Beteja për Teatrin/ Artistët premtojnë të mbajnë amanetin e Furxhiut e Luarasit

Jun 27, 2018 | 21:10
SHPËRNDAJE

Amaneti i Vangjush Furxhi e Mihal Luarasit do të shkojë në vend: Artistët nuk do të lejojnë shembjen e Teatrit Kombëtar. Protesta e djeshme e artistëve kishte një emër.

1

Ajo i kushtohej aktorit Vangjush Furxhi, si “një figurë që impononte respekt, përgjegjshmëri dhe përkushtim në punë. Një nga njerëzit më parimorë që ka luftuar në mbrojtje të Teatrit”. Bujar Kapexhiu dhe Përparim Kabo ndanë me të pranishmit momente nga njohja e tyre me aktorin e pedagogun, shokun e tyre të shkollës, por po ashtu, përmes emrit të tij mbajtën gjallë çështjen e Teatrit Kombëtar.

“Po të ishte gjallë, do ishte këtu me ne, për të vazhduar luftën për të mbrojtur këtë teatër”, tha Kapexhiu. Ai u kthye shumë pas në kohë, atëherë kur ishin të rinj, studentë dhe se si spikati talenti i tij mes gjithë të tjerësh. “Në vitet e para, të gjithë studentët duken njëlloj, por talenti i vërtetë duket në planshetin e skenës dhe fjala e tij i drejtohet sallës. Dhe këtu u duk edhe talenti i jashtëzakonshëm i Furxhi, sidomos në një shfaqje: ‘Dy zotërinjtë nga Verona’. Një aktor brilant, i jashtëzakonshëm. Shok i mirë, i këndshëm, sa dinamik aq edhe i qetë, sa dashamirës dhe i prerë. Po të ishte, do ishte këtu, për të vazhduar luftën për të mbrojtur këtë teatër”, tha Kapexhiu.

Bashkë me kujtimin për Vangjush Furxhi, që qysh në gjallje të aktorit, e kishte krahasuar me Marçelo Mastrojanin, filozofi dhe kritiku Përparim Kabo do të sillte në vëmendje edhe një tjetër figurë të shquar të teatrit, Mihal Luarasin.

“Ju ftoj në një kohë të largët, në nëntor 1969, në këtë godinë kur u shfaq drama ‘Njollat e murrme’. Vitin tjetër bëhen 50 vjet nga shfaqja e pjesës që tronditi kupolën e udhëheqjes diktatoriale të kohës”, tregoi Kabo, duke risjellë në vëmendje historinë e ngritjes dhe rënies së kësaj vepre me regji të Mihallaq Luarasit, pasi e pa diktatori.

“Luarasi më ka lënë një amanet: amanet Teatrin Kombëtar. I dashur profesor, ne nuk do ta lëmë të prishet ky teatër, që e pagëzove në vitin 1956 me ‘Intrigë e dashuri’ të Shilerit. Kur shqiptarët dilnin me nallane nga shtëpia dhe mbushnin ujë në pus, ti solle Shilerin. Si mund të prishet kjo?!”, tha Kabo, për t’u kthyer sërish te kryefjala e takimit të djeshëm. “Prof. Vangjushi, ne jemi të revoltuar, por të vetëdijshëm dhe të vetëkontrolluar. I them Kryeministrit atë që i kam thënë edhe në intervistë, duke iu referuar protestës së Zolasë, kur shkroi ‘Unë akuzoj’. Unë akuzoj, me zë të plotë, jo duke u çjerrë, por me vetëdije, sepse mbush 51 vjet që kam hyrë në këtë godinë. I them Kryeministrit të hidhëruar se nuk hapen negociatat: ne nuk jemi popull stadiumesh, jemi popull teatrosh. Kush nuk e kupton këtë është artist që nuk u bë kurrë artist. Zonja ministre, mos ik me turp nga ai post! Do mbetesh në histori si ministrja që shembi Teatrin Kombëtar. Mos e prek Teatrin!”, tha Kabo.

Po ashtu u lexua një dedikim i regjisorit Kastriot Çipi për aktorin dhe pedagogun Furxhi, për të vijuar më tej me një dokumentar kushtuar njeriut që u rreshtua dhe firmosi i pari mbrojtjen e Teatrit Kombëtar, gati 20 vjet më parë.

PANORAMA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura