Besnik Mustafaj, një sagë për qelitë e gjyshërve dhe nipave

Jun 24, 2020 | 12:51
SHPËRNDAJE

MUHAMED MUFAKU*/ Në dekadat e fundit, pas rrëzimit të murit të Berlinit dhe “kalasë së fundit të stalinizmit”, letërsia me temën e burgut në botë u pasurua me prurjet nga Shqipëria, një realitet kulak ky gjatë viteve 1945-1990, e përkthyer në gjuhë europiane deri më 2011, kur u shfaq një brez i ri shkrimtarësh sirianë me romanet e veta.

Për të treguar ç’do të thotë burgu për Shqipërinë, mjafton të përmendim fatin e Musine Kokalarit (1917-1983), e para femër që studioi letërsinë jashtë (Itali) dhe u kthye me një frymë të re për të botuar përmbledhjen “Siç më thotë nëna plakë” (1941) dhe mandej “Rreth vatrës” (1944). Asokohe mori pjesë në formimin e Partisë Socialdemokrate.

besnik-mustafaj-1-770x405

Pasi kjo parti u konsiderua armike nga Partia Komuniste, që erdhi në pushtet më 1945, Kokalari u arrestua në janar 1946 dhe u dënua me 20 vjet. Ajo kaloi 18 vjet në burgun famëkeq (Burrel), pastaj u internua në Rrëshen, në veri të Shqipërisë, për të punuar atje pastruese e qytetit. E braktisur, vdiq prej kancerit më 14.08.1983. Pushteti arriti ta fshinte emrin e M.Kokolarit prej kujtesës kolektive deri sa erdhi liria dhe e nderoi me urdhrin “Martire e demokracisë” (1993), me çka ajo u kthye përsëri në jetën publike e kujtesën kolektive.

Prej kësaj gjenerate të pas 1945 është Besnik Mustafaj (1958), i cili u distancua herët prej regjimit, duke marrë pjesë në manifestimet që filluan në fund të viteve 1990 dhe u dallua si njëri prej themeluesve të partisë së parë jo komuniste, fituese në zgjedhjet e lira (1992). Ai, si student i letërsisë frënge, u brumos me një kulturë tjetër, larg asaj ideologjike zyrtare. Por, fatin e të rinjve që mbaronin studimet, e diktonte sistemi. Kështu, ai punoi një kohë në arsim, pastaj gazetar në organin e partisë “Zëri i popullit”, më vonë përkthyes në “Institutin e Studimeve M-L”, prej nga kaloi në Lidhjen e Shkrimtarëve si kryeredaktor i “Botës letrare”. Si pjesëmarrës aktiv në demonstratat kundër sistemit monist, ai fitoi në zgjedhjet parlamentare më 1991. Më 1992 u bë ambasador i parë i Shqipërisë demokratike në Paris. Më 2005, ministër i Jashtëm. Më 2007 dha dorëheqjen në shenjë mospajtimi me qeverisjen e re dhe iu kthye shkrimit. Në letërsi, Besnik Mustafaj u shfaq me vëllimin poetik “Motive të gëzuara” (1978). Në vazhdim botoi disa përmbledhje deri te romani “Ëndrra e Doktorit” (2017), ku me ironi paraqet klasën e re politike në Shqipërinë demokratike.

download

Prej romaneve të tij dallohet “Një sagë e vogël”, (Tiranë, 1995), ribotuar disa herë në Tiranë e Tetovë (Maqedonia e Veriut), përkthyer në frëngjisht e gjermanisht e së fundmi në italisht (2018). Ndryshe nga shkrimtarët e burgosur politikë, që letrarizuan vuajtjet e tyre, Besnik Mustafaj nuk sjell përvojën e një individi ose të një brezi, por përvojën kombëtare që përfshin tri breza të Shqipërisë, me një përqendrim në periudhën 1945- 1990, duke vështruar burgun prej dy anëve (të burgosurit dhe gardianët) e për të dalë te thelbi: sistemi është një diktaturë me emra të ndryshëm. Teknikisht, Besnik Mustafaj në këtë vepër ka disa narracione të personazheve kryesore e, në mesin e tyre, edhe një draft-romani. Kështu, kemi dy figura (Bardhyl Huta.

dhe Linda Hidi) prej dy familjeve me përvojën e dy botëve të burgut (të burgosurit dhe gardianët). Ata dashurohen e martohen dhe vetë testojnë këtë përvojë edhe nga brenda, edhe nga jashtë, duke treguar secili “sagën e vet të vogël”. Po ashtu, Andrea Bodeci, gazetar e shkrimtar, që interesohet për fatin e gjyshit të Lindës (gardiani Hyqmet Hidi) duke shpalosur fragmente të draft-romanit të vet. E, pasi kjo “sagë e vogël” përfshin Shqipërinë e shekullit XX, kemi trashëgiminë osmane (Hafiz pasha) dhe pushtetin fashist (1939-1943). Gardiani (Hyqmet Hidi) është simbol i luajalitetit ndaj sistemit “që duhet respektuar”. Po ashtu, kemi figurën e të krisurit (Mala i Marrë), i cili shpreh atë që nuk guxojnë të tjerët. Në narracionin e Bardhyl Hutës kuptohet shpejt se i ati (Omer Huta) ishte djali i Oso Hutës, i burgosur në kohën e Mbretit Zog (1928-1939). Pasi Partia Komuniste shpalli Republikën (1946), të burgosurit e mbretërisë u shndërruan në “heronj” dhe bijtë e tyre në përfitues.

Mirëpo, sjellja e Omer Hutës ndaj “lavdisë” së të atit e linte birin Bardhyl në mëdyshje: ai kërkonte jetën vetëm në hije. Atij sikur nuk i vinte mirë kur Oso Huta përmendej për luftën kundër regjimit mbretëror. Kur u rrit dhe u bë në gjendje të shtronte pyetje, mëdyshja iu shtua me përgjigjet e të atit: “Kush ngjitet lart, është taksur të rrëzohet me kokë poshtë”. Edhe pse në “demokracinë popullore”, burgu u bë ankth në familje, përkundër faktit se Bardhylit i pëlqente të mburrej me historinë e familjes, me gjyshin Oso Huta. Ky ankth mbillej përmes porosive të Omerit për gruan dhe djalin çdo herë që ata dilnin jashtë shtëpisë: “Kujdes, po shkuat në burg, nuk vij t’ju shoh”. Por kurrë nuk ua shpjegoi përsenë e këtij rreziku dhe ç’duhej bërë për ta shmangur. Në këtë mjedis u rrit Bardhyli. Martesa e tij me Lindën ishte goditje për të atin. Linda vinte prej një familjeje me histori të mishëruar me burgun.

Hyqmet Hidi, gjyshi i saj, si gardian burgu në kohën e mbretit dhe të Italisë fashiste, ishte damkë për familjen në kohën e “demokracisë popullore”. Narracionet për burgun politik nuk do të kishin fund për Bardhyllin derisa ai vetë të dënohej e ta provonte nga brenda. Përvoja e burgut ishte posaçërisht e rëndë për Bardhylin.

Ai u dashurua me Lindën dhe u martuan përkundër biografisë së keqe të gjyshit. Lumturia e tyre nuk zgjati. Tani, në burgun e dyfishtë (puna e rëndë në minierë dy tretat e ditës, fjetja në kapanon me 60 vetë, me një nevojtore të hapur, që kutërbon), ai mori vesh për një “privilegj”, që komanda e jepte për të burgosurit shembullorë: një natë me të shoqen në “dhomën speciale”. Bardhyli ishte gati të bënte gjithçka për të fituar një natë me të dashurën, Linda. Ai, më vonë, kupton domethënien e këtij “privilegji”, që çon në “zbutjen” e të burgosurve. Në narracionin e Lindës zgjerohet vizioni. Ajo njihet me historinë e gjyshit (Hyqmet Hidi). Ai ishte shërbëtor i shtetit, i gatshëm të punonte me “çdo sistem”. Ai ishte gardian në burgun e trashëguar nga sundimi osman, gjë që ka shpjegimin e vet. Gëzonte respekt në qytet, pasi nuk u shkelte të drejtat të burgosurve. Rrugës për në shtëpi, ai ndalej me familjarët e të burgosurve. Kështu, kur Italia fashiste pushtoi Shqipërinë në prill 1939, ndryshuan të burgosurit politikë dhe zotëruesit e burgut, në shërbim të të cilëve u vu me të njëjtin zell gardiani Hyqmet. Komanda fashiste e pranoi me kënaqësi. Vitet kaluan shpejt.

Diktatura e Musolinit ra në vjeshtën e 1943-s. Skena u përsërit: të burgosurit ikën, Hyqmeti mbeti në pritje të “regjimit të ri”, i gatshëm të dorëzojë çelësat me procedurë. Por kësaj here nuk paraqitet njëri. Ai u kthye në shtëpi, ku u mbyll tri ditë, i dëshpëruar. Ndërkohë, në berberhane dhe në kafenenë e qytetit përhapej lumi i thashethemeve lidhur me sjelljen e Hyqmetit në burgun e zbrazur. Ditën e katërt vjen për vizitë Hafiz pasha. Sa fillon pashai t’i tregojë për këngët që Mala i Marrë sajonte me motivet politike të ditës, ia beh Andrea Bodeci që synon të plotësojë romanin e nisur. Ndërkohë, dëgjohet Mala i Marrë. Hyqmeti e fton në shtëpi.

Pyetjes së Andrea Bodecit për ëndrrat, që kishte parë gjatë atyre ditëve, Hyqmeti iu përgjigj: “Me të ba ty kurban për librin tënd të ri. Kjo është ëndrra më e bukur që kam parë”. Dhe nxjerr revolen. Hafiz pasha vërsulet, shpata e tij bie në qafë të Hyqmetit. Në atë moment, Mala i Marrë lëshon fjalën e vet të urtë: “Zoti Hyqmet, si kështu, prapë me diktaturë?”. Kjo “fjalë e urtë” e Malës së Marrë arrin deri te Linda – brezi i tretë- në mbyllje të romanit, për të përshkruar ankthin që kishte pas asaj nate me Bardhylin në “dhomën speciale”. Cilin fat të zgjidhte për djalin e vet: gardian në burg apo i burgosur politik? Në këtë moment i kujtohet nasihati i Met Repishtit, drejtuar fëmijëve: Bëhuni bisht sëpate! Sido që të ndërrohen pushtetet “bishti i sëpatës bisht sëpate mbetet”. *Botuar më 29 maj 2020 në shtojcën për kulturë të gazetën panarabe “al-Arabi al-Jadid”, që del në Londër dhe shpërndahet në disa botime në mbarë botën arabofone si dhe në Europë e SHBA.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura