Besimi si faktor kyç i tregut të pensioneve

Oct 7, 2015 | 12:54
SHPËRNDAJE

ENKELEDA SHEHI

   Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare (AMF) ka përcaktuar si objektiv të rëndësishëm nxitjen e zhvillimit të tregut të fondeve të pensioneve vullnetare private në vend. Duhet kuptuar që ky objektiv është i natyrës afatmesme dhe rezultatet pritet të merren po ashtu në periudhë afatmesme. Në shërbim të këtij objektivi AMF, në bashkëpunim me Bankën Botërore (BB), ka nisur në korrik të vitit 2014 zbatimin e një projekti të rëndësishëm 18-mujor, që fokusohet në forcimin e mbikëqyrjes së tregut dhe zgjerimin e tij. Për sa i takon komponentit të zgjerimit të tregut në këtë projekt, AMF ka ndërmarrë në bashkëpunim me INSTAT-in një vrojtim në shkallë vendi.

Qëllimi i vrojtimit ishte për të vlerësuar qëndrimet dhe perceptimet e punëdhënësve në Shqipëri në lidhje me përfshirjen si kontribuues në fondet e pensionit. Ky vrojtim u krye me mbi 500 ndërmarrje në të gjithë territorin e vendit, që kanë mbi 20 të punësuar, dhe përfaqësuese të të gjitha degëve të ekonomisë, sipas nomenklaturës së rishikuar nga INSTAT-i. Në kampionin e vrojtimit u përjashtuan vetëm ndërmarrjet me kapital shtetëror, vendimmarrja e të cilave nuk është plotësisht e pavarur nga kuadri ligjor i administratës publike.

Një ndër elementët që u trajtua në vrojtim është shkalla e besimit që kanë palët e interesit në sistemin financiar në tërësi, dhe në veçanti në operatorët e tregut të pensioneve, si dhe AMF. Në të gjithë vrojtimin anketuesit drejtuan pyetje për të kuptuar shkallën e ndikimit të elementit të besimit në sistemin financiar dhe në operatorët e tregut të pensioneve në marrjen e vendimeve për ofrimin e planeve të pensioneve, si faktor kyç që nxit zhvillimin e tregut të pensioneve. Ajo që vërehet në tërësi është se faktori i besimit luan një rol të rëndësishëm.

Në vijim të këtij artikulli do të prezantoj disa nga rezultatet e këtij studimi në lidhje me faktorin e besimit. Kështu, në grupin e ndërmarrjeve të vrojtuara, të cilat aktualisht nuk ofrojnë plane pensioni, por kanë interes t’i ofrojnë ato, rezulton se faktori i besimit në sistemin financiar dhe në institucionet e tregut të pensioneve ndikon në masë të rëndësishme në mospërmbushjen e këtij interesi. Nga këto ndërmarrje, rreth 31% shprehen se mospasja e besimit të mjaftueshëm në shoqëritë administruese të fondeve të pensionit dhe rreth 23% shprehen se mospasja e besimit të mjaftueshëm në tërësi për sistemin financiar janë faktorë, të cilët ndikojnë që të mos realizohet plani i ndërmarrjeve për të ofruar plane pensioni.

Një seksion i pyetësorit iu dedikua pikërisht nivelit të besimit që perceptojnë ndërmarrjet për institucionet financiare, të cilat janë lojtarë në tregun e pensioneve private, përkatësisht AMF, si autoritet rregullator dhe mbikëqyrës, si dhe të tri shoqëritë administruese të fondeve të pensioneve. Qëllimi për të njohur këtë perceptim lidhet me faktin që në thelb marrëdhëniet financiare janë marrëdhënie besimi dhe pa këtë element nuk mund të zhvillohen tregjet financiare, përfshi edhe tregun e pensioneve private.

Në përgjithësi vërehet se besimi në këto institucione është vlerësuar nën nivelin mesatar. Nëse vlerësimin për shkallën e besimit e shprehim me anë të një indeksi besimi, që i merr vlerat nga 0 për kategorinë “nuk kam njohuri për institucionin” në 5 që i korrespondon kategorisë “kam shumë besim tek institucioni”, vërejmë që vlerat e indeksit luhaten nga 1.86 në 2.25 (mesatarja 3). Ndërsa diferenca e niveleve të besimit, që llogaritet si diferencë e përqindjeve të ndërmarrjeve të cilat janë shprehur se kanë besim në intervalet “shumë besim; kam besim; besim mesatar” me ato që shprehen se kanë “pak dhe shumë pak besim”, luhatet nga 18.3 deri në 32.8 pikë përqindjeje.

Për sa i takon AMF-së vërehet se 21.1% e ndërmarrjeve të vrojtuara nuk kanë njohuri për të dhe shkalla e besimit për të i përafrohet më shumë nivelit mesatar (2.77). Në nivelin e besimit duket se ndikon një kombinim i gjerë faktorësh, ku më të rëndësishmit janë strategjia e marketingut e ndjekur nga shoqëritë administruese të fondeve të pensionit, si dhe shkalla e njohjes së këtyre institucioneve.
Nga analiza e rezultateve të vrojtimit për elementin e besimit u vërejt se faktorët e besimit në sistemin financiar dhe veçanërisht në institucionet financiare të tregut të pensioneve kanë një ndikim të rëndësishëm në vendimmarrjen apo qëndrimin e punëdhënësve në lidhje me ofertën e planeve të pensionit.

Pra, shoqëritë administruese të fondeve të pensioneve është e nevojshme të kryejnë një aktivitet më intensiv për të bashkëpunuar me punëdhënësit dhe punëmarrësit, me qëllim rritjen e shkallës së njohjes së tyre si subjekte; të produkteve që ato ofrojnë, si dhe të organizojnë fushata marketingu transparente për këto produkte. Kjo sjellje pritet të ndikojë në zgjerimin e tregut të pensioneve. Nga ana tjetër, edhe vetë AMF ka një rol të rëndësishëm si në procesin e edukimit konsumator, ashtu edhe në forcimin e besimit në tregjet financiare që mbikëqyr. Këtyre objektivave do t’i shërbehet nëpërmjet rritjes së pranisë në publik nga ana e AMF-së dhe rritjes së theksit në planet afatmesme të institucionit tek elementet e edukimit dhe mbrojtjes konsumatore.
*Drejtore e Përgjithshme Ekzekutive, Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura