Beteja kundër (dasmës) Erion Veliajt

Sep 20, 2014 | 12:22
SHPËRNDAJE

BILAL KOLA

   Kundërshtarët politikë të Erion Veliajt duhet të kenë “arsye” të forta ta sulmojnë pa reshtur këtë të fundit në një ndër dy çështjet familjare që kodet e sjelljes njerëzore, tradita dhe zakonet e mira nuk e lejojnë politikën të “fusë hundët”! Ceremonia martesore (e bërë nën betim kishtar siç e bëri çifti Veliaj) dhe ajo mortore, janë dy evenimente unike në jetën e çdo njeriu (sidomos të një personi publik) që passjellin urim ose ngushëllim nga miqtë dhe minimalisht heshtje ose nderim nga armiqtë. Të thyesh pacipërisht të tilla tradita dhe kode sjelljesh do të thotë të jesh në “hall” të madh – do të thotë që rezultatet e punës së Erion Veliajt në fushën e pensioneve, arsimit profesional, të përndjekurve politikë, punësimit etj., të jenë aq të pakontestueshme, saqë kundërshtarët politikë nuk e shohim me “bereqet” të merren me to.
Ndoshta kundërshtarët politikë janë të vetëdijshëm që Veliaj, ndryshe nga shumë të rinj të tjerë në politikën shqiptare, e ka farkëtuar karrierën e tij të deritanishme politike në një opozitarizëm 12-vjeçar ndaj gjithë fenomeneve regresiste dhe orientaliste që e kanë shoqëruar politikëbërjen në Shqipëri përgjatë këtyre 23 viteve, siç janë papërgjegjshmëria e skajshme dhe abuzivizmi me pushtetin, mosfunksionimi dhe kapja e shtetit, nëpërkëmbja e interesave të publikut dhe sidomos grupeve sociale të margjinalizuara. Ndoshta kundërshtarët politikë gjithashtu e dinë (pasi të gjithë ata që bashkëpunojnë me Erionin jam i sigurt që e kanë përjetuar vetë këtë eksperiencë) që ai karakterizohet nga një qytetari shembullore dhe atipike për politikën shqiptare, shpirt skuadre, përkushtim dhe vizion perëndimor për punën dhe detyrën, zemërgjerësi dhe solidaritet me hallexhinjtë e shumtë të këtij populli, dhe pikërisht për këtë fakt janë të gatshëm të shkelin çdo kod sjelljeje dhe traditë njerëzore me qëllim baltosjen e emrit dhe punës se Erion Veliajt.
Në këtë kontekst, organizimi i ceremonisë martesore në qytetin që i dha atij për herë të parë mandatin e deputetit është pikësëpari një investim njerëzor dhe tejet personal i tij në promovim të vlerave turistike dhe kulturore të qytetit të mrekullueshëm të Gjirokastrës (menyja mëse modeste që u servir për rreth 350 të pranishëm në dasmë e organizuar në pikën më piktoreske të qytetit ishte puro gjirokastrite). Natyrisht, ky lloj promovimi që deputeti Veliaj i bën qytetit që e mandatoi nuk përfaqëson identikitin e deputetit të “qokave” meskine dhe si i tillë mund të anatemohet me cinizëm nga kundërshtarët politikë, por jam i sigurt (nisur edhe nga reagimi i gjirokastritëve) se deputetë të tillë që edhe evenimentet e tyre më të rëndësishme personale dhe familjare i planifikojnë në harmoni me detyrimin e tyre për promovimin e zonës nga ku janë zgjedhur, janë identikiti i përfaqësuesit të popullit që elektorati aspiron, janë identikiti i politikanit të Shqipërisë së nesërme europiane.
Elektorati e kupton që politikanë të rinj (në vizion, por jo domosdoshmërisht në moshë) si Erioni janë një lajm i mirë për Shqipërinë dhe një garanci për të ardhmen e saj europiane, dhe se sulmet e paprincipta që i bëhen atij nga kundërshtarët politikë të kujtojnë atë shprehjen e popullit që ka të bëjë me thënien – me gurë qëllohen vetëm ato pemë që kanë kokrra – dhe në fund të fundit të tillë gurë nuk mund të jenë gjë tjetër veçse një kompliment indirekt për politikanin Erion Veliaj.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura