BESA me një këmbë në qeverinë e Zaevit, Kasami kërkon ndihmë për unifikimin e partisë

Apr 18, 2018 | 22:23
SHPËRNDAJE

Lëvizja Besa me një këmbë në qeverinë Zaev. Bilall Kasami tha se me kryeministrin Zaev kanë diskutuar të gjitha detajet, ndërsa kërkoi që me autoritetin e tij, Zaev t’i bindë të gjithë deputetët e Besës, që bashkë të bëhen pjesë e shumicës parlamentare,.

Në fillim të javës së ardhshme do të kemi takimin e radhës ku do duhet të flasim konkretisht për pjesën e përgjegjësisë që do duhet të marr Lëvizja Besa në Kuadër të Qeverisë. Në biseda me kryeministrin kërkova që edhe ai të jap kontribut që bashkë si pesë deputet të Lëvizjes Besa të kontribuojmë në zgjerimin e shumicës parlamentare – deklaroi Bilall Kasami, Kryetar i Lëvizjes Besa.

maqedonia-1

Për dallim nga Kasami, Afrim Gashi nga ana tjetër kërkon që kryeministri Zaev të vendosë se cilën anë të Besës do ta merr në Qeveri.

Unë mendoj se kryeministri nuk dëshiron që problemet e jashtme ti sjellë brenda në Qeveri. Mendoj se ky kontest edhe opinioni është i lodhur me këtë çështje që ne e kemi pasur brenda subjektit. Nuk i duhet kryeministrit kjo. Prandaj mendoj se ai do të duhet të zgjedh njërën prej këtyre dy subjekteve. Por megjithatë është vendim i tij – tha Afrim Gashi, Kryetar i Lëvizjes Besa.

Edhe pse të dy anët e Besës bisedimet po i zhvillojnë drejtpërdrejtë me Zaevin, partneri i koalicionit qeveritar Ali Ahmeti tha se partia e tij megjithatë nuk është vetëm vëzhguese në këto bisedime.

Sigurisht që BDI-ja është parti shumë serioze dhe është në rrjedhë të të gjitha zhvillimeve të vendit dhe ne nuk jemi spektator por jemi aktorë në fushën politike dhe në fushën vendimmarrëse. Unë nuk jam tregtar i Bit Pazarit e as i Urës Gurit që të luaj me qibrita, nëse do lejoj ata ta marrin një ministri apo jo. Këta negociata bëhen mes partive. Unë në tezga nuk punoj – tha Ali Ahmetit, Kryetar i BDI-së.

PDSH-ja e Thaçit heshtë gjatë gjithë kohës dhe nuk jep detaje nëse bisedojnë me Zaevin apo nëpërmjet BDI-së tentojnë të bëhen pjesë e Qeverisë. Nga LSDM-ja thonë se për zgjerimin e koalicionit ka kohë deri në fund të muajit.

Deri në fund të muajit do të bisedojmë me të gjitha partitë politike parlamentare rreth mundësisë së zgjerimit të shumicës parlamentare, me qëllim mbështetje e reformave – thonë nga Lidhja Socialdemokrate e Maqedonisë. Deri më tani i qartë është vetëm vendimi i Aleancës për Shqiptarët të cilët mohuan se zhvillojnë bisedime për tu bërë pjesë e ekzekutivit. Pos vendeve vakante që mbetën pas daljes së ASH-së nga Qeveria, në lojë janë edhe poste tjera ministrore, ajo e Arsimit, Drejtësisë dhe posti i zv/ministrit të Shëndetësisë.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura