Besim Tula: Me “Nëntorin” i kemi hyrë detit më këmbë, vetëfinancohemi

Nov 8, 2018 | 13:18
SHPËRNDAJE

ALMA MILE/ Muaji nëntor hyri bashkë me ekspozitën që mban të njëjtin emër. “Nëntori” u rikthye në edicionin e tij të 21-të, me 25 piktorë pjesëmarrës, në hapësirat e Galerisë FAB.

Piktori Besim Tula

Që në krye të herës, “Nëntori” është krijuar si një ekspozitë pa kurator dhe koncept kuratorial. Ai është një mundësi ekspozimi për piktorët e traditës, por edhe për ata të rinj, që nxiten për të ecur më tej. Marrin pjesë në këtë edicion: Zef Shoshi, Gazmend Leka, Hasan Çapari, Ksenofon Dilo, Kujtim Buza, Llazar Taçi, Adrian Devolli, Agron Mesi, Besim Tula, Stefan Taçi, Aleksandër Filipi, Nikolin Ivanaj, etj. Tematika e punëve të ekspozuara është e larmishme. Si gjithnjë mbizotërojnë temat sociale, por edhe peizazhi. Nuk mungon as Skënderbeu në Vitin e tij Jubilar. Një nga organizatorët e ekspozitës, piktori Besim Tula, flet për ekspozitën, vështirësitë që hasin çdo vit për hapjen e saj, shitjet e pakta, mungesën e mbështetjes nga Ministria e Kulturës, por edhe aktivitetin e Galerisë Kombëtare të Arteve.

“Nëntori” nuk ka një temë qendrore, por ama duket se artistët u kanë mëshuar më së shumti temave sociale…

Kjo është një ekspozitë që nuk ka një temë qendrore. Që në fillim, ajo lindi si një lloj opozite për artin e fillimit të viteve ’90. Në këtë ekspozitë, vlerë ka artisti, jo kuratori. Nuk kemi dashur që artistët t’i nënshtrohen idesë, pasi mund të qëllojë që për atë vit ai të mos ketë asgjë interesante lidhur me një temë të caktuar, por kjo s’do të thotë që nuk duhet të ekspozojë. Në Shqipëri, gjendja nuk është e favorshme për kulturën dhe artin, por është i mrekullueshëm fakti që temat për artin janë të panumërta, gjë që ndoshta nuk e gjen në vendet normale. Edhe pse nuk ka qenë temë e ekspozitës, secili nga artistët me koshiencë të plotë ka ardhur në këtë varietet temash, të nxitur nga realiteti që jetojmë. Brezi ynë, për shkak edhe të eksperiencës, e ka më të thjeshtë të përshtatet, ndërsa të rinjtë e kanë shumë më të vështirë. Nuk ka kushte për të punuar, nuk kanë studio.. Është si të vendosësh një fëmijë të mësojë hapat e parë mbi gozhdë. Dhe janë të gjitha këto vështirësi që i shtyjnë të rinjtë që të largohen që këtu. Janë me qindra ata që mbarojnë artet, por e kanë të pamundur të gjejnë veten.

Nuk ju ka shpëtuar as Jubileu për Skënderbeun…

Është një temë shumë e veçantë. Jo gjithnjë të vjen një frymëzim i tillë dhe Zef Shoshi ka ditur të kapë një moPër të 21-tin vit u hap në Galerinë FAB, ekspozita e përvitshme Besim Tula: Me “Nëntorin” i kemi hyrë detit më këmbë, vetëfinancohemi “Ministrja e Kulturës është përkthyese e zonja, por nuk e njeh artin pamor. Ajo nuk mund të gjykojë vetë” ment të tillë. Është një kujë burrash, që rrahin gjokset për udhëheqësin e fundit, që me sa duket ia vlente të dëshpëroheshe.

Mediumet, në të cilat paraqiteni, janë të kufizuara, është kjo një zgjedhje juaja apo këto ishin prurjet?

Nuk kemi përfshirë kolazhe, instalacione. Ne i kemi ngelur besnikë traditës së “vjetër”, pikturës klasike. Dhe beteja për të qenë i dukshëm është shumë e vështirë. Por këtu marrin pjesë ata “të magjepsurit” e pikturës, që i kanë marrë parasysh vështirësitë.

Si mbijetoni, a keni pasur ndonjë mbështetje financiare apo vazhdoni me vetëfinancim?

Ne vazhdojmë të vetëfinancohemi. Nuk pata ndonjë shpresë se mund të merrnim ndonjë financim nga Ministria e Kulturës. E provuam vitin e parë… Ministrja e Kulturës është përkthyese e zonja, por nuk e njeh artin pamor. Ajo nuk mund të gjykojë vetë, ndërsa grupi i këshilluesve ka më shumë merakun e vendit të vet të punës. Kështu që i kemi hyrë detit më këmbë dhe po e bëjmë vetë këtë punë.

A ndikon kjo ekspozitë në shitje të veprave?

Hera e fundit që kam shitur një vepër nga ky aktivitet ka qenë viti 2004. Nga ekspozita kemi shumë pak përfitim, por nëse nuk ekspozon, vdes si artist. Më thanë që “Onufri” po mbyllet dhe më vjen shumë keq. Kjo ndodh vetëm për artet pamore. Nuk ndodh kështu për artet e tjera. Po e shohim se sa shpenzohet për filmin apo fusha të tjera. Ndërsa një konkurs me një buxhet prej 2 milionësh mbyllet. Ky ishte i vetmi aktivitet që kishte një shpërblim monetar për artistët pamorë, duke qenë një lloj nxitjeje për pjesëmarrje

E keni ndjekur aktivitetin e Galerisë Kombëtare të Arteve së fundmi, ç’mendim keni?

Unë kam qenë ndër të vetmit që jam shprehur i kënaqur që në krye të Galerisë së Arteve po vjen një drejtor që nuk del prej këtij ambienti dhe nuk e njeh atë, por ka edhe një kontakt me jashtë. Ai do të sillte një frymë të re, sigurisht. Deri më tani ka hapur dy ekspozita. Edi Hila ishte një aktivitet i “gatshëm”, pasi është artist i afirmuar tashmë, ndërsa për artisten kosovare unë mendoj që GKA nuk mund të bëhet promovuese e artistëve të rinj. Në GKA ti merr vulën e afirmimit. Është rast i rrallë të fusësh artistë të rinj në galeri. Ata mund t’i vendosësh në një kontekst të caktuar, në një ekspozitë në grup, por jo një ekspozitë personale të një artisti që ende nuk e ka të qartë rrugën e tij. Madje, edhe artistja gjermane ishte e një niveli të mesëm. Por GKA nuk ka përse të merret me ekspozita të këtij lloji. Ajo ka fondin e saj. Ne ende nuk e dimë se ku kuotohen mjeshtërit tanë në botë. Më e mira që mund të bëhej do të ishte ballafaqimi me jashtë.

 

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura