Besnik Mustafaj zbulon te vetja “Birin e Adamit”

Nov 17, 2017 | 13:45
SHPËRNDAJE

ALMA MILE / “Unë dua të vdes për një dashuri të vërtetë/që e kam në ëndrra dhe e kam në zhgjëndrra/mësova prej saj lojën e dehjes së trupit dhe të shpirtit,/me të dhe pa të, krahët i kam përherë të harkuar/në një përqafim të pafund”. Ky është “Dell antiheroi”, “Biri i Adamit”, që nga brinja e vet krijoi gruan që të ndihej njeri, që të ndihej burrë, që të ndihej i dashur, që të mos ndihej vetëm…

mustafaj1

Pikërisht kështu, “Biri i Adamit”, e ka titulluar përmbledhjen me poezi Besnik Mustafaj, promovuar mbrëmë në stendën e shtëpisë botuese “Toena”, në Panairin e Librit. Ishin të shumtë ata që e kishin nderuar Mustafajn në këtë promovim. Politikanë, poetë, shkrimtarë… Por më shumë se të nderonin Besnikun, kishin ardhur të nderonin poezinë e tij “sa provokuese, aq edhe filozofike”, siç do të thoshte botuesja Irena Toçi, aq edhe “thellë- sisht shpirtërore”, siç do të thoshte poeti Bardhyl Londo.

“Biri i Adamit” është një përmbledhje poezish, krijimi i të cilave zgjat në kohë, plot tri dekada, prej vitit 1987, deri në 2017, që përkojnë me faza të ndryshme të pjekurisë së poetit dhe të burrit, të perceptimit të tij për jetën, dashurinë dhe vdekjen.

besnik

Asnjëra s’mund të kuptohet pa tjetrën. Dhe atje ku ka jetë ka edhe eros dhe atje ku ka eros ka edhe thanatos; të kundërta që tërhiqen, duke bërë dhe zhbërë njëratjetrën. Ndaj edhe në poezitë e Mustafajt ka zbulim të jetës te vetja, zbulim të burrit, zbulim të gruas, ka pritje, ka ardhje dhe ikje, ka mall, ka frikë nga fillimet e reja…

Vetë poeti e sheh të tepërt të flasë mbi atë që ka krijuar, përveçse përmes vetë krijimit “Në kërkim të kohës së humbur”, së cilës, sipas tij, i është rikthyer disa herë në 25 vjet. Për poetin Bardhyl Londo, nuk ka asgjë të çuditshme që Besnik Mustafaj, që shumë e njohin për prozator, të shkruajë poezi të bukura, pasi ai gjithnjë ka shkruar të tilla, por “Kur e lexova ishte një rizbulim i Besnikut, një rigjetje, për nga mënyra e të shkruarit, organizmit, konceptimit të këtij vëllimi nga fillimi në fund, që është një arritje për gjithë letërsinë tonë dhe veçanërisht për poezinë”.

Duke iu referuar disa poezive të përmbledhjes, Londo do të thoshte se me këtë vëllim, Mustafaj i rikthehet në mënyrë sintetike rrugës së tij poetike, shtrirë në dy epoka të ndryshme historiko-shoqërore, një shtegtim i ndjekur me interes, i shoqëruar me aprovime dhe duartrokitje, por edhe nga tundje skeptike koke, dashakeqësi mosbesuese. Sipas tij, ky rrugëtim individual është pjesë e pandarë e rrugëtimit të poezisë më të mirë shqiptare.

Sipas tij, poezia shqipe nuk mund të kuptohet pa poezinë e Besnik Mustafajt, si ky i fundit pa poezinë shqipe, duke i përkitur një plejade krijuesish, në vitet ’80, që po përpiqeshin ta çonin vargun në një stad tjetër zhvillimi, në kërkim të së figurshmes, të sillnin një frymë të re estetike, larg ideologjisë së kohës. Por duke u rikthyer te vëllimi, është pikërisht aty ku zbulohet edhe poeti, i cili është i biri i Adamit dhe burri i Evës, që e krijoi atë nga brinja, për të shmangur monotoninë.

“Pa Evën, Adami do vërtitej si mulli pa ujë, pa provuar ndjesinë e të qenurit njeri dhe burrë”, thotë Londo, duke shtuar që burri dhe gruaja janë simbioza filozofike që përshkon poezinë e Mustafajt. Ndërsa poetja Ana Kove do të shprehte një lloj keqardhjeje që poezi të tilla nuk janë botuar përpara viteve ’90 dhe të rinjtë nuk ushqeheshin me të tilla poezi ndjenjash, por me ferro-beton. Si redaktore e librit, ajo do ta quante një “argëtim estetik, por edhe një shkollë”.

Sipas saj, përmes poezive të Mustafajt zbulon burrin, i cili nuk është vetëm Adami, Jakobi, poeti, por edhe vetë lexuesi, që e ka shumë të lehtë të identifikohet dhe të përfshihet me ta. Duke theksuar faktin që në këtë libër të strukturuar në tri nëndarje, “Zbulimi i burrit”, “Jashtë orbitës” dhe “Plagë përfytyrimi”, përfshihen poezi të krijuara gjatë 30 viteve, Kove thotë se ajo që ndryshon është vetëm gjeografia e dashurisë së poetit.

Sipas saj, Mustafaj edhe vdekjen e trajton po aq kujdesshëm sa edhe dashurinë. Për poetin, “poezia është mënyra më e bukur e shprehjes së dashurisë, ku fjalët kanë një magji dhe fuqi të jashtëzakonshme”.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura