“Beteja jonë nuk është për një karrige”- Akil Kraja reagon pas mbeti jashtë listave të PD: Qëllimi është një Shqipëri që fiton me ekipin Basha

Mar 9, 2021 | 21:12
SHPËRNDAJE

Pak kohë më parë, në media qarkulloi lajmi se ish-anëtari i këshillit bashkiak të Tiranës, Akil Kraja ishte në listën e kandidatëve për deputet.

akil-kraja-720x479-720x445

Por, në listën përfundimtare që Partia Demokratike depozitoi në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, emri i tij mbeti jashtë kësaj liste.

Në një reagim në rrjetet sociale, Kraja thotë se nuk është me rëndësi nëse është apo jo në listë.

“Të kesh pasionin e politikës nuk është çështje statuti, liste, renditjeje, moshe”- thekson ai, duke shtuar se ky pasion është qëllim për një “Shqipëri që fiton”.

“Kjo është ambicia e programit demokrat dhe e ekipit Basha. Kjo është ambicia e secilit prej nesh. Kjo është ëndrra e çdo shqiptari, që jeton në Shqipëri, Kosovë a diasporë”- shton ai.

Reagimi i plotë:

Përse politika? Disa përfshihen falë kredencialeve profesionale. Disa falë biografisë familjare. Të tjerë, falë mbështetjes kriminale. Të gjithë synojnë votat, votat tuaja. Kjo është politika, të kërkosh të fitosh një garë elektorale. Por, ajo që ka vërtetë rëndësi, është për çfarë.

Unë besoj se i vetmi çelës, ai që hap dyert e vërteta të politikes, të përfaqësimit, të votëbesimit të qytetarëve, është ëndrra e madhe. Ëndrra për një Shqipëri që fiton, ëndrra për një komb të fortë, me paga të larta e arsim cilësor. Me shëndetësi jo falas, por moralisht të pranueshme, cilësisht të garantuar e thjeshtësisht të aksesueshne. Ëndrra për një ekonomi që krijon oportunitete, mirëqenie dhe prosperitet, për të gjithë, bazuar mbi meritokraci dhe garën e lirë.

Të kesh ëndrrën e politikës është të kesh njëherazi dellin e një krijuesi, energjinë e një sipërmarrësi dhe këmbënguljen e një shpikësi, që eksperiment pas eksperimenti, dështim pas dështimi, sukses pas suksesi, nuk ndalet kurrë deri sa mbarë bota të gjëmojë Eureka. Të kesh ëndrrën e politikës, është të kesh dëshirën të krijosh, apo të ndryshosh rrjedhën e ngjarjeve. Është të kesh talentin të materializosh në një telajo bosh, një vegim unikal. Të gdhendesh në një gur çfarëdo skulpturën më të arrirë. Të kesh ëndrrën e politikës do të thotë të ndërtosh të ardhmen, ndërsa mbron të shkuarën. Të kthesh premtimet në realitet, programet në arritje. Të kesh ëndrrën e politikës është të kesh ambicien për një Shqipëri që fiton, etjen për një ekonomi të begatë, besimin e përkatësisë evropiane të kombit tonë, bindjen se ky vend bëhet, naivitetin për të besuar që çdo gjë mund të ndryshohet, dhe për të sjellë ndryshime që askush nuk i beson të mundura.

Ndaj dhe një herë të dashur miq, përse politika? Ju përgjigjem me sinqeritetin e një ëndrre të vërtetë. Beteja jonë nuk është për një karrige, por për mundësinë e fjalës që po ju adresoj sot, për ambicien reale për të ndryshuar Shqipërinë, si një nëpunës civil apo një profesionist i lirë, në të përditshmen e një qytetari të zakonshëm, apo nëpërmjet hapësirës publike të një të zgjedhuri. Të kesh pasionin e politikës nuk është çështje statuti, liste, renditjeje, moshe. Është një ëndërr, një vegim, një qëllim, për një Shqipëri që fiton, për një dinjitet kombëtar të rikthyer, për një qytetari të bashkuar e familje që jetojnë me të ardhura të bollshme, me shëndet të plotë e standarde që rriten, këtu, ne vendlindjen e në qytetet ku ata kanë pronat dhe kujtimet e tyre.

Kjo është ambicia e programit demokrat dhe e ekipit Basha. Kjo është ambicia e secilit prej nesh.

Kjo është ëndrra e çdo shqiptari, që jeton në Shqipëri, Kosovë a diasporë. Është një moral pune, është edukatë e të përditshmes, një qëllim për të gjithë ne. Ndaj, me 25 prill, fiton Shqipëria, sepse kur fiton vendi ynë, fitojmë të gjithë ne.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura