Besa merr ish-mbrojtësin e Kukësit, sulmi i garantuar me Berishën

Aug 1, 2018 | 14:57
SHPËRNDAJE

Besa vazhdon të godasë në këtë merkato vere. Ish-qendërmbrojtësi i Kukësit, Rexhep Memini, ka arritur akordin me presidentin e Besës, Nexhat Bizhdili, për të qenë këtë sezon pjesë e kavajasve. Memini ka një përvojë tek ekipi i Kukësit dhe pritet të jetë ndër shtyllat e verdhezinjve. Tashmë, në dispozicion të trajnerit Begeja do të jenë disa qendërmbrojtës, duke nisur nga Memini, lushnjari Bufasi, kosovari Shaljani, kavajsit Brahimaj e Kullolli, si dhe pritet nigeriani Dikson.

memini

BERISHA

Kavajasit janë treguar shumë aktivë në këtë merkato duke afruar shumë lojtarë. Një prej tyre është edhe kosovari Ardit Berisha. 19- vjeçari la Gjermaninë për Skënderbeun, por nuk gjeti hapësirat e dëshiruara pasi sulmues si Soue, Adenij e tjerë nuk i dhanë shanset të shumta talentit.

Ai u aktivizua edhe te Skënderbeut U-19 duke qenë kryegolashënuesi i këtij ekipi. Para pak ditësh ai ka firmosur një kontratë me Besën me besim e bindje se nga verdhezinjtë do nisë karriera e tij e vërtetë. Në dy miqësoret e zhvilluara nga Besa me ekipin U-19 dhe me Lushnjën, të dyja fitoret erdhën prej këmbëve të Berishës që shënoi nga 1 gol në çdo takim.

berisha

“Ndihem i lumtur që debutova me gol në miqësoren e parë. Akoma më i kënaqur kur edhe ndaj Lushnjës i dhurova ekipit fitoren. Kam shënuar shumë gola me bluzën e Skënderbeut me moshat, por tani ndryshon situata, luaj me Besën. Jam i lumtur dhe ndihem më i motivuar se kurrë për të vijuar të shënoj me bluzën verdhezi. Te Besa gjeta edhe mjaft lojtarë të tjerë kosovarë e kjo më bën të ndihem vërtet si në Kosovë.

Do të mundohem të jap maksimumin tim sa herë trajneri dhe stafi teknik do të më besojnë të jem në fushë. Besoj tek objektivi, rikthimi në Superiore që do të jetë një tjetër dritare ku unë besoj se dhe të rinjtë e tjerë do dëshmojmë vlera akoma më të mëdha”, tha Berisha. Talenti nga Kosova ka një shtatlartësi për t’u pasur zili e po aq një nivel teknik që i duhet një sulmuesi. Berisha do të jetë në konkurrencë me emra të tillë si Çekiçi apo Onuh.

Feriz Ferizaj

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura