që me një drejtësi të pavarur vendi do të bëhet më europian dhe do të këpusë në një perspektivë tashmë të qartë nyjën e pandëshkueshmërisë, kjo është e sigurt.

Partitë kanë bërë lojën e tyre politike. Të ndershme, të pandershme, të pastër, të ndyrë, të sinqertë, hileqare – i kemi parë të gjitha. Është utopike të thuash se interesat politike partiake mund të shmangen kur në mes është një reformë e këtyre përmasave. Akoma më “legjitime” janë lojërat politike në një vend si Shqipëria, ku paragjykimet dhe mosbesimi mes forcave kundërshtare janë në kulm. Por reforma nxori në pah edhe kontribute pozitive nga secili prej drejtuesve kryesorë politikë.

Miratimi i saj me konsensus u bën nder të gjithëve. Kryetari i PS-së, Edi Rama, pranoi në datë 9 korrik rekomandimin numër tetëdhjetë e tetë të Komisionit të Venecias që favorizonte opozitën, duke hequr dorë pjesërisht nga votimi me dy të tretat, një rekomandim tjetër po i Komisionit të Venecias që kishte qenë preferenca e tij dhe e partisë së tij. Ilir Meta e mbajti në këmbë parimin e konsensusit me opozitën, duke refuzuar e dekurajuar përpjekjet e shëmtuara për të tërhequr deputetë të veçantë nga PD. Meta u fut në valle në një moment mjaft të rëndësishëm për relaksimin e gjendjes dhe hapjen e dialogut shumëpalësh që rezultoi i suksesshëm.

Por ajo që do të mbahet mend gjatë nga gjithë maratona e reformës në drejtësi është beteja e Lulzim Bashës dhe opozitës së drejtuar prej tij për ta sjellë këtë reformë pikësë- pari në garancitë e moskapjes politike, sot e përgjithmonë, nga kryeministri aktual dhe çdo kryeministër tjetër në të ardhmen, betejë të cilën, në çështjet kyçe, opozita e ka fituar me mbështetjen e Komisionit të Venecias dhe partnerëve ndërkombëtarë, SHBA dhe BE.

Kjo betejë ka qenë e veçantë, ndoshta e paprecedentë, sepse është zhvilluar në realitetin e ri të bashkautorësisë amerikane dhe europiane, që si herë e parë nuk mund të kishte kolaudimin që do të ketë herën e dytë apo të tretë, shto këtu spekulimet rëndom flagrante të kryeministrit, që ka bërë çmos t’i paraqesë kundërshtimet e opozitës për dispozita dhe nene të caktuara si kundërshtime të vetë reformës si domosdoshmëri. Basha dhe opozita nuk kanë bojkotuar, nuk janë zvarritur, por kanë përshtatur një qëndrim shumë aktiv në shërbim të korrigjimit të reformës, duke marrë herë-herë, në ballafaqimin e parë, kosto keqkuptimesh dhe reagimesh edhe negative nga përfaqësuesit e partnerëve në Tiranë. Por si përfundim, palët kanë ardhur gjithnjë te qëndrimet e drejta e të arsyeshme, që kanë qenë shumë më të mira apo më të mira se dispozitat e mëparshme të kundërshtuara nga opozita.

Kjo është firma e opozitës në këtë reformë. Korrigjimi, përmirësimi, përshtatja me legjislacionin kushtetues në fuqi, duke i ruajtur nderin ligjvënies, duke u dhënë hijeshinë e ligjit zgjidhjeve të reja që garantojnë një reformë reale në drejtësi. Opozita ka propozuar, ka negociuar, ka ngulmuar, është tërhequr aty ku është dashur të tërhiqet, ka përballuar diversionin e palëve të tjera, ka administruar diversitetin e mendimeve brenda radhëve të saj.

PD dhe opozita kanë ardhur te konsensusi, sepse kanë mbërritur te zgjidhja; kanë ardhur te konsensusi në përfundim të një rruge të gjatë pune dhe përpjekjesh kur nuk kishte mbetur më asgjë thelbësore e pazgjidhur dhe kur rëndësia e votimit të reformës prevalonte mbi hollësitë. Kjo është beteja që ia ka vlejtur vërtet e Lulzim Bashës dhe opozitës së tij. Ia ka vlejtur për reformën e drejtësisë së re në formën që u është paraqitur sot deputetëve. Ia ka vlejtur për forcimin e PD dhe kreut të saj. Lulzim Basha rezultoi njeriu i përshtatshëm për të luftuar këtë betejë. Ai nuk e ndjeu asnjëherë të nevojshme të konsiderohej me mburrje proamerikan për shkak të lëvdatave që ka marrë apo ka thurur për Amerikën, sikurse nuk është ndjerë asnjëherë antiamerikan, sepse ka marrë kritika nga ambasadori Lu.

Basha shfaqet euroatllantist pikësëpari në përmasën e formimit perëndimor dhe kjo mund të jetë qasja e një gjenerate të re politikanësh në raport me miqtë dhe partnerët, qasje që duhet të lërë pas përgjithnjë sindromën mjerane, servile dhe hileqare të fotove me të mëdhenjtë e Amerikës dhe Europës, për t’i përdorur pastaj si licencë të autoritarizmit në bajrakun Shqipëri. Pardje Rama e përshëndeti, besoj si xhentëlmen, betejën e Bashës pa e përfunduar akoma. Por dje dukej vrer dhe i prishur në fytyrë, sikur lajmi i mirë që dha Basha të ishte një lajm i zi.

Pastaj erdhi mbrëmja e vonë që konfirmoi lëvizjet akoma të pakuptueshme në kulisa për të shembur konsensusin lehtësues të përshëndetur gjatë ditës nga kancelarja Merkel dhe shumë politikanë të njohur perëndimorë. Në këtë orë ende nuk është e qartë se ç’po ndodh, por ky zhvillim dëshpërues nuk mund të mos na kujtojë se Rama ka dashur më shumë se asgjë dhe ka shërbyer më shumë se asgjë opsionin e mosvotimit të reformës me shpresën që faji t’i mbetet opozitës dhe pastaj ai t’i lëshohet asaj dhe gjithë rivalëve me hanxharin “euroatllantik”.

Opsioni i dytë i preferuar në kushtet e mosshmangies së votimit për shkak të ngulimit amerikan dhe europian ka qenë votimi me një shumicë prej dy të tretash të fabrikuar nga rrjedhja dhe trafiku i votave, gjë që ka pasur kuptimin e shqyerjes dhe mundësisht e shpërbërjes së opozitës, një ëndërr e vjetër në sirtarin e tij. Për të shërbyer këtë opsion plot shije, ai ka ecur si ushtari këmbësor pas tankut të ndërkombëtarëve. Por këto flateri apo plane kanë rënë dje me shpalljen e lajmit të mirë nga opozita. Në trashenë e opozitës nuk ka më kundërshtarë të reformës. Për asnjë pikë.

Këmbësori dhe tanket nuk kanë me kë të luftojnë. Mos vallë duhet shpikur një kundërshtar me çdo kusht sipas shprehjes së popullit tonë “a i ke dhënë ujë gomarit”? Mos ka një skenar që kërkon përjashtimin kriminal me çdo kusht të opozitës nga reforma në drejtësi? Të presim ç’do të na sjellë nata dhe mëngjesi.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura