Beteja në politikën e jashtme/ ‘Rama ngelës në vend, bëri gol në Beograd’

Oct 15, 2016 | 14:01
SHPËRNDAJE

Një gol në politikën e jashtme e ka quajtur analisti Artur Zheji, ‘lëvizjen’ e kryeministrit Rama në Beograd dhe qendrimin e Metës në Athinë gjatë takimit me kryeministrin Cipras.

artur zheji

Në një analizë në 360 gradë.al, për analistin Artur Zheji është krejt e padobishme, që kryeministri shqiptar, të sulmohet nga vëllazëria e Kosovës, apo pushtetarët e atyshëm, që flasin në këtë kontekst gjeopolitik, krejt pa lidhje dhe krejt pa dobi.

Sipas tij, “Vizita në Beograd, Ramës i duhej. Duhej sajuar edhe sikur të mos ishte një ditar pune, caktuar prej kohe dhe nga të tjerët. Pozicioni dhe kredencialet e tija politike në Tiranë, janë shumë të ulta. Dështime ekonomike, korrupsion difuz dhe jashtë kontrollit, në të gjithë sistemin, drogë dhe banda, që kanë krijuar dhe po rrisin rrezikshëm Anti-Shtetin në Shqipëri. I duhej pra, kryeministrit, një fushëbetejë e Politikës së Jashtme. I duhej dhe shumë i voliste të hidhej në zjarr për Kosovën, nga Beogradi”.

Sipas tij, “pse mërzitet Buzhala apo Thaçi, apo mund të trishtohet Opozita, brenda të drejtës së tyre, po ashtu si kryeministri i Tiranës, që është, edhe ai, në kornizën e të drejtës dhe të detyrës së tij”.

Zheji shkruan se edhe pse kemi aleatët tanë amerikanë, që kanë në duar timonin e vërtetë të politikës sonë të jashtëme, kryeministri shqiptar, që flet të njejtën shqipe si edhe Ministri i Jashtëm i Kosovës dhe që Kushtetuta e Shqipërisë e mbështet, madje e detyron shprehimisht, që të mbrojë të drejtat e shqiptarëve, kudo që ata janë, është tërësisht brenda korsisë së vet.

“Rama reagoi dhe bëri politikë të mirë në Beograd, ashtu si dy ditë më parë, Ilir Meta në Athinë, duke shkëputur nga Tcipras, premtimin politik, se do të angazhohet si në një sfidë personale, për të hequr Ligjin idiot por edhe dinak të Luftës, Shqipëri – Greqi të vitit 1940. Ligj i cili, nëse hiqet, heq automatikisht embargon, mbi pronat e popullsisë shqiptare Çame, në Republikën e Greqisë. Sipas taktikës, qetësoje situatën, që të marrësh pa tundur këmbët plot llastim ballkanas, çelësin që hap zgjidhjen ekonomike të Çështjes Çame. Meta, ka mbërritur ndoshta në këtë, të “marrë” nga Tcipras, me të butë, atë që mund t’u merret vetëm me të butë, llogaritur realisht fuqitë dhe mundësitë jo folklorike që kemi”- shkruan ai.

Ai thekson se tema e minierës së Trepçes, një pasuri kombëtare edhe kjo, ngritur nga kryeministri i Tiranës, në një Forum Ekonomik, ishte një target i goditur. “Duhet të çlirohemi nga kompleksi, që kur kundërshtari politik, apo kur politikani, qoftë edhe ngelës, në vendin e vet, shënon një “gol”, në poltikën e jashtëme, ti vërsulemi, pamvarsisht fakteve dhe analizave mirëfilli gjeopolitike’ shkruan Zheji.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura